Ndërlidhjet

logo-print
Kur Prishtina dhe Beogradi u pajtuan që zgjedhjet e 3 nëntorit të zhvillohen gjithandej vendit, si në jug dhe veri, Serbisë nuk iu premtua një hise e paragjykuar në Kosovë.

Madje, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ky proces nuk nënkupton bashkëqeverisje me palën serbe, siç po e interpreton marrëveshjen Beogradi.

Ka argumente të ndryshme për dhe kundër shtrirjes së mëtejme të ndikimit të Serbisë në Kosovë, dhe analistët që tani shohin skenarë të ndryshëm të rënies apo shpërndarjes së pushtetit mes dy palëve.

Njohësi i zhvillimeve politike Leon Malazogu, argumenton se përveç veriut, Beogradi do të shtrijë ndikimin edhe në pjesën qendrore, Anamoravë e gjetiu, që e kanë në kontroll partitë serbe të Kosovës.

Leon Malazogu, që drejton Demokracinë në Zhvillim, vlerëson se hisja e Beogradit do të jetë mjaft e lartë dhe se pesha e saktë e këtij ndikimi pritet të përcaktohet me funksionalizimin e komunave të reja.

“Në çfarëdo varianti, komunat e reja do të jenë nën ndikim mjaft të madh të Beogradit. Por, nëse Beogradi mundohet që të këtë ndikim ta ketë absolut përmes një subjekti që kontrollohen komplet tërë asociacionin, kjo mund të ketë efekte negative dhe të ketë kundërshti nga ana e Prishtinës, që do të hapte një mosmarrëveshje dhe një konflikt të ri dhe mund të zvarrisë funksionalizimin e asociacionit”, vlerëson Malazogu për Radion Evropa e Lirë.

Se Beogradi do të insistojë që me forma të ndryshme të shënojë praninë e vet, në ato struktura, të cilat konsideron se janë besnike, e thotë edhe profesori Ismajl Hasani.

Mirëpo, sipas tij, shtrirja e mëtejme e ndikimit, në asnjë mënyrë nuk do të jetë legale, por më shumë indirekte.

“Absolutisht, unë nuk mendoj se ‘hisja’ e Beogradit do të jetë më e madhe! Nuk mendoj se Serbia do të ketë hise të legalizuar, në kuptimin e shënimit të prezencës në mënyrë legale. Pastaj, janë çështje të institucioneve të Kosovës, sa do të jetë në gjendje që qarqet e ndryshme ekstreme që mund të mbesin brenda strukturave institucionale që dalin pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, t’i disiplinojë dhe t’i fusë nën kornizën e juridiksionit të Republikës”, vlerëson Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Serbia, siç thotë ai, ka provuar edhe më parë që t’i animojë serbët në terren, dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe përmes Asociacionit të Komunave Serbe.

Kjo gjë, sipas Hasanit, do të shënojë një përpjekje për të institucionalizuar një trup, i cili, siç thotë ai, “de facto, e de-institucionalizon atë përpjekje”, sepse më 3 nëntor të gjithë qytetarët në Kosovë, dalin në zgjedhjet, të cilat i organizon Republika e Kosovës, përkatësisht KQZ-ja.

“Nuk mendoj legalizim të ilegales, sepse tanimë kanë kaluar 14 vjet dhe pjesa veriore, përkatësisht serbët që jetojnë në Kosovën veriore, ata më tepër kanë qenë pjesë e premtimeve të Serbisë, sesa që kanë arritur të institucionalizohen sado që institucionet e Kosovës, nuk kanë pasur qasje atje”, konsideron Hasani.

Përcaktimi i hises së Beogradit në Kosovën e pas zgjedhjeve lokale, do të varet edhe prej financave që Serbia do t’i kanalizojë në këtë trup, thotë Leon Malazogu.

Por, jo vetëm ky faktor është adut për Beogradin, pasi siç shpjegon Malazogu, ka skenarë që serbët veriorë të refuzojnë t’i përgjigjen Prishtinës si qendër institucionale të tyre, e që subordinimi i tyre të jetë direkt me Asociacionin e Komunave Serbe.

“Mund të hapet një lloj dialogu i ri, mbase ndërmjet Prishtinës dhe serbëve të veriut, apo edhe përfshirë serbët e veriut dhe Beogradin, në diskutimet për detajet se si duhet të formohet asociacioni i ri, edhe në këtë aspekt, nuk kanë të bëjnë vetëm financat, por gjithashtu do të varet shumë edhe përkatësia partiake e këshilltarëve të ardhshëm komunalë, të cilët do të delegohen nga komunat për të formësuar asociacionin”, thekson Malazogu.

Me zgjedhjet e 3 nëntorit pritet të instalohen strukturat e rregullta në veri të Kosovës dhe të zhbëhen ato paralele, që Serbia i ka financuar prej pas luftës në vitin 1999.

Sipas regjistrave të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, deri në shpalljen e pavarësisë, Beogradi mbante mbi 140 institucione të sigurisë, mbrojtjes, arsimit, shëndetësisë dhe të fushave të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG