Ndërlidhjet

Kopshti zoologjik i Galaksisë


Zoo Galaxy
Zoo Galaxy
Teleskopët e ndryshëm mundësojnë që të shohim thellë në kohë e hapësirë. Mirëpo, në planetin Tokë, dita është vetëm 24orëshe. Ky është problemi, me të cilin përballen rregullisht shkencëtarët, pasi sasia e pamjeve që kanë marrë përmes teleskopëve, ka qenë tejet e madhe për t’i organizuar si duhet.

Një ekip i shkencëtarëve është duke u marrë me problemin duke angazhuar shumë njerëz dhe duke përdorur internetin që të arrijnë për të sqaruar sasinë e panumërt të universit.

Rezultati i arritur është realizimi i një projekti që është emërtuar “Galaxy Zoo”, një projekt ky që e përcakton katalogun e qiellit. Projekti është në përfundim të fazës së dytë.

Lucy Forston, profesoreshë e Fizikës dhe Astronomisë në Universitetin e Minesotas, është një nga udhëheqëset e projektit.

"Galaksitë ndahen në dy grupe kryesore morfologjike apo forma, në atë spirale dhe atë eliptik. Kompleksiteti i atyre formave e bën të vështirë për algoritmet e makinerive dhe kompjuterëve që të jenë në gjendje të shfaqin dallimet. Algoritmi më i mirë i makinerive që ne e kemi për të bërë dallimin në mes të këtyre formave, në fakt, është truri njerëzor. Studentë të Oksfordit (që po punonin një kohë të gjatë në këtë ide) dhe mbikëqyrësi i tyre një ditë prej ditëve, të ulur në bar mendonin nëse e postojnë këtë në ueb, a thua njerëzit do t’i bashkoheshin dhe të klasifikonin galaksitë?”, thotë profesoresha Forston.

Përgjigja në këtë pyetje ishte “Po”. Faza e parë e projektit, e kryer në vitin 2009, pyeste vullnetarët e interesuar nga e gjithë bota që të ndihmojnë në klasifikimin e rreth 1 milion galaksive nga universi i afërt në forma bazike.

Në këtë rast nuk kërkohej njohuri shkencore. Sytë, interesi dhe mundësia që të regjistrohesh në faqen e internetit galaxyzoo.org, ishin të gjitha gjërat që të duheshin.

Suksesi ishte aq i madh, sa që, sipas Forston, pjesëmarrësit kërkonin më shumë punë. Shkencëtarët ishin të lumtur që t’iu gjejnë atyre më shumë punë. Tani ata kanë publikuar të gjeturat e “Galaxy Zoo 2”, kulmi i rreth 16 milionë klasifikimeve të bëra nga 83 mijë entuziastë.

Projekti përfshinte 300 mijë galaksi me fotografitë më të qarta, ndërsa vullnetarët janë pyetur jo vetëm që të përshkruajnë formën e tyre bazike, por gjithashtu të ofrojnë përshkrime më të detajuara: Nëse galaksitë kanë spirale, sa “duar” në formë spiralesh kanë ato? etj.

Rezultati i arritur është 10 herë më i madh se sa çdo përpjekje tjetër e bërë deri më tash. Këto të dhëna do t’i ndihmojnë shkencëtarët që të merren me çfarëdo çështje.

"Një nga çështjet kryesore që njerëzit po mundohen ta kuptojnë është, ‘si është zhvilluar universi ynë? Si kemi arritur këtu ku jemi? Një aspekt i kësaj është që të kuptohet si janë krijuar galaksitë. Ne e dimë që nëse themi personaliteti i një galaksie formohet nga historia e saj, dhe kjo histori shkruhet në morfologjinë e saj”, thotë më tutje udhëheqësja e projektit, Forston.

Hapi tjetër, sipas saj, është që vullnetarët të klasifikojnë fotografitë e teleskopit Hubble nga lindja e universit.(a.haraqija)
XS
SM
MD
LG