Ndërlidhjet

Policia e Kosovës, kampione me përfaqësimin e femrës


Ceremoni diplomimi e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Ceremoni diplomimi e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës konsiderohet të jetë “kampione” në mesin e institucioneve tjera të sigurisë, me përfaqësimin më të lartë të femrave në strukturën e saj.

Kështu u tha të enjten në një konferencë me temën “Gruaja dhe sektori i sigurisë në Ballkanin Perëndimor: Implementimi i Rezolutës 1325 të OKB-së”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Fjolla Raifi, hulumtuese në këtë organizatë, tha se bazuar në statistikat e këtij viti, niveli i përfaqësimit të gruas në Policinë e Kosovës, është 14.85 për qind, ndërkaq në Forcën e Sigurisë së Kosovës, 8.23 për qind.

Grada më e lartë që e mbajnë femrat në strukturat e FSK-së, është kolonel, ndërsa asnjë grua nuk është emëruar si gjenerale.

Përfshirja e gruas në njësitë e zjarrfikësve të Kosovës është shqetësuese, duke pasur parasysh mospërfaqësimin e gruas në këtë institucion.

Megjithatë, Raifi konsideron se përfshirja e gruas në sektorin e sigurisë është rritur paralelisht me konsolidimin e këtij sektori.

“Policia e Kosovës është e themeluar menjëherë pas luftës, ndërsa komponentët tjera të institucioneve të sigurisë, siç është FSK- ja, është formuar pas shpalljes së pavarësisë. Kjo është ndoshta një ndër arsyet kryesore pse Policia e Kosovës për momentin ka përfshirjen më të madhe të gruas”.

“Gratë në stafin civil përbëjnë 33. 22 për qind të përfshirjes, kurse gjithsej gra minoritete të stafit civil në Policinë e Kosovës janë 20.32 për qind”
, tha Raifi.

Ndërkaq, për zbatimin e Rezolutës 13 25 të OKB-se, Flora Macula, nga “UN ËOMEN”, theksoi se Kosova ka lëvizur në zbatimin e kësaj rezolute.

“Sa për rajon, mund të them se puna më e madhe është bërë në Kosovë, posaçërisht nga shoqëria civile. Por, jemi të fundit që jemi ulur dhe ndihmojmë Qeverinë së bashku me shoqërinë civile të bëjmë një plan veprimi”.

“Nuk është dokument i dëshirave, nuk është dokument me objektiva shumë të larta që nuk mund të arrihet, nuk është dokument që mund të futet në sirtar”, u shpreh Macula.

Ndryshe, Rezoluta 13 25 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfshin tri shtylla veprimi: parandalimin e dhunës, veçanërisht dhunën seksuale ndaj grave në situata të konflikteve të armatosura, pjesëmarrjen e grave gjatë negociatave për paqe dhe në ndërtimin e paqes, si dhe ndjekjen penale të kundërvajtjes dhe të atyre që kanë kryer krime mbi gratë.

Sa u përket mekanizmave ligjorë për barazi gjinore, Kosova radhitet mirë, mirëpo ekziston një zbrazëti e madhe në zbatimin e tyre, tha Suzan Novorbëdaliu, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Novobërdaliu pohoi se pjesëmarrja e gruas në sektorin e sigurisë nuk është në nivelin e duhur.

“Vërtet, në monitorimin e Ligjit për zbatimin e barazisë gjinore, e kemi vërejtur se në sektorin e sigurisë, respektivisht në FSK dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Polici – pjesëmarrja e femrave nuk është e kënaqshme, si në pjesëmarrje, po ashtu, edhe në vendimmarrje”, pohoi Novobërdaliu për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë konferencës, përfaqësues të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë rekomanduan autoriteteve kompetente që edhe në sektorin e sigurisë të vendoset ndonjë kuotë deri në 20 për qind të përfshirjes se gruas në këtë fushë.

Kjo konferencë është pjesë e projektit dhe bashkëpunimit rajonal “Gruaja dhe sektori i sigurisë”, respektivisht Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë nga Prishtina, si dhe disa qendrave që merren me këtë çështje nga Tirana, Beogradi, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Shkupi.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG