Ndërlidhjet

Kroaci: Nga presioni i BE-së, ndryshon ligji për ekstradim


Komisionarja për drejtësi e Bashkimit Evropian Viviane Reding

Komisionarja për drejtësi e Bashkimit Evropian Viviane Reding

Ministri i drejtësisë i Kroacisë, Orsat Milenic, tha se në mënyrë të “shpejtë” dhe “pa kushte” do të amandamentohet ligji për ekstradim, duke iu nënshtruar kështu presionit nga Bashkimi Evropian.

Ministri Milenic mëtutje ka shpjeguar se ndryshimet do të jenë të plotfuqishme sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe jo më vonë se nga një janari i vitit të ardhshëm.

Këto komente ai i bëri në Bruksel, pas bisedimeve me komisionaren për drejtësi të BE-së, Vivane Reding.

Legjislacioni për ekstradim i Kroacisë është miratuar vetëm disa ditë para se ky vend të anëtarësohej në BE, më 1 korrik të këtij viti, dhe e kufizonte zbatimin e Mandat-arrestit evropian, për krimet e kryera pas 7 gushtit të vitit 2002.

Legjislacioni në formën origjinale, në mënyrë efektive i mbronte ata që janë të akuzuar për krime gjatë luftërave në Ballkan në vitet e 90-ta, që të mos ekstradohen për tu ballafaquar me procese gjyqësore.

Komisioni Evropian ka konsideruar se ligji ishte në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe kishte ndërmarrë hapa për sanksione kundër Kroacisë.
XS
SM
MD
LG