Ndërlidhjet

Protestë në veri kundër zgjedhjeve


Në veriun e Mitrovicës, të mërkurën është mbajtur protesta me moton “Stop zgjedhjeve separatiste”, e cila është organizuar nga përfaqësuesit e të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm i Krahinës autonome të Kosovës, i cili, pavarësisht kundërshtimeve të Beogradit zyrtar, ishte themeluar tre muaj më parë nga liderët lokalë në veri të vendit.

Këta të fundit, kanë porositur të mërkurën nga protesta se “zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, janë të papranueshme për ta, si dhe jo legjitime”.

Liderët serbë të katër komunave në veri, cilët e përfaqësojnë të ashtuquajturin Kuvend i përkohshëm, kanë kërkuar nga qytetarët që t’i bojkotojnë këto zgjedhje, ndërkaq, nga ministri serb pa portofol, Aleksandër Vulin, kanë kërkuar të japë dorëheqje.

Lideri i serbëve të veriut nga Zveçani, Dragisha Milloviq, u ka thënë qytetarëve, të cilët kishin dalë në protestë se ata nuk janë të obliguar të dalin në zgjedhje lokale të Kosovës dhe se ato, sipas tij, janë “jolegale, të ndaluara dhe i nënshtrohen përgjegjësisë penale”.

Ai ka theksuar se Beogradi po përpiqet t’i mashtrojë serbët e veriut për të dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

“Të gjitha rrëfimet për bashkësinë serbe se do të mund të jetojmë, se do të bëhet siç ka qenë më parë, janë fjalë të thata ose hedhje e pluhurit në sytë e këtij populli të vuajtur”, është shprehur Milloviq.

Edhe lideri tjetër i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, u ka thënë qytetarëve serbë të mbledhur, se Beogradi zyrtar i ka mashtruar dhe po i mashtron ata.

“Krejt çfarë kanë thënë kanë gënjyer. E kanë vënë kufirin dhe e kanë nënshkruar marrëveshjen e Brukselit, e cila nënkupton kapitullimin në Kosovë. Ata kanë gënjyer dhe do të gënjejnë për të gjitha që do t’i thonë. Duhet ta dini se në qoftë se dilni në zgjedhjet e shqiptarëve, do të ndodhë që të na shkurtohen financat, si për qeverisjen lokale, ashtu edhe për atë qendrore. Rreth 10 mijë serbë do të mbeten pa vende të punës. Do të mbetemi pa dokumente”, ka thënë Jakshiq.

Liderët serbë kanë kërkuar nga qytetarët që ditën e votimeve të mos dalin në vendvotime, por të shkojnë në kisha dhe manastire që të bëjnë lutje dhe rituale shpirtërore.

Protesta e së mërkurës e serbëve të veriut kundër zgjedhjeve të 3 nëntorit, ka nisur në orën 13: 30 dhe ka kaluar pa ndonjë incident, i cili do të rrezikonte sigurinë e përgjithshme.

Ndryshe nga protestat e deritashme në veri të Mitrovicës, ku mblidheshin numër i madh i protestuesve, kësaj radhe ata kanë qenë vetëm disa qindra, ndërkohë që edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk ka qenë e sforcuar.

Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë dhe kryetari serb, Tomisllav Nikolliq,tashmë u kanë bërë thirrje serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, pas të cilave do të duhej të formohej Bashkësia e komunave serbe.

Ata i kanë dhënë mbështetje Iniciativës qytetare serbe, e cila do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ashtu sikurse edhe një numër i subjekteve politike serbe dhe iniciativave qytetare.

Por, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë ritheksuar se Kushtetuta e Serbisë nuk e njeh “Bashkësinë e komunave serbe”, por se këtë term e njeh vetëm marrëveshja e Brukselit.

Për këtë shkak, sipas tyre, të gjitha aktet e autoriteteve shtetërore të Serbisë, të cilat merren në këtë drejtim, janë siç kanë thënë ata, “jolegale dhe të ndaluara”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG