Ndërlidhjet

SHBA: Dëbohen tre diplomatë nga Venezuela


Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se tre diplomatë nga Venezuela po dëbohen nga Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të përzënies së tre zyrtarëve amerikanë nga Venezuela.

Mbrëmë vonë, Departamenti amerikan i shtetit ka theksuar se dy zyrtarë në Ambasadën e Venezuelës në Uashington dhe një zyrtar në Konsullatën e Venezuelës në Hjuston të Teksasit, duhet të largohen brenda 48 orëve.

Mëtutje është shprehur “keqardhje” për dëbimin e zyrtarëve amerikanë nga Venezuela, lidhur me ato që vlerësohen si “akuza të pabaza”.

Më herët, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se ai nuk është i interesuar për “raporte miqësore” me Shtetet e Bashkuara, nëse diplomatët amerikanë vazhdojnë të zhvillojnë fushatë të dyshuar për destabilizimin e Venezuelës.

Maduro i ka akuzuar zyrtarët amerikanë për konspiracion me shtetas të Venezuelës “të ekstremit të djathtë”, për sabotimin e ekonomisë së këtij vendi dhe furnizimin me energji elektrike.
XS
SM
MD
LG