Ndërlidhjet

Zarif takon përfaqësuesit e KS të OKB-së


Mohammad Javad Zarif

Mohammad Javad Zarif

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, do të takojë në Nju Jork përfaqësuesit e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e ka bërë të ditur shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ka thënë se takimi pritet të zhvillohet më 26 shtator, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Bisedimet pritet të përqendrohen në programin bërthamor të Iranit.

Presidenti iranian, Hasan Rohani, ka njoftuar më 22 shtator se Zarif do të kryesojë delegacionin e Iranit në bisedimet ndërkombëtare për çështjet bërthamore.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera akuzojnë Iranin se bën përpjekje të zhvillojë armë atomike, ndërsa Republika Islamike thotë se programi i saj ka qëllime krejtësisht paqësore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar katër raunde sanksionesh kundër Iranit për shkak të kontestit bërthamor.

Rohani do të udhëtojë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme, në të cilën ka thënë se do të paraqesë “fytyrën e vërtetë të Iranit”.
XS
SM
MD
LG