Ndërlidhjet

Joan Baez: Fitore të vogla dhe humbje të mëdha

  • RFE /RL

Joan Baez, këngëtare e njohur amerikane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, ka marrë pjesë në Forumin 2000, që është mbajtur këtë muaj në Pragë. Ngjarja ndjek trashëgiminë e Vaclav Havelit në mbështetje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Korrespondentet Hannah Kaviani dhe Salome Asatiani kanë biseduar me zonjën Baez në margjina të konferencës, në lidhje me punën e saj, bindjen dhe aktivizmin shoqëror.


RADIO EVROPA E LIRË
Disa javë më parë, bota ka shënuar 50-vjetorin e fjalimit legjendar të Martin Luther Kingut “I have a dream”. Si një personalitet që keni luajtur rol të rëndësishëm në këtë ngjarje historike, si njëra nga këngëtarët që është ngjitur në podium atë ditë, si e shihni lëvizjen e të drejtave të njeriut sot? A e ka arritur atë që duhet të arrijë apo ka ende rrugë për të bërë?

JOAN BAEZ
Mendoj, të dyja. Ka ende rrugë të gjatë për secilin, sepse bota, në përgjithësi, është duke shkuar në ferr – e dini këtë? Është vështirë të kujtohet, apo vështirë të mendohet se në fillim të saj, njerëzit me ngjyrë nuk kanë mundur të hyjnë në një banjo me të bardhët apo në derën e përparme të një restoranti apo hoteli në gjithë pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm. Por, tani kemi një president me ngjyrë.

Duhet thënë se është bërë një ndryshim i madh që nga fillimi i lëvizjes për të drejtat civile. Por, në të njëjtën kohë, ka edhe geto. Ka fëmijë që nuk mund të ecin për në shkollë sepse ata qëllojnë njëri-tjetrin. Andaj, racizmi është i madh. Nuk është problemi i vetëm, por është problem i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju shihni ende rrugë të gjatë përpara?

JOAN BAEZ
Është vështirë të gjendet diçka për të cilën nuk duhet rrugë e gjatë. Një moto e imja e vogël është: “Fitore të vogla dhe humbje të mëdha”. Nëse pranoni humbjet e mëdha, atëherë çdo gjë që bëni si një fitore të vogël, bëhet vërtet e rëndësishme. Mund të shihni të rinj, të cilët thonë se shtyhen nga diçka, nga jetimët romë për shembull. Kjo nuk duket si në vitet 1960, sepse nuk jemi të lidhur në atë mënyrë. Por, ka të rinj që bëjnë gjëra kudo në botë.

Ndjenja e lidhshmërisë? E kam përjetuar këtë për herë të parë qysh në vitet 1970 me Obamën. Do të doja që ai të qëndronte jashtë zyrës dhe të udhëhiqte një lëvizje tjetër. Mendoj se atje do të ishte fuqia dhe ai nuk do të duhej të bënte kompromis për gjithçka, përfshirë shpirtin e tij, në Zyrën Ovale.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë lidhje midis aktivizmit politik në vitet 1960 dhe Lëvizjes aktuale të Pushtimit (Occupy Movement)?

JOAN BAEZ
Kam pasur një ndjenjë të fuqishme në fillim të Lëvizjes së Pushtimit, se ekziston një mundësi e të bërit diçka së bashku. Edhe pse pjesë të saj janë ende funksionale në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe botës, punët janë masive dhe rreziqet janë komplekse… pa një lidership të cilin ata e refuzojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj për lidhjet midis artit dhe aktivizmit? A kanë artistët përgjegjësi për të folur rreth çështjeve sociale dhe politike?

JOAN BAEZ
E gjitha çfarë mund të them është nga përvoja ime, që është lidhshmëria me njerëzit, të burgosurit, njerëzit në luftë, që kam qenë në gjendje të flas ku shumë njerëz nuk kanë mundur të flasin. Dhurata e parë që kam pasur ka qenë ky zë. Ka qenë dhuratë. Pra, mund të them çfarëdo që dua me të. Ndërsa, dhurata e dytë ka qenë përdorimi i tij në mënyrën që e kam përdorur, sepse ajo më ka sjellë kënaqësinë dhe pasurinë më të madhe në jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për iranianët, ju keni qenë zëri i parë në mbështetje të Lëvizjes së Gjelbër, në qershor të vitit 2009, kur jeni ulur në kuzhinën tuaj dhe keni kënduar "We Shall Overcome", me disa vargje në gjuhën farsi. Ka qenë një veprim i pabesueshëm dhe iranianët e kanë parë në një mënyrë shumë të fuqishme – se bota është duke i dëgjuar ata. Si ju ka lindur ideja e kësaj videoje?

JOAN BAEZ
Asistentja ime më ka hapur sytë. Më ka thënë “ti e di”, derisa unë shihja se çfarë po ndodh… Dhe, i kam thënë “eja të bëjmë diçka”. Ajo më ka thënë “përse nuk e këndon atë këngë”. Së bashku kemi punuar në të. Më është dashur të gjej dikë që më mëson fjalët (në gjuhën farsi). Kanë qenë shumë të vështira. Fjalët kanë qenë shumë të vështira.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, e keni kënduar në mënyrë të përkryer. Shqiptimi në farsi ka qenë i përkryer.

JOAN BAEZ
Kam vesh të mirë. Kam punuar derisa e kam mësuar. Në çdo gjuhë do ta bëja. Ajo më pas e ka ‘cicëruar’ dhe ka bërë bujë.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë mbi 400,000 shikime të performacës suaj në postimin origjinal në YouTube. E keni pritur këtë reagim që ka shkaktuar?

JOAN BAEZ
Kurrë nuk e di. Jo. E kam bërë për Turqinë së fundmi. Dhe, atje nuk ka ndezur. Unë nuk e di ku jam e njohur dhe ku nuk jam e njohur. E bëj dhe nëse ka sukses, ka.

RADIO EVROPA E LIRË
A vazhdoni t’i ndiqni zhvillimet në Iran?

JOAN BAEZ
Jo nuk i kam ndjekur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë shumë e njohur në pjesën sovjetike të botës gjatë erës sovjetike. Roku perëndimor ka qenë aq popullor, saqë, siç ka thënë edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, ka qenë muzika ajo që ka iniciuar revolucionet popullore, të cilat kanë rrëzuar Perden e Hekurt dhe Bashkimin Sovjetik. A keni qenë e vetëdijshme se keni pasur një ndikim të tillë në pjesën tjetër të botës? A e keni ditur se regjistrimet e rock muzikës janë shitur ilegalisht atje?

JOAN BAEZ
Po, e kam ditur. Nuk e kam ditur shkallën e saj. Por, e di se grupet që veprojnë ilegalisht ku ka shtypje, janë më efikase kudo në botë. Ju duhet të nxirrni mesazhin. Nëse jeni mjaft të guximshëm, do ta bëni kontrabandën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG