Ndërlidhjet

Shitja e aksioneve të PTK-së (s')është në rendin e ditës


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Partitë opozitare e përjashtojnë mundësinë që çështja e shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së, të mund të hyjë në rendin e ditës së seancës së radhës, që pritet të mbahet të mërkurën.

Reagimi i tyre, pason zotimin e partisë më të madhe në Kuvend, PDK-së se në këtë seancë do të hyjë si pikë e rendit të ditës edhe kjo çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke i koordinuar veprimet në rast se partitë e koalicionit duan të shtyjnë përpara miratimin e shitjes së aksioneve të PTK-së, me çka këto dy subjekte politike nuk pajtohen.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri thotë se nuk janë plotësuar aspektet procedurale-ligjore që kjo pikë të hyjë në rendit të ditës së seancës së radhës.

“Është e qartë që nesër është vazhdim i seancës që ka mbet në gjysmë dhe kemi vetëm votime. Kjo është shumë e qartë dhe sigurisht që PTK-ja nuk do të futet në rend të ditës, sepse nuk mund të futet se do të ishte në kundërshtim me rregulloren. Besojmë që kryetari i Kuvendit dhe të gjithë që janë kompetente të respektojnë rregulloren nuk do të lejojnë diçka të tillë. Besoj skam nevojë ta them se çfarë do të bëjmë nëse hyn në rend dite., sepse kjo pikë s’mund të hyjë në rend të ditës”, është shprehur Beqiri.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje konsideron se shitja e aksioneve te PTK-së nuk është në rendin e ditës së seancës së thirrur për të mërkurën.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes thotë se janë në konsultime me LDK-në dhe me deputetët tjerë kundërshtues të privatizimit të PTK-së për ta ndalur këtë proces privatizimi.

Ne konsiderojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka për obligim që ta mbrojë Kosovën nga këto politika dashakëqija dhe keqbërëse të Qeverisë së Kosovës. Qysh moti kemi kërkuar që Kuvendi të jetë më aktiv në hetimin e rasteve të ndryshme të veprimtarisë antiligjore dhe financiarisht e politikisht të korruptuar të qeverisë së Kosovës. Procesi i privatizimit të PTK-së përveç se i dëmshëm dhe korruptiv edhe është udhëhequr në kundërshtim të plotë me ligjin që e bën këtë proces edhe ilegal”, ka thënë Vraniqi.

Një pozicion ndryshe nga këto dy subjekte opozitare mbanë Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mendon se çështja e shitjes së aksioneve të PTK-së do të jetë në rendin e ditës së seancës së radhës, dhe se sipas tij, Kuvendi do ta miratoj përkundër qëndrimeve të disa subjekteve opozitare.

“Në seancën e radhës duhet të jetë edhe PTK-ja. Kjo është e qartë sepse është një nga pikat e mbetura pa u votuar. Janë edhe disa pika nga seanca e fundit që janë debatuar dhe tani duhet të hidhen në votim”, thotë Grabovci.

Deputeti Grabovci thotë po ashtu se opozita si edhe deputetët që nuk pajtohen me privatizimin, mund të kundërshtojnë atë por nuk do të duhej të largoheshin nga salla.

Largimi i tyre, po e pamundëson marrjen e vendimeve për shkak të mungesës së kuorumit.

Mirëpo, mungesa e kuorumit, vjen si pasojë e humbjes gjithnjë e më të madhe të përkrahjes së shumicës për qeverinë në Kuvend. Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se edhe largimi nga salla nuk përjashtohet si mundësi.

“Në çfarëdo forme po të tentohet të shkelen procedurat, gjë që se besoj që do të ndodhë, atëherë ne s’do t’ua bëjmë kuorumin, por se besoj që vjen në këtë situate sepse s’mund të pranohen kërkesa gjatë vazhdimit të një seance”, thotë Beqiri.

Në pamundësi që të miratoj vendimin në Kuvend, Qeveria e Kosovës tashmë ka shtyrë nënshkrimin e marrëveshjes për shitjen e aksioneve të PTK-së në vlerë prej 227 milionë eurosh konzorciumit gjerman, ACP Axos Capital Gmbh.
XS
SM
MD
LG