Ndërlidhjet

Maqedoni: Librat shkollorë të dëmtuar


Ilustrim
Ilustrim
Zgjatja e afatit të përdorimi të librave shkollore, të cilat i shpërndan falas Ministria e Arsimit e Maqedonisë për nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme, edhe për dy vite nga tre sa ishte paraparë, kualiteti i dobët si dhe pakujdesia e nxënësve ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e librave shkollorë të dëmtohen në atë masë sa të jenë të pashfrytëzueshme.

Drejtorët e shkollave, arsimtarët dhe nxënësit thonë se i janë mirënjohës dikasterit të arsimit për librat e siguruara falas, por alarmojnë se të njëjtat nuk kanë kapacitet të durojnë edhe dy vite shtesë për t'u përdorur nga nxënësit.

“Shumë nga librat thuajse tani janë bërë të papërdorshëm po edhe mundësia e blerjes është e vështirë, kështu që ne e kemi shumë rëndë t'i detyrojmë nxënësit t'i paguajnë librat e dëmtuar, dhe kështu mundohemi që në çdo mënyrë t'i rregullojmë ata. Do theksuar se në treg krejtësisht tjetër është dhe kualiteti i librave, që është shumë më i dobët se që ka qenë më parë”, thotë Kadri Agushi, drejtori i Shkollës Fillore të Çairit të Shkupit "Ismail Qemali".

Ai theksoi se afati real me kusht që të përdoren me kujdes librat është maksimum tre vjet.

Edhe nxënësit thonë se me përdorimin e pesë gjeneratave të librave të njëjtë, shumica e tyre janë grisur në atë masë sa janë të papërdorshëm.

“Shumica e nxënësve nuk i kanë të kompletuar librat, pra kemi arritur t`i sigurojmë gjysmat, sepse gjysma tjetër akoma kanë mbetur te nxënësit e gjeneratave të mëparshme, kështu që në mungesë të tyre shkojmë te shokët për t'i huazuar sa për të mësuar mësimet”, thotë Shkëndija, nxënëse e klasës së tetë.

Gjersa shoku i saj Iliri, thotë se meqë janë në gjendje të palexueshme, shumicën e huazon nga shokët, ato kopje që janë në gjendje më të mirë dhe i bën fotokopje, meqë në librari nuk mund të gjinden.

“Edhe vitin e kaluar meqë nuk kisha libra, i kam fotokopjuar tre-katër libra nga shokët”, thotë Iliri.

“Më shumë probleme kemi me librat e gjuhës shqipe, matematikën, historinë, të cilat janë shumë të grisura nga gjeneratat e kaluara dhe tani me to mësojmë ne”, thotë Sokoli, nxënës i klasës së tetë.

Problem në vete paraqet dhe vendimi i fundit i dikasterit të arsimit se materialet e punës aspak nuk janë element i obligueshëm në sistemin mësimor dhe prindërit nuk kanë kurrfarë obligim që të shpenzojnë mjete shtesë për t'i siguruar të njëjtat.

Ministri i Arsimit, Spiro Ristovski, është shprehur se nuk guxon asnjë mësimdhënës ose drejtor t'i obligojë prindërit të blejnë material shtesë mësimor, veçanërisht jo nga autorë konkretisht të sugjeruar.

“Do të ketë kontroll për keqpërdorimet që ndodhin në shkollat, gjegjësisht udhëzimin e qëllimshëm të prindërve që të furnizojnë materiale konkrete shtesë për punë, nga botues të përcaktuar, me përshkrim në kopertinë. Megjithatë ne nuk i ndalojmë fletoret e punës dhe materialet shtesë në kuadër të sistemit arsimor".

"Ajo është e drejtë individuale e çdo prindi. Çdo prind mund të përcaktojë nëse do të furnizojë material shtesë për nevojë shtëpiake, po për këtë nuk guxojnë t'i detyrojnë arsimtarët", ka deklaruar Ristovski.

Por me këtë nuk pajtohen arsimtarët, sipas të cilëve materialet shtesë kanë një rol shumë të rëndësishëm për organizimin e një ore më kualitative.

Qamil Imeri- arsimtar i gjeografisë, thotë se pikërisht Atlasi dhe hartat memece ndihmojnë në krijimin e një pasqyre më reale për lëndën që e ligjëron.

“Mendoj se përmes fletoreve të punës gjegjësisht teksteve plotësuese, harta memece siç është ajo që përdoret në gjeografi, apo mjetet tjera që përdoren në lëndën e matematikës apo kimisë, janë mjaft të dobishme për nxënësin".

"Mendoj se ata përmes këtyre teksteve arrijnë të kontrollojnë veten se sa realisht kanë mësuar, ku kanë mungesa, probleme apo vështirësi me të mësuarit. Andaj mendoj se aplikimi i tyre është i nevojshëm për t'u arritur një sukses i volitshëm", thotë Imeri.

Edhe drejtoresha e Shkollës Fillore "Hasan Prishtina", Luljeta Qazimi, thotë se për të ecur me trendet e vendeve të zhvilluara nuk mjafton që procesi mësimor të realizohet me një libër të vetëm, veçanërisht për klasat më të larta.

“Për ta rritur kualitetin e mësimit dhe cilësinë e procesit arsimor nuk është e mjaftueshme të përdoret vetëm teksti shkollor i cili sigurohet falas nga Ministria e Arsimit. Mendoj se ka shumë nevojë për tekste shkollore shtesë për lëndë të caktuara që nxënësit të mbërrijnë rezultate më të mëdha, dhe të arriturat e nxënësve të jenë në nivel më të lartë, gjegjësisht për të ngritur cilësinë e arsimit”, shprehet Qazimi.

Ndryshe, në vitin 2009, Qeveria vendosi që librat për arsimin e detyrueshëm, atë fillor dhe të mesëm të jepen falas, me atë që ekzemplarët e rinj të librave të botohen në çdo tre vjet por në mungesë të mjeteve ky afat u shty edhe për dy vite të tjera.
XS
SM
MD
LG