Ndërlidhjet

Përçarja e talibanëve pakistanezë zvogëlon gjasat për paqe


Tehrik-e-Taliban Pakistan
Tehrik-e-Taliban Pakistan
Autorë: Majeed Babar dhe Ron Synovitz

Islamabadi u ka bërë thirrje talibanëve pakistanezë që t’iu bashkohen bisedimeve të pakushtëzuara për paqe.

Kryeministri i ri, Nawaz Sharif, ka premtuar se do të gjejë mënyra për t’i dhënë fund gjakderdhjes së brendshme midis ushtrisë dhe militantëve islamikë.

Disa kontakte fillestare me negociatorët potencialë janë bërë, por Sharif ka paralajmëruar se mund të braktisë idenë, pas sulmeve vetëvrasëse në një kishë të krishterë të Peshawarit, në të cilat kanë humbur jetën 85 njerëz.

Përgjegjësinë për sulmet e 22 shtatorit e kanë marrë dy grupe të ndryshme ekstremiste, Jandullag dhe Jan-ul-Hafsa, të cilat i përkasin listës së gjatë të talibanëve pakistanezë.

Dikur nën ombrellën e Tehrik-e Taliban Pakistanit, talibanët pakistanezë kanë nisur të ndahen pas vrasjes së udhëheqësit të organizatës, Baitullah Mehsud, nga një sulm i telekomanduar i SHBA-së, më 2009.

Tehrik-e Taliban Pakistani, tani nën udhëheqje të Hakim Ullah Mehsud, mbetet një forcë e fuqishme në luftën kundër qeverisë.

Por, nuk është e qartë nëse organizata kontrollon aktivitetet e grupeve të tilla si Jand-ul-Hafsa, i cili është zotuar se do të vazhdojë të sulmojë të huajt dhe jomyslimanët në Pakistan për aq kohë sa të vazhdojnë sulmet e telekomanduara kundër kryengritësve.

Degë të njohura të talibanëve pakistanezë janë: Tehrik-e Taliban Suat, Tehrik-e Taliban Mehsud, Badar Mansoor, Al-Furqan, Al-Mukhtar, Al-Kharooj, Brigada Al-Azam, Tigrat Aziatikë, Al-Qital, Punjabi Mujahedin dhe Itihad-e-Mujahideen Khurasan.

Disa prej grupeve bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por është e paqartë se çfarë strukture komanduese ndajnë.

Gazetari Hamid Mir ka incizuar grupet që kanë refuzuar thirrjen e qeverisë për bisedime paqësore.

“Ka grupe të ndryshme midis tyre, të tilla si Molvi Fazal Ullah që vepron në Suat. Ai është kundër bisedimeve paqësore midis qeverisë dhe talibanëve. Tjetri është Umer Khalid nga zona fisnore Mohmand. Disa individë brenda agjencive të sigurisë së Pakistanit janë po ashtu kundër bisedimeve paqësore. Kur Hakim Ullah Mehsud ka thirrur Këshillin Taliban, për të diskutuar thirrjen e qeverisë për negociata, përfaqësuesit e këtyre grupeve kanë shprehur pakënaqësinë e tyre”, thotë Mir.

Rahimullah Yousafzai, gazetar i shquar pakistanez, i cili ka specializuar në militantizëm, thotë se nuk është e qartë se cilët liderë të grupeve talibane në Pakistan do të pajtoheshin me një marrëveshje të paqes, për t’iu dhënë fund sulmeve militante.

“Qeveria nuk e di madje numrin e saktë të grupeve militante në Pakistan. Ndonjëherë dëgjojmë se janë 70 ose 80 të tilla. Disa madje thonë se bëhet fjalë për 100. Por, asnjëri prej këtyre numrave apo informacioneve nuk është plotësisht i saktë”, thotë Yousafzai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Pakistanit, Omar Hameed, bën të ditur se Islamabadi ka ndaluar mbi 60 grupe militante në vend.

“Janë rreth 62 grupe militante të ndaluara. Tre nga to janë listuar, po ashtu, si grupe terroriste nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Të tjerët janë ndaluar nga Qeveria pakistaneze”, thotë Hameed.

Por, Mazhar Meshwani, zyrtar i lartë në Departamentin pakistanez për Hetimin e Krimeve, pranon se strukturat militante janë bërë aq të komplikuara saqë është vështirë të bëhen llogaritje të sakta.

“Numri i grupeve të ndaluara militante është 24, por këtu ka një problem. Kur një grup ndalohet nga qeveria, ai u jep jetë shumë degëve. Në këtë mënyrë, anëtarët e grupit të ndaluar ndahen në grupe më të vogla dhe kryejnë aktivitetet e tyre nën emra të rinj”, shpjegon Mashwani.

Gjeneral-lejtnanti i pensionuar, Hameed Gul, i cili ka udhëhequr shërbimin e inteligjencës së Pakistanit, thotë se talibanët pakistanezë janë ndarë në 30 grupe.
Prej tyre, Gul thotë se vetëm 25 kanë rënë dakord që të ulen në tryezën e bisedimeve me zyrtarët qeveritarë.

Por, krahas kryengritjes talibane dhe ekstremizmit islamik, Pakistani përballet me dhunë edhe nga katër drejtime të tjera: separatizmi, sektarizmi, përçarja etnike dhe militantizmi politik.(v.tela)
XS
SM
MD
LG