Ndërlidhjet

Rezultatet e plota: Merkel 41.5% të votave


Angela Merkel
Angela Merkel
Koalicioni i kancelares gjermane, Angela Merkel, ka shënuar fitore dërrmuese në zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet e plota kanë treguar se demokristianët e Merkelit, së bashku me Unionin Kristian-Social, kanë fituar 41.5 për qind të votave.

Megjithatë, partneri aktual i saj, Partia Demokratët e Lirë, ka pësuar humbje me më pak se 5 për qind të votave, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të hyrë në Parlament.

Kjo është hera e parë në më shumë se gjysmë shekulli që Demokratët e Lirë nuk do të përfaqësohen në Bundestag, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit.

Rezultatet sugjerojnë se Merkel do të duhet të negociojë koalicionin me social-demokratët e qendrës së majtë, të cilët kanë dalë të dytët me 25.7 për qind të votave.

Partner tjetër i koalicionit mund të jenë edhe Të Gjelbrit, që anojnë kah e majta dhe kanë fituar 8.4 për qind të votave. Por, analistët thonë se një koalicion i tillë ka më pak gjasa, marrë parasysh dallimet e gjera që ekzistojnë midis politikave të Merkelit dhe Partisë së Gjelbër.

Bisedimet për koalicionin e ri mund të zgjasin disa javë.

Angela Merkel është kancelarja e tretë që fiton mandatin e tretë që prej Luftës së Dytë Botërore. Dy të tjerët kanë qenë Konrad Adenauer, lideri i parë i pas-luftës në Gjermani, dhe Helmut Kohl, i cili ka udhëhequr vendin drejt ribashkimit më 1990.

Të dielën vonë, Merkel u është drejtuar edhe mbështetësve të saj:

“Dua të them: Jini të lumtur dhe lumturia do të na japë fuqinë për t’i ndërtuar vitet e ardhshme ashtu siç duhet. Kemi shumë përgjegjësi, por ne mund ta menaxhojmë atë. Të gjitha të mirat, faleminderit”, ka thënë Merkel.

Merkel, 59 vjeçe, i ka sjellë përfitime ekonomisë gjermane, e cila mbetet e fortë dhe krenohet me normën e ulët të papunësisë, prej rreth 7 për qind.

Kjo e ka ndarë atë nga udhëheqësit e vendeve të tjera, si Irlanda, Portugalia, Italia, Greqia, Spanja dhe Franca, të cilët nuk janë votuar nga qytetarët, për shkak të trajtimit të borxhit dhe papunësisë së lartë.

Merkel ka bërë polemika të ashpra me vendet si Greqia, duke kushtëzuar paketat e ndihmës për to vetëm më shkurrtime të mëdha të shpenzimeve dhe reforma.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, ka uruar Merkelin, duke shprehur besimin se ajo do të vazhdojë të punojë për një “Evropë të begattë”.

Urime kanë dërguar edhe udhëheqësit e Francës, Britranisë, Belgjikës dhe Italisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG