Ndërlidhjet

Maqedoni: Mbyllje gazetash në shenjë proteste


Ilustrim

Ilustrim

Pas gazetës “Zhurnal plus“, edhe e përditshmja tjetër në gjuhën shqipe “Lajm“ nuk ka dalë në shitje në shenjë solidarizimi me redaksinë e gazetës “Zhurnal“, e cila ndërpreu botimin për shkak të siç thuhet “injorimit të kërkesave të saj nga ana e institucioneve për ndarjen e barabartë të mjeteve buxhetore për reklamim në mediat e shtypura“.

Botuesi i gazetës “Lajm“, Fejzi Hajdari, thotë se solidarizohet me koleget e gazetës tjetër, për shkak të, siç thekson ai, vazhdimin të presionit nga ana e shtetit për ngulfaten e fjalës së lirë

Ne dëshirojmë në një farë mënyrë të alarmojmë edhe faktorin ndërkombëtar në Maqedoni për gjendjen e vështirë të mediave të pavarura sepse pas gjithë këtyre viteve presione të vazhdueshme, shoqëria e këtushme ka humbur një pjesë të madhe të kapaciteteve për të mbrojtur fjalën e lirë".

"Gazeta 'Lajm', ka mbetur e vetmja gazetë e pavarur shqiptare këtu në Maqedoni, por edhe nga ato në gjuhën maqedonase, dhe nuk është çudi që tani të gjithë përpjekjet e institucioneve për heshtjen e fjalës së lirë të fokusohen edhe kundër nesh që të na detyrojnë që të mbyllemi“, thotë Hajdari.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë në situatën e krijuar dhe t'ua rikujtojë autoriteteve të Maqedonisë se garantimi i fjalës së lirë dhe i trajtimit të barabartë të të gjitha mediave, është një nga kushtet kryesore për integrim në NATO dhe BE.

Një nga arsyet kryesore që kishin çuar në mbylljen e gazetës “Zhurnal plus“, janë aspektet financiare, apo siç theksojnë, anashkalimin e mediave nga ndarja e buxhetit qeveritar për reklamim.

“Mediave shqiptare nuk u doli në ndihmë as edhe Marrëveshja e Ohrit e firmosur nga vetë subjektet shqiptare, pasi ato janë larg 25 përqindëshit, aq sa janë sipas regjistrimit të fundit...Shqetësues është fakti se edhe pas 20 viteve demokraci, në vend se liria e mediave të shkojë gradualisht duke u zgjeruar, ashiqare po ndodh procesi retrograd“, thuhet veç tjerash në arsyetimin për mbylljen e gazetës ku në veçanti kritikohet BDI-ja.

Edhe botuesi i gazetës “Lajm“, Hajdari apostrofon aspektet financiare që pengojnë mbarëvajtjen e punës së mediave.

Duke e ditur se burim i vetëm i ekzistencës së mediave të këtushme janë mjetet të cilat ndahen për fushatat reklamuese, për shpalljet e ndryshme të institucioneve qeveritare, ato lehtë e kanë që ti kontrollojnë këto mjete dhe me një shtypje butoni t'ju jepet urdhër institucioneve, siç është ministria financiare që neve të mos na lëshojnë mjetet".

"Neve na kanë borxh 150 mijë euro ndërsa nga ana tjetër përmes drejtorisë së të Ardhurave publike na bëjnë presion që të paguajmë takimet. Ky është mekanizimi të cilin e përdorë qeveria për të kontrolluar mediat“
, thotë botuesi i gazetës “Lajm“, Fejzi Hajdari.

Por, nga qeveria hedhin poshtë pretendimet e tilla duke thënë se ekzekutivi është i përkushtuar për respektimin e fjalës së lirë dhe të pavarësisë së mediave.

“Qeveria mbetet e angazhuar për garantimin e fjalës së lirë dhe të punës së pavarur të mediave në përputhje të plotë me rregullativën ligjore dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu qeveria nuk bën dallime sa i përket ndarjes së mjeteve për reklamim të aktiviteteve të dikastereve të saj në mediat e shtypura dhe elektronike, përfshirë këtu edhe mediat në gjuhën shqipe, të cilat marrin pjesën e tyre të mjeteve buxhetore“, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë nga zyra e shtypit dhe e marrëdhënieve me opinionin e Qeverisë së Maqedonisë.

Polemikat mes mediave dhe qeverisë vijnë në momentin kur në procedurë parlamentare ndodhen për miratim dy ligjet për mediat, që tani një kohë të gjatë kanë shkaktuar polemika të shumta në opinion, për shkak të vlerësimit të shoqatave të mediave se me to qeveria do të vendos përfundimisht kontrollin mbi mediat, dhe qëndrimit të kundërt të ekzekutivit, se propozimet e saj synojnë rregullimin punës së mediave sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG