Ndërlidhjet

logo-print

Zotime për të ndriçuar vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it


Me intonimin e himnit të Lituanisë, në Aeroportin e Prishtinës, oficerë policie dhe doganierë të misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, nderuan kolegun e tyre të rënë në detyrë.

Është ditë zie për ta, derisa po përcjellin për në atdhe Audrius Senavicius, doganierin e vrarë të enjten e kaluar në afërsi të komunës së Zveçanit në veri të vendit.

Për të ngushëlluar familjen dhe kolegët e oficerit të vrarë, në aeroport ishte organizuar një ceremoni lamtumirëse, ku ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit.

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, i tha familjes se asnjë fjalë e tij nuk mund ta zbehë dhimbjen që ata kanë për humbjen e Audriusit.

“Por, për një gjë jam i sigurt dhe këtë mund t’ua premtoj se, nuk do të lëmë gur pa rrotulluar në përpjekjet tona për të sjellë autorin ose autorët para drejtësisë”, deklaroi Borchardt.

“Nuk mundemi dhe nuk do të lejojmë që krimi, dhuna dhe kërcënimet, të na zmbrapsin nga përmbushja e misionit tonë. Besoj se kjo do të ishte dëshira edhe e kolegut tonë të vrarë. Në këtë përpjekje tonë, ne qëndrojmë të bashkuar, Bashkimi Evropian, dhe të gjithë partnerët tanë, qëndrojmë fuqishëm prapa misionit evropian. Të gjitha palët kanë premtuar të gjithë përkrahjen për të gjetur autorët”, shtoi Borchhard.

Senavicius është pjesëtari i parë i EULEX-it, i cili bie në krye të detyrës prej se ky mision është instaluar në Kosovë, pas pavarësisë.

Ai u vra në një pritë, ku u sulmuan dy vetura të EULEX-it, teksa po ktheheshin nga pika kufitare në Jarinje për në jug të Mitrovicës.

Në sulmin ku mbeti vrari Senavicius, u lënduan edhe dy kolegë të tjerë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të mërkurën se vdekja e hershme e doganierit evropian, ishte një akt qyqar, që nuk do të kalojë pa ndëshkuar.

“Ky sulm është sulm mbi vlerat tona të përbashkëta! Nga forcat shkatërruese që duan ta ngufasin përparimin e Kosovës, që duan t’i përmbysin arritjet tona të shumta dhe që kanë për qëllim të mbjellin mosbesimin dhe frikën në zemrat e qytetarëve të Kosovës, që po përpiqen dhe po bëjnë sakrifica të mëdha për të transformuar shtetin tonë në një vend më të mirë”, tha Jahjaga.

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës ende nuk kanë arritur të identifikojnë numrin e saktë të personave që kanë shtënë në konvojin e automjeteve të doganierëve, ndërsa sulmin e kanë cilësuar si të planifikuar hollësisht.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Lituanisë në këtë ceremoni, Darius Gaidus, që shërben si ambasador në Sofje, tha se sulmi brutal që shkaktoi vdekjen e bashkëkombësit të tij, duhet zgjidhur shpejt.

“Nëna e tij, e cila është me ne këtu, familja e tij në atdhe dhe Qeveria e Lituanisë, po presin rezultatet të shpejta të hetimeve. Autoritetet kosovare si dhe bashkësia ndërkombëtare kanë një përgjegjësi të pamohueshme për këtë gjë, sikur edhe që të sigurojnë të gjitha masat e nevojshme dhe resurset, janë vënë në dispozicion për sigurinë e misionit ndërkombëtar dhe operacioneve të tij”, tha Gaidus.

Kjo ngjarje është përcjellë me reagime të ashpra nga institucionet e Kosovës, subjektet politike në vend dhe kori diplomatik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG