Ndërlidhjet

Thaçi takohet me Ban Ki Mun


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, 22 shtator 2013
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar në Nju Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, 22 shtator 2013
Shefi i Qeverisë kosovare e ka nisur vizitën në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara duke u takuar fillimisht me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Sipas komunikatës së dërguar mediave nga zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, thuhet se takimi me sekretarin Ban u zhvillua në selinë e Kombeve të Bashkuara.

“Kryeministri Thaçi në takim bisedoi për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, ku si tema kryesore ishin zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimi i marrëveshjeve të dala nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Thaçi ka udhëtuar drejt Nju Jorkut pasi atje, sipas njoftimit qeveritar, po merr pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, edhe pse Kosova nuk është anëtare e kësaj organizate.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB ka qenë pjesë e bisedës Thaçi – Ban sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës.

“Gjatë takimit, kryeministri Thaçi në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, theksoi se prania e UNMIK-t duhet të jetë reflektim i nevojave të Kosovës për integrim në sistemin e OKB-së dhe t'i përshtatet realitetit të ri të krijuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun i ka dhënë përkrahje dialogut Kosovë - Serbi, ndërsa zgjedhjet lokale të 3 nëntorit i ka cilësuar “historike”.

“Gjatë kohës së qëndrimit në Nju Jork, kryeministri Thaçi do të ketë takime të tjera me burrështetas dhe diplomatë të shteteve të ndryshme”, thuhet në fund të komunikatës.
XS
SM
MD
LG