Ndërlidhjet

Ju mund të kurseni para


Ilustrim
Ilustrim

Kursimi i parave nga ekonomistët konsiderohet edukatë financiare. Krahasuar me mënyrat e shumta të shpenzimit të parave, ka shumë pak mënyra për t'i kursyer ato. Por, gjithsesi, secili individ duhet të vendosë objektiva, fillimisht për të administruar mirë paratë, e pastaj edhe për t'i kursyer ato.

Në rubrikën “Vetëmenaxhim” të këtij edicioni, do t'ju sjellim disa nga mënyrat më të mira të kursimeve.

Kush mund të kursejë para dhe si mund ta bëjë këtë?

Kursimi i parave nuk është një detyrë edhe shumë e lehtë për t'u bërë, por është një gjë e arritshme.

Personat me paga më të larta mund të arrijnë të kursejnë shumë më shumë se sa ata që kanë paga më të ulëta.

Në Kosovë, mesatarisht, të punësuarit paguhen nga 300 deri në 400 euro në muaj, por se gjithsesi ka persona të cilët kanë të hyra më të larta.

Çdo individ duhet të llogarisë se sa do të shpenzojë çdo muaj, e pastaj t’i rivendosë kursimet. Njëra nga mënyrat më të mira për të kursyer mbetet hapja e llogarive bankare të kursimeve.

Tashmë është e njohur që pagesa me kartë krediti është më e lehtë për të shpenzuar para, se sa mënyra e të paguarit me para në dorë, pasi që dihet saktësisht se sa para ju kanë mbetur.

Tregohuni kritikë në shpenzime

Që të administroni më mirë paratë tuaja, është mirë që të tregoheni kritikë në shpenzime, thotë profesori i Universitetit të Prishtinës për menaxhimin e financave, Berim Ramosaj.

BERIM RAMOSAJ
Familjet shqiptare fenomenin e kursimit e kanë marrë më tepër si element tradicional, element që janë munduar ta vazhdojnë përvojën e prindërve. Krijohet ndjenja e kursimit dhe kjo krijohet pak nga tradita dhe pak nga mjedisi.

Varet si të imponohet mjedisi, nëse është mjedis shumë turbulent, mjedis me sfida të mëdha, padyshim që shkalla e riskut është e madhe. Kur shkalla e riskut është e madhe, shkalla e kursimit është më e lartë.

Është një rregull, varësisht nga burimi i financimit, rritet shkalla e riskut. Nuk është e njëjtë sikur të marrësh borxh të holla, sepse ato do t'i kursesh më shumë sesa ato para që i ke të rregullta.

Mënyra e financimit është bazë për mentalitetin e kursimor

BERIM RAMOSAJ
Menaxhim bëhet në të gjitha fushat, në këtë rast edhe me paratë. Menaxhimi i parasë do të thotë orientim në mënyrë të vetëdijshme. Nëse është fjala për familje, është "nikorqillëk", nëse është fjala për ndërmarrje prodhuese, është për të qenë prodhueshmëria e mirë, nëse është fjala për bankë, ka të bëjë me një raport të mirë mes të hyrave dhe të dalave.

Nëse arrijmë ne qytetarët e Kosovës t’i edukojmë që në mënyrë të vetëdijshme, qoftë t’i shpenzojmë, qoftë t’i marrim, atëherë ne kemi kryer punën, se krejt është ky raport, planifikimi midis të hyrave potenciale që i ka një familje ose një individ, dhe të dalave potenciale në atë periudhë.

E, nëse ne arrijmë t’i harmonizojmë që të hyrat të jenë përafrisht të njëjta me të dalat ose më të mëdha se të dalat, atëherë dalim pozitiv, ose shpenzimet t’i mbajmë në atë nivel të menaxhimit që t’i kemi ose sa të ardhurat, ose më pak se të ardhurat, atëherë edhe ky është menaxhim.

Arkat e kursimit

Nëse një individ arrin të krijojë shprehi të kursimit, ka bërë një punë të mirë.

Një mënyrë tjetër për të kursyer para, ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë edhe ndarjen e një sasie të parave në një arkë të vogël kursimi, e cila mund të mbahet në shtëpi.

Vendosni qëllime kursimit, thonë ndër të tjera ekspertët e makro dhe mikro- ekonomisë.

Nëse dëshironi të blini diçka, duhet ta dini se sa kushton ai produkt, pastaj kurseni në javë, në muaj ose në vit për të arritur qëllimin tuaj.

Nëse një produkt që dëshironi ta bësh, kushton 300 euro, dhe ju këtë nuk arrini ta merrni me pagën që ju keni, atëherë filloni të kurseni 1 apo më shumë euro në ditë në arkën tuaj.

Në një periudhë afatshkurtër do të shihni se si keni arritur të kurseni 300 euro dhe ta blini atë produkt për të cilin ju keni pasur nevojë.

Planifikoni shpenzimet

Familjet duhet t'i planifikojnë të gjitha shpenzimet mujore. Kjo ishte një këshillë e dhënë vazhdimisht nga ekspertët e mikro dhe makro-ekonomisë në rubrikën "Vetëmenaxhim".

Nëse familjet kanë qenë më të vëmendshme dhe kanë arritur të shënojnë brenda muajit të gjitha shpenzimet, tani është koha që t'i rishikojnë ato dhe të shohin se cilat nga to janë të panevojshme dhe ato të mos përsëriten më. Ato para të kursehen.

Valbona Kelemendi, menaxhuese e mirë e parave, tregon për mënyrën e saj të kursimit. Pavarësisht të ardhurave mujore jo të larta, ajo arrin të kursejë 20 euro në muaj.

“Nuk kursej shumë, se kam obligime, por kursej 20 euro në muaj. I kam vendosur prioritet vetes që në fillim të muajit kalojnë në kursime. Në rastet kur mund të mbes pa para dhe në llogarinë time të kursimeve tani është mbledhur një shumë e konsiderueshme, edhe atëherë gjej alternativa tjera dhe nuk i tërheq paratë e kursyera".

"Kjo për arsye se paratë, të cilat i kam kursyer, kanë një qëllim tjetër, mund të duhen në kohë më të vështira, siç mund të jetë mbetja pa punë, ndonjë sëmundje e papritur. Kam me vite që nuk i kam tërhequr ato holla, pasi që i kam të dedikuar për diçka tjetër", thotë Kelmendi.

Llogari kursimi

Hapja e një llogarie kursimi në banka vlerësohet të jetë mënyrë e lehtë për të kursyer. Nga hapja e kësaj llogarie, mund të merrni interes më të mirë në llogaritë e kursimeve, sesa në llogaritë rrjedhëse bankare.

Mund të kurseni rregullisht përmes urdhëresës automatike.

Bankat në Kosovë ofrojnë disa mundësi për të kursyer.

Depozita me afat në disa banka është alternativë më e mirë për të fituar interes më të lartë nga kursimet tuaja.

Depozita me afat ju ofron interesa të larta për periudha të ndryshme. Këto fonde nuk mund t’i tërhiqni para maturimit. Nëse fondet e tilla tërhiqen para maturimit, atëherë do të aplikohet ndalesa e përcaktuar paraprakisht.

Llogaria e kursimit është depozitë e kursimit, në të cilën paguhet interesi dhe që ju mundëson t'i menaxhoni kursimet në mënyrë më fleksibile, ngase ju mund të tërhiqni të hollat nga kjo llogari në çdo kohë brenda në bankë, pa e humbur interesin e fituar për atë kohë sa të hollat kanë qëndruar në bankë.

Interesi llogaritet në baza ditore dhe kreditohet në llogarinë tuaj një herë në vit.

Kursimet mund t'i nisni që tani, duke ndarë çdo muaj një shumë sado të vogël të hollash. Po ashtu, bankat në Kosovë mund edhe t'ju përkrahin në mënyrën e të kursyerit, duke ju ofruar mundësinë automatike të kalimit të mjeteve nga llogaria rrjedhëse në llogari kursimi, sidomos për ata që marrin pagën nëpërmjet bankave.

Kështu i shtoni kursimet tuaja bashkë me interesin e fituar nga banka, të cilat mund t'i përdorni pastaj për qëllime të ndryshme.


Në edicionin e tetë të rubrikës sonë, ju ftojmë të ndiqni intervistë me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza.

Hamza do të flasë për rubrikën "Vetëmenaxhim" dhe do të japë këshilla për menaxhimin e financave.

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
XS
SM
MD
LG