Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi para bllokadës, opsion edhe zgjedhjet e parakohshme


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ndodhet para një bllokadë totale të punës.

Rreziku i mosfunksionimit të Kuvendit, vlerësohet se vjen si refleksion i zvogëlimit të fuqisë së mazhorancës dhe përkrahjes në rënie për qeverinë aktuale në njërën anë dhe së dyti si refleksion i fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Mungesa e mbështetjes së mjaftueshme në Kuvend e ka sjellë në situatë mazhorancën dhe qeverinë që të mos ketë fuqi të procedoj tutje për miratim çështjen e shitjes së 75 për qind të aksioneve në kuadër të privatizimit të PTK-së.

Mospajtimet nuk kanë të bëjnë vetëm me raportet pozitë – opozitë, ngase plasaritjet vërehen edhe përbrenda partisë më të madhe në pushtet, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili zyrtarisht është deputet i PDK-së, është një prej atyre që tashmë ka dalë haptas kundër disa politikave qeverisëse të kësaj partie.

Ai përflitet se do të formojë një subjekt të ri politik si dhe do të jetë në krye të grupit të ri parlamentar në Kuvend si fraksion i dalë nga PDK-ja.

Krasniqi nuk ka dashur të hënën që nga ndërtesa e Kuvendit të flasë në lidhje me ambiciet e tij politike jashtë PDK-së.

Kurse, në lidhje me legjislativin, ai ka preferuar që të pritet seanca e ditës së enjte për të parë nëse Kuvendi mund të funksiojë edhe më tutje apo jo.

“E presim të enjten dhe e enjtja tregon se është apo nuk është funksional Kuvendi”, ka thënë Krasniqi.

Mosfunksionimi i Kuvendit, do të nxirrte menjëherë në shesh nevojën e zgjedhjeve të parakohshme.

Mirëpo, që kjo të ndodhë, ligjërisht në Kuvend duhet të ketë edhe një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, nismë kjo që po përflitet si e mundshme, por ende nuk është zyrtarizuar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se PDK është e gatshme edhe për një skenar të tillë.

“Nuk u frikësohemi edhe zgjedhjeve të parakohshme. Ne jemi të përgatitur në çdo kohë, kur të dojë opozita. Por, besoj që nuk është në interesin e vendit që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Grabovci.

Mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk e ka përjashtuar as Ismet Beqiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nuk dëshiroj të paragjykoj, mbahen apo nuk mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme apo të zakonshme. Ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm. Por, ajo që për ne si deputetë, si grup parlamentar dhe si subjekt politik është me rëndësi ka të bëjë me institucionet tona të cilat të funksionojnë si duhet. Në këtë rast Kuvendi i Kosovës. Kjo është esenciale e për të tjerat nuk mund të them sot”, është shprehur Beqiri.

Të enjten pritet që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë të rregullt për të proceduar me pikat tashmë të caktuara për rend dite.

Kjo seancë, po shihet edhe si një test nëse kjo legjislaturë në këtë përbërje mund të vazhdojë tutje punën.

Sidoqoftë, që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, do të nevojitet më pas edhe plotësimi i anës procedurale ligjore, që nënkupton votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve brenda 45 ditëve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG