Ndërlidhjet

Ministria e Financave të Maqedonisë ka njoftuar se Qeveria nga kjo javë do të marrë 77.4 milionë euro borxh të ri, përmes ankandeve për bonot e thesarit dhe obligacionet për t`i kthyer biznesit të vendit borxhin prej 77 milionë euro.

Ndërkohë që afaristët heshtin se cili është borxhi i saktë që ka shteti ndaj tyre për shkak të presionit që mund të ballafaqohen nga inspektorati i policisë financiare, ekspertët thonë se duhet të gjenden mekanizma si të mëkëmbet ekonomia e vendit në mungesë të investimeve të huaja dhe jo borxhi të shlyhet me borxh.

“Maqedonia fatkeqësisht për momentin nuk ka mënyrë-alternativë tjetër sepse ekonomia e vendit nuk prodhon para. E gjithë kjo është si pasojë e një reprekursioni të prishur gjatë qeverisjes se periudhës 2006 – 2013-të".

"Është më se e qartë nëse qeveria vendos të realizojë investime jokapitale atëherë sigurisht do të jetë i varur dhe nga emetimi i bonove të thesarit, obligacionet e vendit dhe huamarrja nga institucionet e jashtme që të shlyhet borxhi ndaj kompanive vendore, gjegjësisht të realizohen pagesat afatshkurtra dhe ato me afat të mesëm”, nënvizon Visar Ademi, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Sipas tij, arka shtetërore është kryekëput e varur nga huazimet si nga banka popullore e Maqedonisë ashtu dhe institucionet e jashtme.

Maqedonia tanimë dy tre vitet e fundit gjendet në një kolaps financiar dhe këtë gjendje, pra mos shpërthimin e kolapsit e mbajnë gjallë institucionet e jashtme të cilat vazhdojnë t`i huazojnë Qeverisë së Maqedonisë".

"Në qoftë se kjo lloj lidhje, kjo lloj hallke ndërpritet për një moment, atëherë Maqedonia në një periudhë të shkurtë do të ndjejë reprekursionet nga politikat qeveritare për të destinuar mjete në investimet jokapitale, pra momenti kur do të duhet të kthej borxhin e jashtëm”, shprehet Ademi.

Ndërkohë, afaristët thonë se për mëkëmbjen e ekonomisë së vendit duhet angazhuar më shumë në kreditimin e bizneseve të vogla, ngase me vetë rritjen e kapitalit në këto kompani krijohen mundësi për vende të reja pune.

“Bankat në Republikën e Maqedonisë në formë shumë konservative kanë kredituar ekonominë e vendit si pasojë e asaj se tërë ekonomia e vendit ishte në recesion, dhe bankat si subjekte private mbanin llogari për kapitalin e tyre".

"Megjithatë tani mendoj se gjërat kanë filluar të marrin të mbarën duke shënuar rritje pozitive të Buto Prodhimit Vendor dhe kompanitë e vogla dhe ato të mesme kanë nevojë për mjete financiare”, thekson Mirçe Cekrexhi, drejtues i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Lube Tërpeski konsideron se pikërisht shkalla e lartë e interesit gjatë kreditimit në Maqedoni ka të bëjë me kërkesat në rritje jo vetëm të afaristëve por edhe shtetit kundrejt ofertave të bankave.

“Bankat të cilat veprojnë në Maqedoni kanë krijuar për vete një pozitë komode me atë që kërkesa për kreditim është shumë më e madhe nga oferta të cilën e plasojnë në treg dhe kjo bën që kamatat të jenë shumë më të larta krahasuar me vendet tjera të rajonit dhe njëherazi bankat të kenë më shumë mekanzima sigurie, veçanërisht kur bëhet fjalë gjatë kreditimit të bizneseve”, thotë Tërpeski.
XS
SM
MD
LG