Ndërlidhjet

Dështon edhe formimi i Komisionit hetimor për PTK-në


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës të enjten nuk ka arritur të formojë Komisionin hetimor, i cili do t’i vërtetonte procedurat legale të shitjes së aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës është mbajtur e jashtëzakonshme në lidhje me shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Iniciativa për mbajtjen e kësaj seance ka ardhur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas kërkesës, Kuvendi duhej të formonte Komisionin 11 anëtarësh, në të cilin do të ishin të përfshirë anëtarë nga të gjitha grupet parlamentare. Por, për shkak të mospjesëmarrjes në seancë të deputetëve të partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, Komisioni hetimor nuk ka arritur të formohet.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se Komisioni për hetime nuk mund të plotësohet pa deputetët e pozitës, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancë.

“Ne, me votim nuk mund të shkojmë, sepse nuk kemi numrin e duhur të deputetëve, edhe pse tani kemi prezent rreth 53 deputetë. Kjo është e gjitha. Të paraqitur për debat nuk kemi. Atëherë, presim plotësimin e Komisionit në seancën e radhës”, thënë Krasniqi.

Deputetët opozitarë, e kanë kritikuar PDK-në për mospjesëmarrjen e deputetëve të saj në seancën parlamentare.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka theksuar se partia në pushtet po përpiqet ta sabotojë formimin e Komisionit hetimor për vërtetimin e procedurave legale të shitjes së aksioneve të PTK-së.

“Është e vërtetë që demokracia i lejon edhe këto bojkotime, por vërtet është e habitshme që pozita – më lejoni tash ta them, në fund – pushteti, koalicioni qeverisës, bojkoton ose më mirë të them, tenton të sabotojë hetimin e një çështjeje që ne nuk e paragjykojmë, përpos bazës ligjore, që edhe sot e themi dhe do ta themi vazhdimisht, që s’ka pasur për të nisur ky privatizim. Por, mospjesëmarrja e tyre dëshmon edhe një here paturpësinë, pafytyrësinë edhe të deklarimeve se janë për transparencë, për mbështetjen e plotë të këtij procesi të hetimit, siç është thënë”, është shprehur Beqiri.

Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se Ligji për ndërmarrjet publike e përcakton se Kuvendi i Kosovës është ai që merr vendimin për privatizimin e një pjese apo në tërësi të një ndërmarrjeje publike, ndërkohë që, siç ka thënë ai, Qeveria është një lloj administratori në besim, i aksioneve të ndërmarrjeve.

Sipas tij, Qeveria nuk ka të drejtë të vendosë për shitjen e tyre, por për këtë duhet pyetur publiku.

“Në demokracitë parlamentare, natyrisht që Kuvendi konsiderohet si përfaqësues i publikut e jo Qeveria. Qeveria është ekzekutivi dhe Qeveria në procedimin e këtij procesi të privatizimit, pa e marrë njëherë miratimin e Kuvendit, ka bërë pra këtë puç qeveritar, duke e anuluar Kuvendin, përfaqësuesin e publikut dhe duke marrë vendime krye më vete për pronën publike, për ndërmarrjet publike”.

“Tash, kjo mungesë e deputetëve të koalicionit qeverisës, shumicës së tyre, tregon që në fakt këta puçistë duan ta vazhdojnë puçin e tyre. Pra, duan ta pamundësojnë që Kuvendi të marrë vendime për ta mbrojtur ndërmarrjen publike të Kosovës, për ta mbrojtur Kosovën nga kjo qeveri puçiste dhe gllabëruese”, ka thënë Ymeri.

Ardian Gjini, shef i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se praktika e bojkotimit të seancave të Kuvendit të Kosovës nga partitë politike, po e fut këtë Kuvend në një situatë problematike dhe me pasoja.

“Pavarësisht se si mund të transmetohet, është goxha sjellje – po e rifrazoj -jodemokratike, jo konform asaj çka duam të ndërtojmë, që partitë në pushtet ta lëshojnë sallën. Mendoj se sikur të kishin qenë këtu, kanë mundur që ndoshta edhe të votojnë kundër krijimit të këtij komisioni, edhe pse krijohet me ligj. Prapë se prapë nuk mund ta ndalin, është e drejtë kushtetuese. Mendoj se po shihet që rruga, në të cilën ka hyrë Kuvendi i Kosovës dhe politika e Kosovës, është goxha problematike dhe nuk e di si do të përfundojë”, ka theksuar Gjini.

Ndryshe, Komisioni hetimor për PTK-në pritet të formohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovë, në rast se do të ketë kuorum.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG