Ndërlidhjet

PTK-ja mund të destabilizojë skenën politike


PTK
PTK
Privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës është para dështimit dhe duhet të rifillojë nga e zeroja, konsiderojnë ekspertët për çështje ekonomike.

Dy herë radhazi opozita në Kuvendin e Kosovës, po “bllokon” shitjen e aksioneve të PTK-së, duke mos votuar raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kësaj kompanie, që njëherësh llogaritet si një ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.

Ndryshe, pas shtyrjeve të tri afateve për nënshkrimin e kontratës mes ekzekutivit dhe konsorciumit fitues “AXOS – capital” me konsorciumin Najafi Companies LLC, më 30 shtator të këtij viti është afati tjetër.

Por, a do të nënshkruhet kontrata dhe blerësi i ri të bëhet pronar i aksioneve, apo do të dështon procesi? Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, konsideron se privatizimi i PTK-së është para dështimit.

Ai thotë kështu duke pasur parasysh zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kuvendin e Kosovës.

“Kur kemi parasysh kokëfortësinë e disa partive politike, por dhe të disa individëve në koalicionin qeverisës, atëherë unë nuk jam shumë optimist se ky proces do të përfundojë ashtu siç ka planifikuar Qeveria e Kosovës. Pra, procesi është para dështimit”.

Vështirë se do të kalojë në parlamentin e Kosovës. E posaçërisht mua më ka shqetësuar fakti, ku vetë kryetari i Parlamentit të Kosovës, deklaron se nuk do të marra pjesë në procesin e votimit për shitjen e PTK-së”, shprehet Rexhepi.

Ndërkaq, profesori në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, pas zhvillimeve të fundit për këtë çështje, vlerëson se procesi i privatizimit duhet të rifillojë nga zeroja.

Sipas tij, duhet të fillohet me aprovimin e një ligji të veçantë në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të rregullohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më privatizimin e PTK-së.

Është e çuditshme, se si një biznes i suksesshëm, në mungesë të qeverisjes së përgjegjshme të bëhet burim i konflikteve dhe aferave të ndryshme. Prandaj, unë mendoj se ka ardhur koha që të pushohet lidhur më privatizimin e PTK-së, duhet të merren mësime nga dështimet e deritanishme. Dhe procesi duhet të kthehet në zero. Sepse në opinion është proces i dështuar”, thekson Sadiku.

Ai thotë se nëse vazhdon kështu, procesi i PTK-se mund të destabilizojë skenën politike.

“Nuk shkohet kështu, sepse ky privatizim është shndërruar në një lojë politike. Ndërkaq, skena politike e Kosovës është duke u ndarë në gjysmë dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë, kjo mund t’i destabilizoi edhe institucionet e vendit. Prandaj, duhet të ndërpritet procesi dhe të fillohet nga zeroja”, thotë Sadiku.

Në vitin 2010, pikërisht zhvillimet në PTK, patën shtyrë Lidhjen Demokratike të Kosovës të tërhiqet nga koalicioni qeverisës më Partinë Demokratike, duke dërguar kështu vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sidoqoftë, që nga fillimi, ky proces është shoqëruar me polemika të shumta në opinion, e posaçërisht në mes qeverisë dhe opozitës.

Në të kaluarën Kuvendi i Kosovës, thotë Ibrahim Rexhepi, asnjëherë nuk ka miratuar një vendim të qëndrueshëm, një vendim i cili në mënyrë decidive thotë se duhet të nis procesi i shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

“Kjo çështje është bërë përmes një Ligji për Buxhet që është një non- sens, në praktikën parlamentare të Kosovës, meqenëse privatizimet e ndërmarrjeve publike bëhen me vendimet të posaçme të parlamentit dhe jo me ndonjë nen në ndonjërin nga ligjet, e posaçërisht në ligjin për buxhet, i cili dihet se ka një qëndrueshmëri gjatë një viti fiskal dhe jo më gjatë”, thotë Rexhepi.

Në vitin 2011 privatizimi i PTK- së pat dështuar pas tërheqjes nga konkurrimi të Telekomit kroat.
XS
SM
MD
LG