Ndërlidhjet

"Fushata zgjedhore" e Beogradit në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se kjo qeveri e mbështet Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, kanë ngjallur reagime të politikanëve serbë në Kosovë dhe në Serbi.

Disa prej tyre vlerësojnë se mbështetja vetëm për Listën Serbe nga ana e autoriteteve të Beogradit, krijon ndarje të serbëve dhe i stimulon tensionet dhe përplasjet ndërmjet tyre, por ka edhe të tillë që e arsyetojnë mbështetjen e tillë.

Ministri pa portfol në Qeverinë Serbe, Aleksandër Vulin, ka theksuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk janë sikurse të tjerat dhe se “serbët në këto zgjedhje do të përgjigjen në pyetjen se janë ose nuk janë për Listën Serbe. Nëse jeni për Listën Serbe, kjo nënkupton se jeni për vazhdimësinë e lidhjes me Serbinë. Nëse nuk jeni për Listë Serbe, kjo do të thotë se për lidhjet e tilla nuk jeni të interesuar”, ka theksuar Vulin.

Deklaratat e tilla të Vulinit janë kundërshtuar ashpër nga liderët e Partisë së Pavarur Liberale. Sekretari i kësaj partie dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Petar Miletiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbështetja nga ana e Qeverisë së Serbisë vetëm për një subjekt të caktuar politik serb në Kosovë, e dëmton rëndë demokracinë dhe fushatën parazgjedhore në Kosovë.

Sipas tij, kjo do t’i shtyjë serbët drejt përplasjeve.

“Në qoftë se Qeveria e Serbisë e mbështetë vetëm një Listë, atëherë i ndan serbët në lojalë dhe jolojalë, të mirë dhe të këqij. Kjo nuk i shërben atmosferës demokratike dhe fushatës parazgjedhore demokratike, sepse në këtë mënyrë arrihet deri te tensionet në terren. Natyrisht që kësaj i prinë ministri pa portfol Aleksandër Vulin, i cili disa herë gjatë ditëve të kaluara ka ardhur në Kosovë dhe e ka mbështetur publikisht Listën Serbe”, ka thënë Miletiq.

Por, Vulin pavarësisht se ka theksuar se nuk dëshiron të polemizojë me serbë dhe se Qeveria serbe tashmë e ka deklaruar se kujt i beson më shumë.

“Unë nuk dëshiroj të polemizoj me serbët në këto zgjedhje dhe nuk do të ketë polemika. Krejt çfarë kemi pasur të themi, e kemi thënë. Kemi thënë se cilëve njerëz u besojmë dhe kemi thënë se si quhet lista, së cilës ne i besojmë. Mbase është e drejtë e jona që të kemi njerëzit, të cilëve u besojmë më së shumti dhe nga të cilët presim që do t’i mbrojnë interesat e shtetit të Serbisë dhe serbëve që jetojnë në hapësirën e Kosovës. Kjo është e drejtë e jona dhe për këtë të drejtë nuk kemi pse polemizojmë me askënd”, ka theksuar Vulin.

Por, Miletiq është shprehur se Partia e Pavarur Liberale nuk pret mbështetje nga Aleksandër Vulin, por pret vetëm sjellje korrekte dhe moskeqpërdorim të pozicionit të tij zyrtar në Qeverinë serbe.

“Në qoftë se Aleksandër Vulin dëshiron që të mbështesë ndonjë Listë dhe të vendoset në krye të ndonjë liste, atëherë le të japë dorëheqje në Qeverinë serbe dhe si kryetar i partisë së tij, le të vijë dhe le ta udhëheqë fushatën për ndonjë listë”.
Ne nuk e kontestojmë që ndonjë parti të mbështesë listën e saj ose ndonjë parti tjetër, por kur këtë e bën Qeveria, atëherë ajo thotë se 32 listat tjera janë më pak të vlefshme për Serbinë...

“Ne nuk e kontestojmë që ndonjë parti të mbështesë listën e saj, ose ndonjë parti tjetër, por kur këtë e bën Qeveria, atëherë ajo thotë se 32 listat tjera janë më pak të vlefshme për Serbinë ose nuk janë serbe dhe se vetëm në një listë janë serbët. Kjo është një gjë shumë e keqe dhe kam frikë se atmosferën, edhe ashtu të tendosur, do ta tendosë edhe më shumë”, ka potencuar Miletiq.

Në anën tjetër, politikani serb nga Kosova, Rangjel Nojkiq, vlerëson se Prishtina po përpiqet që ta bëjë procesin të tillë në mënyrë që ta ruajë gjendjen e tanishme të pjesëmarrjes së serbëve në pushtet. Sipas tij Beogradi po përpiqet që ta ndryshojë këtë gjendje.

Sipas tij, kjo mund të kuptohet dhe të arsyetohet me faktin se Beogradi ka marrë përgjegjësi të madhe kur bëhet fjalë për ciklet parazgjedhore, zgjedhore dhe pas zgjedhjeve. Nojkiq shpreh mendimin se ekziston përvoja se përfaqësuesit e deritashëm serbë në institucione nuk i kanë mbrojtur mjaftueshëm interesat e serbëve, ndonëse, siç ka thënë ai, nuk mund të thuhet se nuk kanë bërë asgjë.

“Kjo përvojë i flet Beogradit se i duhet të krijojë një listë dhe një grupim politik në këto hapësira, që do të kenë legjitimitetin dhe legalitetin dhe të cilat, në fakt, do të mbrojnë interesat e tyre në mënyrë të drejtë”, ka deklaruar Nojkiq.

Ndryshe, reagime ndaj mbështetjes së Qeverisë së Serbisë për Listën Serbe ka pasur edhe në Serbi.

Goran Bodanoviq, deputet në Kuvendin e Serbisë nga Partia Demokratike ka theksuar se Qeveria e Serbisë nuk guxon t’u bëj shantazh disa kandidatëve për zgjedhjet në Kosovë dhe t’i favorizojë disa të tjerë dhe se është e nevojshme që të gjithë të trajtohen të barabartë.

Reagime të ngjashme ka pasur edhe nga Partia Demokratike Liberale, e cila ka apeluar te Qeveria e Serbisë që me veprimet e saj të mos krijojë ndarje të serbëve.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG