Ndërlidhjet

Qeveria amerikane në prag të mbylljes së pjesshme


Në Uashington, ligjvënësit demokratë dhe republikanë po bëjnë negociatat e fundit, në përpjekje për të arritur marrëveshje për buxhetin e ri.

Nëse dështojnë të arrijnë marrëveshje deri në mesnatën e sotme, Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të detyrohet të mbyllë të gjitha shërbimet joesenciale federale.

Mbi 700,000 punëtorë mund të dërgohen në pushim pa pagesë, me asnjë garanci se mund të kthehen në paga, pasi të kryhet bllokimi.

Mbyllja do të jetë e para në Shtetet e Bashkuara në 17 vjet.

Njëra nga arsyet kryesore për ngërçin politik është Ligji i kujdesit shëndetësor i presidentit Barack Obama, i njohur si Obamacare.

Të dielën, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga Republikanët, ka miratuar një verison të ndryshuar të ligjit të Senatit për shpenzime, që anulon fondet për programin e kujdesit shëndetësor.

Udhëheqësi i Senatit, Harry Reid, është zotuar se Dhoma e tij, e cila udhëhiqet nga demokratët, do ta refuzojë ligjin republikan.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se secili anëtar i Partisë Republikane që ka votuar për projekt-ligjin e ri, ka votuar për ndarje. Ai ka thënë se presidenti Obama do të vërë veto mbi ligjin republikan.

Dhoma e Përfaqësuesve ka injoruar kërcënimin e vetos dhe ka votuar ndryshimet në ligj me 231 vota për dhe 192 kundër.

Nëse qeveria mbyllet më 1 tetor, do të mbyllen të gjitha parqet dhe muzetë kombëtare, përfitimet pensionale dhe të veteranëve do të vonohen, ndërsa aplikacionet për viza dhe pasaporta nuk do të shqyrtohen.

Programet që konsiderohen si thelbësore, të tilla si kontrollimi i trafikut ajror dhe inspektimet e ushqimeve, do të vazhdojnë.

Departamenti i Mbrojtjes ka këshilluar punonjësit që anëtarët pa uniforma të ushtrisë të vazhdojnë detyrat normale, ndërsa një numër i madh i punëtorëve civilë të qëndrojë në shtëpi.

Afrimi i mbylljes së pjesshme të Qeverisë amerikane ka bërë që aksionet e tregjeve në SHBA të bien ndjeshëm.

Indeksi Dow Jones ka rënë për 126 pikë, Standard & Poor për 13.9 pikë dhe Nasdaq për 22.75. Rënie kanë shënuar edhe tregjet aziatike.

Anketat e opinionit tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar me programiin e kujdesit shëndetësor, por gjithashtu nuk duan mbyllje të qeverisë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG