Ndërlidhjet

logo-print

Bisedë historike ndërmjet SHBA-së dhe Iranit

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Barack Obama, duke biseduar në telefon me presidentin iranian Hassan Rouhani, 27 shtator 2013.

Presidenti amerikan, Barack Obama, duke biseduar në telefon me presidentin iranian Hassan Rouhani, 27 shtator 2013.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se ka folur në telefon me presidentin iranian, Hassan Rohani. Kjo është biseda e parë midis udhëheqësve amerikanë dhe iranianë në më shumë se 30 vjet.

“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat përpara. Fakti se kjo telefonatë është komunikimi i parë midis presidentit amerikan dhe iranian qysh në vitin 1979, nënvizon mosbesimin e thellë midis dy vendeve tona, por po ashtu tregon perspektivën për të lëvizur përtej kësaj historie të vështirë”, ka deklaruar Obama.

Ai, po ashtu, ka shfaqur besimin se Shtetet e Bashkuara dhe Irani mund të arrijnë zgjidhje gjithëpërfshirëse për programin bërthamor të Republikës Islamike.

“Besoj se ka bazë për një rezolutë. Udhëheqësi suprem i Iranit ka lëshuar një dekret kundër zhvillimit të armëve bërthamore, presidenti Rohani ka dhënë indikacione se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore…”, është shprehur Obama.

Ai ka bërë të ditur se, së bashku me Rohanin, kanë udhëzuar ekipet e tyre që të punojnë për një marrëveshje.

Rohani ka shkruar në Twitter se në fund të bisedës, ai i ka thënë Obamës “Paç një ditë të mirë!”, ndërsa ai i është përgjigjur “Faleminderit! Khodahafez!” – që do të thotë lamtumirë.

Me kthimin e tij në nga Nju Jorku, ku ka marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rohani në Teheran është pritur nga mbështetës dhe kundërshtarë të tij.

Këta të fundit kanë hedhur këpucë dhe ve në drejtim të konvojit të tij, ndërsa mbështetësit e kanë falënderuar për “deklaratat e zbutura” që ka bërë në Nju Jork.
Rohani, i cili ka marrë detyrën muajin e kaluar, ka thënë në Nju Jork se bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera do të sjellin rezultate të prekshme sa i përket programit bërthamor të Iranit.

Rohani është zotuar se do të ulë tensionet bërthamore, ndërsa zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë deklaruar se kanë parë shenja inkurajuese nga Teherani.

Irani ka mohuar vazhdimisht akuzat e Perëndimit se programi i tij bërthamor ka për qëllim krijimin e armës atomike.(v.tela)
XS
SM
MD
LG