Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 32 mijë aplikacione nga Serbia, të pavlefshme


Numri i aplikacioneve të vlefshme të votuesve serbë jashtë Kosovës nuk pritet të ndryshojë shumë nga ai preliminar, i cili nga zyrtarët e Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është thënë të jetë rreth 6 mijë e 600.

Kështu ka deklaruar Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se pas vlerësimeve të aplikacioneve edhe nga Mali i Zi dhe diaspora, pritet që përfundimisht të dihet numri i votuesve jashtë Kosovës.

“Sipas një raporti preliminar që ne e kemi pranuar nga zyrtarët tonë të sekretariatit, është se nga 39 mijë e 46 aplikacione që kanë ardhur nga Serbia, aplikacione të aprovuara, deri në këtë fazë, janë 6 mijë e 593. Unë mendoj se kjo shifër, sa i përket aplikacioneve nga Serbia, nuk do të ndryshojë, ndërkohë që ne presim edhe rezultatin e aplikacioneve tjera, që vijnë nga Mali i Zi dhe nga pjesa e Evropës, ku janë paraqitur, përmes këtij operacioni, qytetarët tanë shqiptarë që jetojnë në Evropë”, u shpreh Dushi.

Nisur nga këto shifra, rreth 32 mijë aplikacione, të cilat Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ia ka dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë jo të vlefshme.

Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky mision e ka pasur vetëm rolin lehtësues në procesin e mbledhjes së aplikacioneve në Serbi dhe Mal të Zi, ndërkohë që sipas tij, për vlefshmërinë e tyre vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“KQZ është kompetent që t'i publikojë shifrat, sepse ai e udhëheqë procesin e verifikimit të gjithë kërkesave për regjistrim dhe ata janë ata që vendosin se kush ka të drejtë të votojë ose jo, sipas dokumentacionit që është dorëzuar. Do të thotë, KQZ i ka kriteret në bazë të së cilave e bën kontrollimin e kërkesave".

"Ata që nuk janë të kënaqur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund ta ndjekin procedurën ekzistuese apo procesin e ankesave, i cili është i sqaruar në rregulloren e zgjedhjeve”, theksoi Gaon.

Sqarime të ngjashme ka dhënë edhe zoti Dushi, i cili ka theksuar se për 32 mijë aplikacione nga Serbia, të cilat nuk janë vlerësuar si të vlefshme, do të jepet përgjigja dhe arsyetimi për refuzimin e tyre.

“Pjesa tjetër do ta marrë përgjigjen dhe bashkë me përgjigjen do ta kenë edhe shkakun se pse aplikacionet janë refuzuar. Arsyet janë prej më të ndryshmeve. Ka nga mungesa e dokumentacionit e deri te nënshkrimet e shumë aplikacioneve nga i njëjti person".

"Pra, janë disa kategori të këtyre aplikacioneve që janë refuzuar. Por, mendoj se Sekretariati jonë e ka bërë një vlerësim krejtësisht real të këtyre aplikacioneve dhe në mënyrë absolute, nuk është vërejtur asnjë lloj tendence gjatë punës që ata e kanë kryer”, tha Dushi.

Sidoqoftë, Dushi konsideron se OSBE-ja e ka kryer mjaft mirë punën e saj në rolin lehtësues të procesit për grumbullimin e aplikacioneve të votuesve potencial që jetojnë jashtë Kosovës, për votimin përmes postës.

Ndërkaq, zyrtarët e OSBE-së kanë theksuar se votimi jashtë Kosovës do të kryhet në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG