Ndërlidhjet

Interesin e kujt mbrojnë organizatat studentore?


Prishtinë...
Prishtinë...

Në Kosovë janë të certifikuara 15 organizata studentore që funksionojnë në kuadër të Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina”.

Misioni i këtyre organizatave është luftimi i dukurive negative në këtë fushë, por edhe në shoqëri, në përgjithësi, ngritjen dhe zhvillimin e jetës studentore në veçanti, stimulimin e studentëve përmes literaturës, si dhe udhëzime të ndryshme në kërkim të diturisë.

Por, sa janë aktive dhe të njohura këto organizata për studentët? Në rubrikën e përjavshme “VOX", të Radios Evropa e Lirë, disa nga studentët as që kanë njohuri për ekzistimin e tyre, ndërkaq të tjerët shprehen të pakënaqur me angazhimin e tyre.

Fatjon Asllani, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka numër të madh të organizatave, por që asnjëherë nuk mbrojnë interesat e studentëve. Ai, madje, përmend raste kur përfaqësues të organizatave -jo që punojnë në dobi të studentëve, por në dëm të tyre.

“Ka shumë organizata studentore, por nuk dua të veçoj asnjë. Mund të punojnë më shumë. Ato, madje, ndikojnë edhe në procesin e regjistrimit të studentëve, me të njohur. Dhe, jashtë universitetit po mbesin studentë, të cilët e meritojnë me dije.
Unë mendoj se janë të politizuara”,
thotë Fatjoni.

Edhe Getoar Rizahi, student në vitin e dytë në Fakultetin e Arkitekturës, pohon se nuk është i kënaqur me angazhimin e tyre. Ai, madje, thotë se edhe nëse ka pasur arsye të ankohet për ndonjë çështje, një hap të tillë nuk e ka marrë për shkak të mosbesimit në to:

“Nuk jemi shumë të kënaqur. Për çdo problem ankohem te profesorët. Të korruptuar janë të gjithë dhe nuk kemi ku të ankohemi. Nuk janë aktivë në misionin e tyre”.

Blerina Zeka, po ashtu studente në Fakultetin e Arkitekturë, thekson se organizatat studentore janë të politizuara dhe secila mbron interesat partiake duke harruar misionin e tyre.

"Organizatat studentore nuk mbrojnë fare interesat e studentëve, por vetëm interesat e veta personale dhe partiake. Ne ankohemi vetëm te profesorët”, shprehet Blerina.

Ndryshe, organizatat studentore janë organizata joprofitabile me karakter jo politik, të cilat me aktivitetin e tyre nuk duhet të anojnë në asnjë program të ndonjë partie politike.

Organizatat studentore nuk janë aktive dhe asnjëherë në organet e larta të UP-së nuk ngrenë ndonjë çështje që mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve studentore, thotë studenti tjetër, Visari.

"Nuk jam i kënaqur, nuk janë shumë aktive. Deri më tani ka pasur shumë raste të ankohemi, por një gjë të tillë nuk e kemi kërkuar. Për shembull, infrastruktura është në nivel shumë të ulët. Sikur të ishin më aktive, gjërat do të rregulloheshin. Kur ata nuk ngrenë zërin - ne heshtim”, thekson Visari.

Zëri i organizatave studentore dëgjohet vetëm në kohën e zgjedhjeve studentore, thotë studenti tjetër me emrin Besian. Ndërkaq, pas zgjedhjeve, ai thotë se ato bëhen të padukshme:

“Ka pasur takime dhe premtime të kota. Sa kemi qëndruar në takime në kohën e zgjedhjeve, kemi qenë shumë të kënaqur, pasi ofronin shumëçka. Por, ato premtime kanë mbetur vetëm fjalë”.

Nga ana tjetër, ka edhe të atillë që janë të kënaqur me punën e këtyre organizatave.

Nazmi Sopjani, student në vitin e tretë në Fakultetin e Bujqësisë- prodhimtari bimore, shprehet se organizatat mbrojnë misionin e tyre, për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të studentëve.

“Shumë janë aktive, kemi marrë pjesë në mbledhjet e tyre dhe jemi ndarë të kënaqur. Ne kemi pasur disa ankesa për profesorët, janë marrë me ne. Çka kemi kërkuar - edhe pse nuk kanë mundur të realizojnë ata janë angazhuar për ne.Ka shumë organizata, por ajo që e kemi përkrahur, na ka mbështet, ndoshta edhe këto tjerat janë të mira, por ne te njëra kemi kërkuar ndihmë", tregon Nazmiu.

Ndryshe nga Nazmiu, Adelina as që ka njohuri për ekzistimin e tyre.

“Nuk e di a ekzistojnë organizatat studentore, apo nuk i njoh unë. Jam në vitin e dytë të studimeve dhe nuk kam pasur ndonjë problem për të shkuar e ankuar diku”, thotë Adelina.

E Mërgim Rizai, më një tetor do të fillojë vitin e parë në Shkencat Kompjuterike. Ai thotë se do të interesohet për ekzistimin e organizatave dhe nëse ka ndonjë ankesë, do të drejtohet te ndonjëra nga to.

“Nëse kam ndonjë ankesë, do të drejtohem, por deri më tani nuk kam dëgjuar se ekzistojnë", përfundon Mërgimi.
XS
SM
MD
LG