Ndërlidhjet

Shoqëria civile "mobilizohet" për zgjedhje të ndershme


Pamje nga aktiviteti i rrjetit të OJQ-ve "Demokracia në Veprim" në Prishtinë.

Pamje nga aktiviteti i rrjetit të OJQ-ve "Demokracia në Veprim" në Prishtinë.

Rrjeti i Organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", në prag të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e tre nëntorit, është duke realizuar një sërë debatesh e aktivitetesh të ndryshme me qytetarë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, në mënyrë që zëri i secilit qytetar në Kosovë të merret parasysh.

"Demokracia në Veprim", të dielën, ka organizuar një aktivitet pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me temën “Mbroje votën” përmes së cilës ka promovuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike.

Në këtë aktivitet, disa aktorë kosovarë kanë aktruar se si në zgjedhjet e kaluara ka pasur parregullsi në qendrat e votimit.

Udhëheqësi i "Demokracisë në Veprim", Ismet Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, si shoqëri civile presin që subjektet politike të japin mesazhe të qarta te qytetarët dhe të ndërmarrin veprime konkrete për moskeqpërdorimin e votës më tre nëntor.

“Deri tani nuk kemi parë një përkushtim të mirëfilltë të subjekteve politike. Ne, si shoqëri civile, për një vit me radhë jemi duke punuar në adresimin e disa çështjeve edhe kjo performancë është në shërbimin e sensibilizimit të publikut. Gjithsesi, Kodi i ri Penal dhe ndryshimet aty, mendoj se do të jenë mekanizma të mjaftueshëm që edhe qytetarët të vetëdijesohen dhe të mos lejojnë që akterët e subjekteve politike të përfshihen në manipulimin e procesit zgjedhor”, ka thënë Kryeziu.

Edhe Petrit Zogaj nga organizata “Fol”, që është pjesë e rrjetit, ka thënë se nëse do të respektohen ligjet zgjedhore në fuqi, do të ketë zgjedhje të lira e demokratike.

Sipas Zogajt, me gjithë dyshimet që kanë për organizimin e zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, vërehen veprime konkrete për zgjedhje më ndryshe se ato të vitit 2010.

“Padyshim, që edhe ajo korniza ligjore që ka qenë në vitin 2010, ose 2009, ka qenë e mjaftueshme që zgjedhjet të jenë të rregullta. Mirëpo, ka pasur një farë lloj vullneti të dyshimtë të një strukture të caktuar të anëtarëve të komisionit, ndoshta edhe të vetë partive politike dhe institucioneve të tjera që t'i lejojnë ato. Nëse respektojmë ligjet në fuqi, do të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme”, është shprehur Zogaj.

Ndryshe, njohësit e proceseve zgjedhore kanë theksuar se menaxhimi i qendrave të votimit, votimet me kusht, komisionarët dhe moslargimi i emrave të personave që nuk jetojnë më, nga lista e votuesve, do të jenë problemet më të mëdha, me të cilat do të përballet KQZ-ja, në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Nga ana tjetër, Baize Muçaj, qytetare nga Prishtina, derisa ende nuk e di se a do të dalë në zgjedhje për të votuar, ka thënë se edhe në këto zgjedhje do të ketë keqpërdorim të votave.

“Do të ketë mjaft manipulime. Unë nuk jam optimiste, e kam këtë mendim, duke pasur parasysh edhe punën e Qeverisë. Si të jetë Qeveria, ashtu do të jenë edhe zgjedhjet. Nuk kam kurrfarë shprese”, është shprehur Muçaj.

Kurse, Avdulla Krasniqi konsideron se politikanët në partitë politike dhe iniciativat qytetare, duhet të punojnë për popullin, që populli t'ua dijë vlerën atyre dhe t’i zgjedhë më të mirët që kanë profesione të mira, e eksperienca të forta dhe jo grupet e interesit të ngushtë.

“Këto ligje që janë sjellë tash, kërcënimi për ata që e keqpërdorin votën, është dashur të jenë nga fillimi, por duhet të eliminohen me çdo kusht nga qytetarët e Kosovë të gjitha tendencat e interesit egoist”, ka theksuar Krasniqi, duke shtuar se më tre nëntor do të dalë në votime.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG