Ndërlidhjet

logo-print

Papa që “shkatërroi” konventat

  • RFE /RL

Shenja e parë që Papa Françesku do të jetë ndryshe nga paraardhësit e tij ka qenë kur ka dalë në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, pas zgjedhjes së tij në muajin mars.

Papa 76-vjeçar kishte veshur një mantel të thjeshtë të bardhë dhe jo rrobat e mëndafshit.

Kjo modesti ka qenë një vrojtim se si papa i parë i Amerikës Latine do të pastrojë mykun e vënë nga papët e tjerë në gjashtë e muajt e parë të shërbesës së tij si lider i Kishës Katolike.

Si peshkop në Argjentinë, Françesku ka vizituar lagjet e varfra, është vozitur me autobus dhe ka zier ushqimet e veta.

Si papë, ai ka refuzuar zbukurimet luksoze të papatit, ka zgjedhur të vozitet me Ford Focus dhe jo me makinë speciale anti-plumb, jeton në një shtëpi të thjeshtë në Vatikan dhe jo në Pallatin Apostolik, bart vetë valixhet e tij dhe ka zëvendësuar karrigen e artë papnore me një të drurit.

Françesku përdor Twitter-in për t’iu bërë thirrje ndjekësve të tij që të ndihmojnë të varfrit.

Ai madje ngre telefonin dhe thërret njerëzit që i kanë dërguar letra, për t’iu thënë fjalë shprese dhe rehatie. Asnjëra prej këtyre nuk do të ishte e mjaftueshme për të veçuar Françeskun si papën më të thjeshtë dhe më të arritshëm në historinë moderne.

Por, ai ka diferencuar veten edhe më shumë për mënyrën se si ka përvetësuar njerëzit që për kohë të gjatë kanë qenë të margjinalizuar, dënuar apo të gjykuar ashpër nga Kisha Katolike, përfshirë homoseksualët dhe ateistët.

Për shumë, shembulli më befasues i këtij ndryshimi të tonit zyrtar të Kishës ka qenë komenti që ka bërë për gazetarët në aeroplanin e papatit, korrikun e kaluar.

Françesku është përgjigjur në pyetjen për pozicionin e tij për homoseksualët jo duke cituar doktrinën katolike se aktet homoseksuale janë “mëkat i madh”, por duke thënë:

Nëse një person është homoseksual, do Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë për ta gjykuar”.

Profesori i teologjisë, Thomas Groome, i cili udhëheq Departamentin e Edukimit Fetar në Universitetin e Bostonit, thotë se toni përqafues i Françeskut mund të ketë efekt të thellë.

Kisha ka ndikim të madh në cilësinë e jetës së njerëzve në gjithë planetin tonë. Andaj, ndryshimi i tonit të katolicizmit, siç po bën ai, nuk është vetëm në interes të katolikëve. Fqinjët e mi hebrenj trajtohen në mënyrë të barabartë dhe, në njëfarë mënyrë, ndikohen nga ndryshimi”, thotë Groome.

Historiani i Kishës Katolike, James Hitchcock, thotë se Françesku është aq i etur për të përhapur filozofinë e thjeshtë të Jezuit – degë e katolicizmit e cila thekson aktet e bamirësisë dhe drejtësinë sociale – saqë shpesh flet aty për aty, pa fjalime të përgatitura.

“Në të kaluarën, deklaratat do të shkruheshin me shumë kujdes. Do të mbikëqyreshin me siguri nga njerëz të ndryshëm për t’i përmirësuar ato. Ai ka një mënyrë më të lirë të veprimit”, thotë Hitchcock.

Kjo mungesë e frenimit ka qenë evidente në gatishmërinë e Françeskut për të dhënë një intervistë të gjatë për “La Civilta Cattolica”, revistë me seli në Romë, në të cilën ka folur hapur rreth asaj se si Kisha është “obsesionuar” me çështjet e abortit, martesave homoseksuale dhe të kontrollit të lindjes” dhe se “do të bie si shtëpi e letrave nëse nuk gjen një balancë të re”.

Groome, nga Universiteti i Bostonit, thotë se intervista ka konfirmuar ndjenjën në rritje se Françesku është “një frymë e re”.

Shumë gjëra që kemi parandjerë në fillim për të – shqetësimi i tij për të varfrit, këmbëngulja e tij që Kisha të mos jetë ndëshkuese por mëshiruese, që mëshira dhe dhembshuria të karakterizojnë Kishën e jo zbatimi i ligjeve të ngurta – janë konfirmuar në këtë intervistë”, thotë Groome.

Interesimi për intevistën e Françeskut ka qenë aq i madh, saqë redaktorët kanë hequr rubrikën e komenteve nga artikulli, thotë Timothy Reidy, redaktor përgjegjës i revistës katolike “America”, e cila ka publikuar versionin në anglisht.

Vëmendja pozitive e Papa Françeskut mund t’i ndihmojë jetës së re në një kishë, e cila si shumë të tjera, lufton me rënien e anëtarëve. Opozita e ngurtë e Romës për gjëra si kontraceptivët, është fajësuar pjesërisht për këtë.

Por, tre ekspertët katolikë, të intervistuar për këtë artikull, thonë se Papa Françesku ka folur vetëm për ndryshimin e fokusit të Kishës, jo për mësimet e saj bazike.

Historiani i Kishës, James Hitchcock, thotë:

“I afroj njerëzit me ndjenjën e keqardhjes dhe u them ‘e kuptoj nga vini dhe dua t’ju ndihmoj’ apo iu them ‘shikoni, ju keni probleme, më mirë sqaroni ato jashtë’? Është e qartë se ai nuk do të japë vulën e miratimit, nuk do të thotë se jeta e homoseksualëve është e pranueshme. Në pyetje janë mjetet se si t’i qaset më mirë kësaj”.

Mark Morozowich, dekan i Shkollës së Teologjisë dhe Studimeve Fetare në Universitetin Katolik të Uashingtonit, pajtohet.

“Mësimi i Kishës nuk do të ndryshojë në shumë aspekte. Por, ju keni një pastor që flet shumë qartë për mënyrën se si t’iu qaset njerëzve”, thotë Morozowich.

Në fakt, Françesku ka thënë në intervistën e tij se doktrina e Kishës për çështjet si martesa e homoseksualëve dhe kontrolli i lindjeve është “e qartë”. Dhe, një ditë pas publikimit të artikullit, ai ka denoncuar abortin në një fjalim për mjekët katolikë.

Megjithatë, Morozowich mendon se ky papë do të krijojë ndryshime pozitive dhe jo vetëm në Kishën Katolike. Françesku, sipas tij, jep shembull për të gjithë njerëzit “që të provojnë dhe jetojnë jetë të mirë” dhe të “ndërtojnë një botë ku ne njohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra”. (v.tela)
XS
SM
MD
LG