Ndërlidhjet

Iran: Mbizotërojnë zërat në mbështetje të Rohanit


Aktivitetet e presidentit të Iranit, Hassan Rohani, në Kombet e Bashkuara, gjatë javës së kaluar, janë përshkruar si “ofensivë e sharmit”. Në këtë kuadër përfshihet edhe biseda historike telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Për të gjitha këto aktivitete të tij ende po debatohet në Iran.

Por, duket se zërat në favor të presidentit janë më të fuqishëm se ata të kritikave nga politikanët e linjës së fortë.

Biseda telefonike, që është vlerësuar si historike, e Rohanit me Obamën, në përgjithësi është pranuar ngrohtësisht në Iran, ku sloganet dhe politikat antiamerikane ishin dominuese në skenën politike, për më tepër se tri dekada.

Pas kthimit të tij në Teheran, nga Nju Jorku, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Rohani është pritur me hedhje të vezëve dhe të këpucëve nga një grup i njerëzve të linjës së fortë. Por, këta protestues ishin më pak se ata që i kanë shprehur mbështetje.

Ky fenomen mund të përsëritet në ditët e ardhshme, derisa personat e linjës së fortë mbeten relativisht të heshtur në kritikat e tyre për kontaktet e presidentin Rohani me Barack Obamën.

Biseda telefonike e dy liderëve, më 27 shtator, ishte kontakti i parë i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe zënia peng e diplomatëve amerikanë në Teheran. Këto zhvillime i patën shkatërruar raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.

Brenda Iranit, kjo bisedë telefonike ishte lavdëruar nga shumë shtetas, reformistët dhe bile edhe nga disa anëtarë të grupeve konservatore dhe establishmentit islamik.

Ish deputeti, Mohammad Sadegh Javadi Hessar, tash gazetar, pret që në të ardhmen të ketë kritika në adresë të Rohanit, por mesazhi i tyre, tash për tash, është disi i heshtur.

“Zërat kundërshtues do të dëgjohen në të dy anët, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Iran. Por, këta zëra nuk do të jenë dominant. Zëri i qeverisë dhe establishmenti, që aktualisht e kanë marrë rrugën e tyre, do ta dominojnë debatin”, thotë gazetari Hessar.

Ai, po ashtu, thekson se personat e linjës së fortë nuk mund të shkojnë kundër dëshirës së liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili muajin e kaluar ka bërë thirrje për “fleksibilitet heroik” në negociatat e Iranit me perëndimin.

Sipas gazetarit Hessar, Khamenei “e ndjen nevojën që Irani t’i zgjidhë problemet me botën”.

Analisti iranian, Reza Alijani, megjithatë, tërheq vërejtjen se njerëzit e linjës së fortë ende do të përpiqen ta pengojnë ndryshimin diplomatik të Teheranit në raport me Uashingtonin, dhe me fuqitë e tjera të involvuara në negociatat për programin atomik të Iranit.

“Veçanërisht në tetë vitet e kaluara forcat ushtarake të sigurimit kanë ndërhyrë në mënyrë të rëndësishme në politikë. Tash është vështirë për ato të tërhiqen. Përkundër ftesës së Khameneit për fleksibilitet heroik, është vështirë për njerëzit e linjës së fortë, të gjejnë arsyetim për bisedime direkte me Shtetet e Bashkuara. Rrjedhimisht, ne ende shohim kritika nga disa komandantë të Gardës Revolucionare të Iranit. Mendoj se kritikat nuk janë vetëm kundër Rohanit, por paraqesin një manovër për të ndikuar edhe në vetë Khamenein”, tha analisti Alijani.

Analisti Alireza Nadir, nga Rand Corporation, me seli në Shtetet e Bashkuara, thotë se nuk është i befasuar që Rohani është kritikuar nga disa për bisedën telefonike me Obamën.

“Mendoj se për establishmentin iranian është vështirë të pranohet se politikat e tyre në tetë vitet e fundit ishin treguar dështuese dhe tash ata duhet të shqyrtojnë diçka, që e kishin kundërshtuar për një kohë të gjatë. Por, nuk besoj se ata në këtë pikë kanë mundësi për të zgjedhur”, tha analisti Nadir.

Zoti Khamenei deri tash publikisht nuk ka reaguar për bisedën telefonike Obama – Rohani. Por, ajo që duket të jetë shenjë e mbështetjes së tij për Rohanin, këshilltari politik i Khameneit, Ali Akbar Velajati, e priti presidentin Rohani kur u kthye nga Nju Jorku.

Alireza Nader thekson se mbështetja e vazhdueshme e autoriteteve më të larta të Iranit nuk është e garantuar. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG