Ndërlidhjet

logo-print

Borxh apo shpërblim për mësimdhënësit e paraluftës?


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Deri në fund të këtij viti, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të dërgojë në Qeveri Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, që nga viti shkollor 1990 -1999.

Me këtë ligj do të shpaguhet puna e mësimdhënësve për atë periudhë, por kjo do të ndodhë në kohën kur pensionohen ata, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Ragip Gjoshi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit sqaron se me këtë projektligj do të shpaguhen të gjithë udhëheqësit e atëhershëm të arsimit, mësimdhënësit, pronarët që atë kohë kanë lëshuar shtëpitë e tyre që të shfrytëzohen për mësim dhe punëtorët teknik dhe shërbyes.

“Në grupin e parë bën pjesë e gjithë udhëheqja e atëhershme, ish-Ministria e arsimit, sekretariatet komunale të arsimit, drejtorët e drejtorive komunale. Është menduar që kjo kategori të kompensohet, në momentin kur pensionohen, do të ndodhë, e jo më herët. Çdo pensionist do të marrë një pagë e gjysme të pagës së garantuar në Republikën e Kosovës".

"Ndërkaq, mësimdhënësit që konsiderohen që janë 22 mijë, do të marrin një pagë të plotë të pagës së garantuar si pension dhe jo këto pensione nënçmuese që janë tani”
, bën të ditur Gjoshi.

Kurse , pronarët e shtëpive, që llogariten të jenë 3200, do të gëzojnë një pagë të plotë me rastin e pensionimit, ndërkaq 80 për qind të pagës minimale do të gëzojnë punëtorët teknik dhe shërbyes.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të arsimit, këtë projektligj e konsiderojnë si shpagim të borxhit që autoritetet kanë ndaj mësimdhënësve të kohës së para luftës, por shuma e ndarë është e pamjaftueshme.

Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës, i cili njëherësh ka qenë udhëheqës i projektit për fillimin e mësimit në shtëpi, thotë se të gjitha qeveritë e deritashme dhe kjo aktuale, i kanë borxh të madh punëtorëve të arsimit të asaj kohe. Ndërkaq, vendimin e fundit të MASHT-it, e quan shpërblim të pamjaftueshëm dhe të parëndësishëm.

"Problemi është këtu. Kjo qeveri nuk do të zgjidhë problemet faktike të punëtorëve të arsimit, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ditën e sotme. Vlerësoj se kjo përpjekje për t’i justifikuar, ndoshta edhe një fushatë parazgjedhore, që arsimtarët përsëri t'i shërbejnë për manipulim”, vlerëson Halimi.

Profesori Hajzer Smajli, konsideron se mundi dhe sakrifica e arsimtarëve të asaj kohe nuk mund të shpaguhet apo kompensohet. Në rrethanat e atëhershme ka qenë obligim dhe vullnet i secilit arsimtar që vetëm të mbijetojë shkolla shqipe, pa marrë parasysh interesin personal.

Ndërkaq, vendimin e konsideron të arsyeshëm jo për mjetet materiale, por si një respekt dhe vlerësim që u bëhet punëtorëve të asaj periudhe.

Megjithatë, ai dyshon se kjo edhe mund të jetë në kuadër të fushatës parazgjedhore.

“Ky mund nuk shpaguhet, sepse kemi punuar edhe pa para. Ndërsa, ky borxh, në qoftë se Qeveria, se këta nganjëherë dinë të bëjnë edhe fushatë parazgjedhore, nëse bëhet lojë me ne, e bëjnë keq, sepse nuk duhet të bëjnë. Nëse e bëjnë vërtet se duhet paguar, duhet të paguhet sepse na kanë borxh, edhe pse ne asnjëherë ne nuk e kemi menduar si borxh, por e kemi konsideruar si obligim. Ky obligim ka qenë jo vetëm fisnik, jo vetëm human, por edhe për të ekzistuar shkollat shqipe", thotë Smajli.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, ndërkaq, shprehen se për këtë çështje janë mbledhur dëshmi të mjaftueshme dhe të sakta.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG