Ndërlidhjet

Analistët: Jetëgjatësia e qeverisë varet nga opozita


Qeveria e Kosovës ka humbur përkrahjen e shumicës së nevojshme në Kuvend dhe se jetëgjatësia e saj do të varet nga nismat për inicim apo jo të ngritjes së mocionit të mosbesimit, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, janë interesat edhe të opozitës ato që e mbajnë këtë koalicion qeverisës në pushtet, përndryshe, parashohin se pas plasaritjeve të fundit brenda PDK-së, kjo qeveri nuk do të mund të mbijetonte.

Profesori i çështjeve juridike-kushtetuese, Riza Smaka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë gjendje, vetëm një rikompozim i qeverisë duke e përforcuar atë me ndonjë subjekt të ri opozitar për t’i shtuar numrat në kuvend, do ta shpëtonte këtë qeveria nga rrëzimi.

Por, ai nuk beson që partitë opozitare do të tregohen të gatshme që t’i bashkohen një koalicioni të ri tani kur fillon faza e fundit e mandatit të qeverisë aktuale. Në çdo rrethanë, ai parasheh që zgjedhjet e parakohshme mund të jenë opsioni më real

Nëse fillohet të bëhet rikonfigurim, konstruktim të koalicionit aktual, prapë se prapë do të duhen zgjedhje sepse është shumë vështirë të bëhet kjo në këto rrethana. Partitë politike të caktuara opozitare nuk besoj që do të kishin pranuar të hynin në koalicion ngase edhe ashtu është kjo pjesa e fundit e mandatit si dhe ky ekzekutiv nuk është afirmuar me punë të efektshme që janë për t’u lavdëruar dhe ato më shumë do të humbin sesa do të fitonin në këtë rast”, tha Smaka.

Ndërkohë, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen e shumicës në Parlament që moti, por atë e ka ruajtur opozita dhe disa interesa të grupeve të caktuara përbrenda opozitës.

Kurse me plasaritjet e fundit përbrenda PDK-së, si partia më e madhe në pushtet, ai thotë se tashmë është vërtetuar se ky koalicion paraqet një qeveri të pakicës.

Mendoj se qeveria faktikisht mazhoranca parlamentare sot nuk ekziston në Kosovë, por sot kemi një strukturë qeverisëse e cila mbështetet më tepër në interesa të caktuara të grupeve politike edhe opozitare sesa një mazhorncë reale që mund ta ketë në Kuvendin e Kosovës”, thotë Selmanaj.

Në praktikë nuk do të kishte logjikë që edhe në mungesë të shumicës të vazhdohet me qeverisjen e vendit, thekson në vijim Driton Selamanaj.

Sipas tij, zgjidhja do të ishte që qeverisë t’i merret besimi, të shpartallohet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Nëse jo në këtë vjeshtë, një skenar i tillë do të jetë i pashmangshëm në pranverë, thekson Selmanaj.

Duke e ditur tashmë që edhe disa eksponentë të fuqishëm të PDK-së gati se janë pozicionuar në një bllok tjetër politik, atëherë pothuajse bëhet e pamundur që legjislativi të vazhdoj deri në fund sipas mandatit kushtetues. Gjithsesi që Kosova në mos sivjet, në vitin e ardhshëm do të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Selamaj.

Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë ligjvënës, por edhe nga i cili zgjidhen më pas si qeveria ashtu edhe presidenti i vendit.

Megjithatë, me shpartallimin e tij, në rast të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, profesori Riza Smaka nuk e sheh të domosdoshme edhe marrjen e mandatit presidentes aktuale Atifete Jahjaga.

Përkundrazi, ai mendon se mbajtja e postit të presidentes në rast të një krize institucionale do të ishte në interes të vendit.

Në rrethana të tilla le të mbetet një institucion, një adresë, sepse do të shkaktohej një krizë parlamentare e paparë, sidomos në rrethanat tona. Në këtë rast do të thotë statusi kushtetutar-juridik i presidentes është stabil dhe i padiskutueshëm”, vlerëson Smaka.

Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, qeveria nuk mund të ketë më pak sesa 61 vota të deputetëve.

Koalicioni aktual ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe pakicave, tani pas lëvizjeve të fundit brenda partisë më të madhe në pushtet, sipas analistëve, konsiderohet se nuk e arrin më këtë shifër.

Kështu që mbetet në duart e opozitës nëse do të vazhdojë të lejojë një qeverisje të pakicës apo do ta çojë vendin në zgjedhje të reja të parakohshme përmes mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Një skenar tjetër që e shpëton qeverinë nga rrëzimi është që koalicionit aktual t’i bashkohet edhe ndonjë nga subjektet aktuale opozitare me çka me automatizëm do të shtoheshin edhe votat në Kuvend.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG