Ndërlidhjet

Ku jetojnë njerëzit më të ndershëm në botë?


Ilustrim
Ilustrim
A do ta merrnit kuletën e mbushur me para që e keni gjetur në rrugë? Ose a do ta ktheni kuletën te pronari, identiteti i të cilit fshihet brenda saj?

Këto janë pyetjet në të cilat është përpjekur ta gjejë përgjigjen revista ndërkombëtare “Readers’s Digest” gjatë një eksperimenti aktual, duke i hedhur nga 12 kuleta në parqe, kalime të këmbësorëve, dhe afër qendrave tregtare, në 16 qytet në gjithë botën.

Në secilën kuletë ishin para të gatshme në vlerë prej 50 dollarësh amerikanë, por kuptohet në monedhë lokale, ndonjë lloj i fotografive personale dhe numri i telefonit.

Personeli i revistës e ka ndjekur situatën për së afërti për të parë nëse njerëzit, që i gjejnë kuletat, do të përpiqen t’i gjejnë edhe pronarët.

Revista ka konstatuar se kryeqyteti i Finlandës, Helsinki, e kishte numrin më të madh të njerëzve të ndershëm.

Njëmbëdhjetë prej 12 kuletave të hedhura në Helsinki, u kthyen prapa te “pronarët” e tyre.

Biznesmeni 27 vjeçar, Lasse Luomakioski, që e ktheu kuletën, shpjegon se “finlandezët janë të ndershëm në mënyrë natyrore”, sepse siç thekson ai, finlandezët janë “komunitet i vogël, i qetë, dhe logjik, me pak korrupsion dhe se finlandezët bile nuk kalojnë në dritën e kuqe kur i drejtojnë makinat”.

Qyteti ku njerëzit më së paku i kthyen kuletat ishte Lisbona e Portugalisë,ku vetëm një kuletë prej 12 sa ishin hedhur, ishte kthyer. Kjo kuletë e gjetur ishte kthyer nga një çift nga Holanda, që ishte për vizitë në Portugali.

Në përgjithësi, 47% e kuletave janë kthyer. Të tjerat, pra pak më tepër se gjysma, 53%, janë mbajtur nga njerëzit, që i kishin gjetur ato.

Catherine Haughney, redaktore e botimit të revistës Reader’s Digest në Britani, që e kreu eksperimentin në Londër, thotë se më i rëndësishëm është numri prej 47%, i njerëzve, që vepruan drejt.

“Me ekonominë e cila është në rrugën ku ndodhet aktualisht në shumë shtete, unë supozoj se ju pothuajse çuditeni se çfarë ndikimi ka kjo në vlerat etike të njerëzve. Por, ne e marrim atë si me të vërtetë tejet të rëndësishme, që shumë njerëz i kthyen kuletat”, thotë Catherine Haughney.

Moska është radhitur në vendin e gjashtë, me 7 kuleta të kthyera prej 12 sosh. Njëri nga njerëzit e ndershëm ishte oficeri i Ministrisë së situatave emergjente, Eduard Anitpin, i cili tha se prindërit e tij e kishin rritur atë për të qenë “një njeri i ndershëm dhe i mirë”.

Një moskovit tjetër, që e thirri numrin e telefonit të gjetur në kuletë, tha se “beson se njerëzit duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin, dhe nëse unë mund ta bëjë dikë pak më të lumtur, unë do ta bëja këtë”.

Në Varshavë të Polonisë, u kthyen pesë kuleta. Marlena Kaminska, bioteknologe, 28 vjeçare, e ka gjetur njërën nga kuletat në Varshavë, por nuk ka thirrur me telefon menjëherë. Ajo i tha revistës se disa nga kolegët e saj në punë i kishin thënë që të “mos mërzitet duke e kërkuar pronarin”, por ndërgjegjja e saj e detyroi atë që të veprojë ndryshe.

Redaktorja e revistës, Catherine Haughney, kështu e komenton këtë rast.

“Ne e kishim një femër nga Polonia, e cila e mori kuletën, por nuk dinte se çka të bënte me të. Ajo foli me shefin e saj, i cili është po ashtu nga Polonia, dhe ai i tha direkt se duhet ta kthente atë kuletë, meqë ju nuk dini asgjë për rrethanat. Kjo do të thotë se diçka që nuk është e juaja duhet të kthehet te pronari i vërtetë”, tha Catherine Haughney.

Në Londër ishin kthyer pesë kuleta, nga 12 sa ishin hedhur.

Rezultatet kanë treguar se mosha dhe gjinia nuk ishte e rëndësishme.

Të shtatë kuletat e pakthyera në Poloni ishin marrë nga femrat.

Por, të rinjtë në Nju Jork, që e kishin parë një fotografi familjare brenda kuletës, vendosën ta thirrin numrin e telefonit për ta gjetur pronarin, por të rinjtë e Pragës në Çeki, nuk e kishin bërë këtë.

Një gjyshe 73 vjeçare në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, ku ishin kthyer katër kuleta, tha se e kishte thirrur numrin e telefonit brenda kuletës, pasi kuleta nuk ishte e saj. Por, një femër më se 60 vjeçare në Varshavë, e shikoi përbërjen e kuletës, dhe u zhduk brenda ndërtesës së bashku me kuletë.

Mund të jetë e rëndësishme se aty ku u treguan rezultatet më të mira, në Finlandë, ku ishte “qyteti më i ndershëm”, me ekonomi në rritje dhe papunësi 7.3%.

Por, në Portugali, ku ishte qyteti me vlerësimin “më së paku i ndershëm”, ekonomia është në rënie gjatë tri viteve të fundit, ndërsa papunësia është 17.5%.

Derisa eksperimenti i ka zbuluar shkaqet që i shtyjnë njerëzit t’i kthejnë kuletat e gjetura, në të nuk thuhet se për çfarë arsye ata që i mbajtën kuletat, e kanë bërë këtë.

Shtrohet pyetja, për shembull, përse në Lubjanë të Sllovenisë, njeriu me moshë 50 vjeçare, që e gjeti kuletën në rrugë, filloi t’i sjellë numrat e telefonit, me gjasë e ka thirrë policinë, por pastaj u ndal, e mori kuletën dhe e vazhdoi rrugën me veturën e tij të shtrenjtë?

Daniel Ariely, ekspert për psikologji dhe sjellje ekonomike në Universitetin Duke të Karolinës Veriore në Shtetet e Bashkuara, thotë se për të kjo është pyetja më interesante.

Mënyra më e thjeshtë për t’i lexuar studimet e këtilla është nëse thuhet , në rregull, ekzistojnë njerëz me të vërtetë të mirë dhe disa njerëz të këqij. Realiteti është ai se ne nuk e kemi gjetur atë. Ne kemi gjetur se shumë njerëz të mirë, janë të aftë të bëjnë të gjitha llojet e gjërave të tmerrshme. Është vetëm pyetja për atë se cili është ambienti i veçantë që e lehtëson këtë”, thotë psikologu Ariely.

Pra, sipas kësaj përfundimisht, mund të thuhet se ndoshta të gjithë njerëzit janë të aftë për jondershmëri.

Por, Catherine Haughney, nga revista Reader’s Digest, preferon një shpjegim më të thjeshtë.

“Ekzistojnë njerëz të ndershëm, që e gjejnë kuletën dhe dëshirojnë ta gjejnë pronarin e saj, që është vërtetë ndjenjë e kënaqësisë”, thotë Haughney. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG