Ndërlidhjet

Crocker: SHBA-të kërkojnë aksion nga Irani


Ryan Crocker
Ryan Crocker
Ambasadori Ryan Crocker është njëri nga zyrtarët më me përvojë në Shtetet e Bashkuara, për diplomacinë e Lindjes së Mesme. Pasi kishte shërbyer si ambasador amerikan në Liban, Kuvajt, Siri dhe Pakistan, zoti Crocker ishte emëruar në postin e të dërguarit amerikan në Irak (2007-2009) dhe më vonë në Afganistan (2011-2012).

Gjatë shërbimit në Irak dhe Afganistan, ai kishte komunikuar dhe bile e kishte lehtësuar bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Iranin. Javën e kaluar Ryan Crocker ishte ftuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga misioni i Iranit.

Atje, ai u takua privatisht me “zyrtarë të lartë iranianë”, derisa diplomacia po e merr pozitën qendrore për programin e ndjeshëm atomik të Iranit. Crocker është aktualisht dekan në Shkollën George Bush për Qeverisje dhe Shërbim Publik në Universitetin A&M në Teksas.


RADIO EVROPA E LIRË
Ishte një javë e Iranit në Kombet e Bashkuara. Fjalimet nga presidenti amerikan, Barack Obama, dhe presidenti iranian, Hassan Rohani, ishin mbizotëruese në Asamblenë e Përgjithshme, ku u bë një takim 5+1 me Iranin dhe pastaj edhe takimi ndërmjet sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, dhe kolegut të tij iranian, Mohammad Javad Zarif. Sipas jush ku qëndrojnë gjërat sa i përketë çështjes atomike?

RYAN CROCKER
Ishte një javë e mirë, mendoj, në kuptimin e tregimit të asaj se çka është e mundshme me iranianët. Tash ne duhet të shohim nëse ajo që është e mundshme aktualisht do të implementohej. Paraqitja e presidentit të Iranit ishte cilësuar si një “ofensivë e sharmit”. Mendoj se kjo është më tepër se kaq.

Por, qartas munguan përkushtime konkrete, prandaj tash ne duhet të shohim aksion, se përkushtimet e presidentit Rohani për dhënien e secilës siguri të domosdoshme për komunitetin ndërkombëtar se Irani në asnjë mënyrë nuk po synon program për armatim atomik. Kjo duhet të konkretizohet.

Kjo do të kërkoj shumë negociata të vështira, duke pasur parasysh dyshimet që janë paraqitur në të kaluarën. Në Nju Jork kam dëgjuar diskutime nga iranianët se ata do të sjellin propozim në tryezë, që synon zbutjen e shqetësimeve të perëndimit lidhur me programin e tyre atomik. Pra, të shohin nëse ata do ta bëjnë këtë. Pra, ky është fillim i mirë, por është vetëm fillim”.

RADIO EVROPA E LIRË
Rohani tha se ai shpreson arritjen e marrëveshjes me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit brenda “tre deri në gjashtë muaj”. Ai, po ashtu, theksoi se është “fuqizuar plotësisht për finalizimin e bisedimeve atomike” nga lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei. Çka mendoni ju se e ka sjellë Iranin në këtë pikë?

RYAN CROCKER
Derisa presidenti Rohani dhe ministri i tij i jashtëm thanë disa herë, këtë sigurisht e kam dëgjuar unë, rruga në të cilën ne gjendeshim gjatë tetë viteve të fundit nuk ishte rrugë produktive, as për komunitetin ndërkombëtar e as për Iranin. Në një pikë ai ka thënë diçka që shkon përmes linjave se “askush nuk mund të thotë se as për ne tash nuk është më mirë se para tetë vitesh, prandaj është koha për të provuar diçka të re, duke lëvizur nga kalkulimi zero kah një situatë ku fitojnë të gjithë”.

Aq sa kuptova nga iranianët, kjo situatë është një përfundim në të cilin komuniteti ndërkombëtar është i kënaqur se ata nuk po synojnë dhe nuk do të kenë armatim atomik, përderisa ata do të jenë të aftë ta mbajnë programin paqësor bërthamor për energji me nivelin e pasurimit brenda normave të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju aktualisht i keni përshkruar për gazetën New Yorker komunikimet, që jehonin si të fshehta, që ju dhe zyrtarët e tjerë të Shteteve të Bashkuara i keni pasur me Iranin, pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001, lidhur me Afganistanin dhe Irakun. Sa mendoni ju se ka pasur komunikime të fshehta ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, që çuan në takimet e tashme në Kombet e Bashkuara.

RYAN CROCKER
Më lejoni të jem i qartë: bisedimet që i kam pasur me iranianët pas 11 shtatorit 2001, për Afganistanin dhe rrjedhimisht Irakun, atëherë kur unë isha ambasador atje, në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të fshehta e as klandestine. Ato ishin zyrtarisht të autorizuara dhe janë mbajtur në mënyrë diskrete dhe nëse i kontrolloni raportet e atëhershme me kujdes, do të shihni se ka pasur referenca të aty-këtushme për to në media. Por, mediat thjeshtë nuk ishin të fokusuara veçanërisht në to dhe kjo nuk ishte kurrë temë e madhe. Dëshiroj të jem shumë i qartë lidhur me këtë çështje.

Do të imagjinoja se ka pasur edhe disa bisedime të heshtura, që e kanë ndihmuar terrenin për takimet ministrore 5+1. Ishte hera e parë që u bënë në këtë nivel, prandaj do të ishte vështirë të imagjinohej se nuk pa pasur ndonjë përgatitje paraprake, ashtu siç ka pasur, me sa duket, për takimin ndërmjet sekretarit Kerry dhe ministrit Zarif. Esenca e kësaj është e kuptueshme, pasi ka filluar me këmbimin publik të letrave të dy presidentëve. Ky është komunikim direkt, nëse jo negociata të hapura”.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shumë komunikime “diskrete” mendoni se mund të ketë pasur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, lidhur me Sirinë?

RYAN CROCKER
Nuk kam njohuri direkte. Në bisedimet e mia në Nju Jork, udhëheqja e Iranit ka folur për Sirinë, ka folur për nevojën që komuniteti ndërkombëtar të punoj së bashku për të gjetur ndonjë rrugë për përfundimin e asaj që ata e përshkruan si “humbje e tmerrshme e jetës së njerëzve”.

Natyrisht, iranianët ishin shumë të qartë se ku ata qëndrojnë për përdorim të armatimit kimik, pasi kanë pasur edhe vetë viktima nga sulmet e këtilla në vitet e 80-ta. U mund të pres që iranianët, direkt ose indirekt, kaishin zë në diskutimet, që e kanë prodhuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për armatimin kimik, dhe nëse është kështu, mendoj se është shenjë pozitive”.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ndikimi mund të ketë ndonjë normalizim i raporteve Shtetet e Bashkuara – Iran në përmasa më të gjëra në rajon? Si do të pritej kjo në Irak dhe Afganistan?

RYAN CROCKER
Mendoj se në këto dy vende, në të cilat unë shërbeva si ambasador amerikan, do të mirëpriten ngrohtësisht. Irakianët rregullisht e kanë një ndjenjë se gjenden ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ata e kanë, kuptohet, historinë e tyre dhe problemet e tyre me Iranin, por është e qartë, se e kanë një shtet të madh në kufi.

Besoj shumë, sepse e kam dëgjuar këtë direkt nga ata në të kaluarën, se afrimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, mund t’i bëjë jetët e tyre më të lehta. Ngjashëm, në Afganistan, kur ne kemi diskutuar me iranianët direkt se si ne mund të punojmë së bashku për të mirën e stabilitetit në Afganistan, autoritetet afgane ishin shumë mirëpritëse.

Mendoj se ka vende të tjera në rajon, që do të jenë thellësisht të shqetësuara, dhe në rast se do të ketë afrim, ne do të duhet të kryejmë punë në qartësimin se çfarëdo mirëkuptimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Irani, është për të mirën e stabilitetit në rajon dhe jo pjesë e ndonjë aksi të ri, për të cilin izraelitët, arabët ose çdokush tjetër, do të duhej të shqetësohej”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG