Ndërlidhjet

Raka: Kosova, prin në Evropë në përdorimin e antibiotikëve injeksione


Ilustrim

Ilustrim

Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI. E Kosova, me përdorimin e injeksioneve të cef-reaksionit - grup i antibiotikësh, e ka vendin e parë në Evropë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Raka, sa përdoret antibiotiku në Kosovë?


LUL RAKA
Shkalla e përdorimit të antibiotikëve në Kosovë është e lartë. Sipas hulumtimeve të fundit që i kemi bërë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, bashkë me të gjitha shtet e rajonit dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, të dhënat kanë dalë se Kosova, në shkallën e përgjithshme të përdorimit të antibiotikëve, e ka vendin e dhjetë në Evropë.

Ndërkaq, prijnë Turqia, Greqia, Mali i Zi me përdorim të antibiotikëve, kurse prej shteteve të BE-së, Belgjika ka shkallën e lartë të përdorimit të antibiotikëve, kurse me disa kategori të përdorimit të antibiotikëve ne jemi edhe më lart në pozitë.

Për shembull, Cefalosporinat, janë një grup antibiotikësh mjaft i popullarizuar edhe në Kosovë. Me këtë antibiotik, në jemi në vendin e gjashtë në Evropë. Kurse, me përdorimin parentieral, domethënë me injeksione të cef-reaksionit, po ashtu një grup i antibiotikëve të Cefalosporinave, ne e kemi vendin e parë në Evropë.

Këto shifra që janë mbledhur, flasin për shkallën e lartë të përdorimit, si në kujdesin parësor, ashtu edhe në spital, sepse në bazë të të dhënave të fundit të mbledhura në kuadër të një projekti të përbashkët me Bashkimin Evropian për përdorimin e antibiotikëve nëpër spitalet e Kosovës, del se në kategorinë e personave nën 18 vjeç, shkalla e përdorimit të antibiotikëve në 7 spitalet e Kosovës që i kemi bërë matjet, është diku 67 për qind, ndërkaq mesatarja në BE është 34- 35 për qind.

Domethënë, ne e kemi dyfishin e përdorimit të antibiotikëve te fëmijët nëpër spitalet e Kosovës, e të njëjtën kohë shkalla e shfrytëzueshmërisë së shtretërve në spitalet tona, është dyfish më e ulët se sa mesatarja e shfrytëzueshmërisë në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se është i dëmshëm përdorimi i antibiotikëve?

Lul Raka, mikrobiolog

Lul Raka, mikrobiolog

LUL RAKA
Përdorimi i panevojshëm dhe i pakontrolluar i antibiotikëve është jashtëzakonisht i dëmshëm. Ky është faktori kryesor që ndikon në shfaqjen e rezistencës ndaj antibiotikëve. Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI.

Edhe pse për shembull infeksionet nga gripi marrin më tepër vëmendjen e mediave, ky është vrasësi i fshehtë - rezistenca ndaj antibiotikëve. Pse? Sepse kjo do të thotë se terapia që i japin pacientit, nuk po ka efekt, nuk funksionon, e nëse nuk funksionon, sidomos në kujdesin spitalor, atëherë në pjesën më të madhe të rasteve përfundon në mënyrë fatale.

Do të thotë ky është problem global sepse e rrit shkallën e sëmundjes, e rrit shkallën e vdekshmërisë e rrit edhe koston e mjekimit, sidomos për vendin tonë, sepse e dimë që Kosova ende nuk ka sigurim shëndetësor. Përveç që ndikon drejtpërdrejt në rezistencë, kjo ndikon edhe në xhepin e pacientëve tanë, sepse ata antibiotikë duhet t’i paguajnë vetë.

Ka edhe faktorë tjerë, por ky është faktori kryesor që e nxit, e provokon shkallën e rezistencës ndaj antibiotikëve.


RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh që përdorimi i antibiotikëve është i rrezikshëm, sa është e dëmshme shitja pa recetë nëpër barnatore?


LUL RAKA
Kjo reflekton shumëfish. Problemi kryesor në Kosovë është vetë mjekimi i pacientëve. Një pjesë e popullatës sonë nuk e konsultojnë fare mjekun dhe shkojnë në barnatore dhe marrin antibiotikë pa recetë, pa përshkrim të mjekut. Ky është problem shumë i madh, të njëjtin problem e kanë edhe shtetet e rajonit. Ky është elementi kryesor.

Mandej është edhe shkalla e vetëdijesimit edhe e mjekëve, edhe e farmacistëve, por edhe e vendimmarrësve, politikanëve, sepse të gjithë kanë nevojë për një vetëdijesim, përfshirë këtu edhe vetë popullatën, vetëdijesimin e tyre që antibiotikët nuk kanë nevojë të përdoren në ato raste kur s’kanë kurrfarë efekti.

Për shembull, te fëmijët, personat që kanë grip (flamë, rrufë) nuk kanë nevojë të marrin antibiotikë, sepse antibiotikët nuk kanë kurrfarë veprimi në ato raste dhe në këto dy kategori të sëmundjeve bëhet keqpërdorimi më i madh dhe dëmi është i shumëfishtë.

Edhe këtu nevojitet një qasje interdisiplinare për të adresuar këtë problem, ne e kemi adresuar edhe institucionalisht. Ministria e Shëndetësisë e ka një program, strategji dhe plan të veprimit për parandalimin e shfaqjes së shtangieve rezidente. Në disa fushëveprime janë arritur rezultate shumë të mira siç është mbikëqyrja në kuadër të projektit me BE-në, fuqizimi i kapaciteteve laboratorike për detektimin e gjeneve të rezistencës, të cilat mostra më parë i kemi dërguar jashtë në Suedi e Danimarkë, kurse tash i bëjmë vetë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Mirëpo në disa fusha nuk kemi arritur të kemi impakt të duhur, për shembull nuk kemi arritur të ndalojmë shitjen e antibiotikëve pa recetë të mjekut!


RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë çka është bërë në mënyrë institucionale, përveç këtyre që i përmendët?


LUL RAKA
Këto kanë qenë elementet kryesore që janë bërë, domethënë mbikëqyrja, sepse pa i pasur rezultatet, ne nuk mund të intervenojmë. Ne hapin e parë e kemi bërë me projektin e BE-së. I kemi rezultatet, e dimë saktësisht ku çalojmë edhe tash do ta bëjmë intervenimin e dytë.

Në fazën e dytë është fuqizimi i mbikëqyrjes edhe në sektorin e Veterinarisë, sepse është një element i rëndësishëm. Rreth 50 për qind e antibiotikëve që janë prodhuar në botë sot, përdoren në veterinari, ato përdoren për mjekimin e kafshëve, por shpesh jepen i si promotor të rritjes te kafshët, ato ndikojnë në mënyrë indirekte edhe në popullacionin njerëzor.

Në kohën e globalizmit nëse kemi një infeksion me mikroorganizëm rezistent, atëherë mund ta përhapë qoftë njeriu, qoftë nëpërmjet ushqimit, në katër anët e botës, dhe anasjelltas, nga katër anët e botës mund të vijnë në Kosovë – qoftë me njerëz me mikroorganizma rezistent, apo ai ushqim që është i kontaminuar me mikroorganizma që shkaktojnë rezistencën.

Element tjetër që duhet parë, është fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, sepse kjo është sfidë globale, por që kërkon bashkëpunim edhe në rajon edhe kontinental edhe hulumtime shkencore, por që do të jenë aplikative, që do të japin përgjigje për problematikën që ekziston në këtë fushë. Në këtë fushë ka elemente pozitive, ka bashkëpunim rajonal, ka publikime shkencore aplikative të cilat na e trasojnë rrugën për të përmirësuar gjendjen.

Ky është një proces, e kam thënë edhe më herët, nuk është sprint, kjo disiplinë, kjo sfidë është maratonë, është proces që do të zgjasë dhe kërkon kohë. Mirëpo, këtu është me rëndësi që secili të kryejë detyrën e vet, secili të ndihmojë, sepse është proces zinxhir duke filluar prej personit që e përdor antibiotikun, mjekut që e përshkruan, farmacistit që e shet, institucionet shëndetësore, të cilat kanë po ashtu rol të rëndësishëm.

Pastaj, është industria farmaceutike që është një komponentë shumë e rëndësishme në këtë fushë, është pjesa akademike, vetëdijesim i studentëve dhe mjekëve dhe në fund edhe mediat, të cilat kanë rol të jashtëzakonshëm në promovimin e mesazhit pozitiv të përdorimit të antibiotikut në rastet e veçanta kur duhet të përdoret, jo të përdoret pa nevojë.


RADIO EVROPA E LIRË
Së fundmi është mbajtur edhe një punëtori për përdorimi ne antibiotikëve. A mund të na thoni se cilat kanë qenë rezultatet?


LUL RAKA
Kjo punëtori është organizuar në kuadër të projektit që e kemi me BE-në. Ka qenë një takim ku janë përfshirë mikrobiologët nga BE-ja dhe ata të rajonit. Ka pasur pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Qëllimi i këtij simpoziumi ka qenë fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, analizimi i situatës epidemiologjike me përdorim të antibiotikëve edhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë për adresimin e rezistencës antibiotike.

Po ashtu, ka pasur edhe sesionin praktik, ushtrime praktike laboratorike që janë mbajtur në ISHKP për pjesëmarrësit nga shtetet e ndryshme për të standardizuar metodologjinë e identifikimit të izolateve bakterore që janë rezidente në terapi.


RADIO EVROPA E LIRË
Mesazhi juaj për popullatën lidhur me përdorimin e antibiotikëve?


LUL RAKA
Mesazhi kryesor për popullatën do të ishte që, mos merrni antibiotikë pa recetë të mjekut! Në qoftë se keni grip, flamë, mos përdorni antibiotikë, sepse s’kanë kurrfarë efekti. Në qoftë se mjeku juaj ka përshkruar antibiotikun, sepse keni nevojë meqë në disa raste duhet patjetër ta merrni, atëherë merreni ashtu siç ua ka përshkruar mjeku, në qoftë se ua ka përshkruar një javë, përdoreni komplet një dhe mos e ndërpritni që në ditën e dytë e të tretën siç ndodh shpesh te ne.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG