Ndërlidhjet

Palët nënshkruese të Kontratës Kolektive, vazhdimisht po kërkojnë nga ekzekutivi që të nënshkruajë këtë dokument.

Që nga viti i kaluar, Këshilli Ekonomiko - Social ka dërguar draft propozimin për nënshkrimin e Kontratës Kolektive, te Ministria e Financave, por sipas tyre, ky dokument ende po qëndron në sirtarët e kësaj ministrie.

Palët nënshkruese të kësaj kontrate janë Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Kjo kontratë është një akt juridik, formal, i cili rregullon raportet ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Ali Dragusha, anëtar i Këshillit Ekonomiko - Social, për Radio Evropa e Lire thotë se në mungesë të disponimit për të nënshkruar këtë dokument, autoritetet kompetente japin arsyetime të ndryshme, që sipas tij janë të paqëndrueshme.

“Arsyetimi i qeverise është çështja e mbulesës financiare, që ne absolutisht dyshojmë në të. Sepse qeveria asnjëherë nuk ka qenë e gatshme të dalë me të dhëna ta sakta se sa do të kushtojë ajo kontratë, por vetëm thuhet se ka faturë të lartë financiare dhe nuk mund të përmbushet. Janë disa arsyetime tjera të paqëndrueshme, gjoja se kanë reagime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore”, thotë Dragusha.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, më herët kanë thënë se kostoja financiare e kësaj kontrate, mund të arrijë rreth 60 milionë euro.

Kosova është vendi i vetëm në rajon e cila nuk ka Kontratë Kolektive, thotë kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Haxhi Arifi.

Mosekzistimi i kësaj kontrate dëmton interesat e punëtorëve, thotë Arifi, pasi kjo marrëveshje përmirëson raportet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve.

“Është koha që qeveria të caktojë një datë që të nënshkruhet Kontrata Kolektive në nivel nacional. Kontrata i duhet punëtorisë kosovare, sepse në mungesë të saj, ndëshkohen punëtorët", shprehet Arifi.

Edhe Dragusha, thotë se qeveria duhet të caktojë një datë për nënshkrimin e marrëveshjes, sepse ai konsideron se Kontrata Kolektive është me e avancuar se sa Ligji i punës, dhe nevoja për një dokument të tillë është shumë e madhe.

"Kjo është një lojë për të fituar në kohë. Dhe unë personalisht, si anëtar i Këshillit Ekonomiko – Social, dyshoj që qeveria mund të caktojë një datë para mbajtjes së zgjedhjeve, me qëllim të përfitimit të bazës politike”, vlerëson Dragusha.

Ndryshe, kontrata e përgjithshme kolektive përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG