Ndërlidhjet

KDI: Eksperimente me ndërmarrjet e privatizuara


Pamje e ndërtesës së privatizuar nga shitja e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, e njohur si KEDS.

Pamje e ndërtesës së privatizuar nga shitja e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, e njohur si KEDS.

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë, është realizuar pa ndonjë strategji afatgjatë se cilat do të mund të jenë përfitimet, apo thënë ndryshe, është bërë eksperiment me ndërmarrjet e shitura. Kështu u tha të premten gjatë një tryeze të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën procesi i privatizimit në Kosovë.

Naser Osmani, deputet i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-nënkryetar i bordit të Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tha se politikat e atëhershme për procesin e privatizimit, të udhëhequra nga Shtylla IV e UNMIK-ut, më tepër kanë qenë në formë eksperimenti, pa pasur një plan afatgjatë se si t’i qasen privatizimit.

Në mungesë të studimeve të mirëfillta dhe të një debati me përfaqësues kompetentë, në Kosovë është privatizuar gjithçka, tha ai, duke shtuar se pasojat janë ndier më vonë, sidomos te ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special.

“Thjesht, është shitur nga një dyqan i vogël, e deri te një ndërmarrje që ka qenë në interes të përgjithshëm dhe strategjik, siç ishte ‘Feronikeli’ apo të tjerat. Pasojat janë ndier më vonë, sidomos në ndërmarrjet e privatizuara me spin-off-it special për arsye se ndërmarrjet nuk janë shitur për shkak të çmimit, por për shkak të kushteve që kanë ofruar investitorët”, tha Osmani.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, lëvizje kjo që vazhdimisht ka kundërshtuar procesin e privatizimit, pohoi se në fillim të këtij procesi ka qenë një pajtueshmëri e dëmshme e subjekteve të atëhershme politike dhe administratës ndërkombëtare, se privatizimi nuk ka alternativë.

Privatizimi pa planifikim, përveç se është realizuar me afera korruptive, siç tha Ymeri, ka shkatërruar ekonominë kosovare. Sipas tij, me këtë proces është rritur shkalla e papunësisë.

“Mënyra se si është udhëhequr privatizimi në Kosovë, nuk është e çuditshme kur e kemi parasysh shkakun e tij. Shkaku ka qenë parimi ideologjik, që çdo gjë duhet të jetë private. Prandaj, në këtë mënyrë UNMIK-u e ka nisur procesin e privatizimit dhe përmes AKP-së e ka vazhduar këtë proces, edhe me pjesëmarrjen e subjekteve politike në bordin e AKP-së”, u shpreh Ymeri.

Autoritetet kompetente kanë filluar dhe po e përfundojnë këtë proces të papërgatitur, konsideron Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Driton Selmanaj

Driton Selmanaj

“Kemi hyrë të papërgatitur në këtë proces, kemi vazhduar të papërgatitur dhe po përfundojmë të papërgatitur”, theksoi Selmanaj.

Në anën tjetër, edhe punëtorë të ndërmarrjeve tashmë të privatizuar kritikuan procesin e privatizimit. Hasan Ramadani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Fabrikës së Gomës “Ballkan”, në Suharekë, tha se blerësi i ri, nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara.

“Them me përgjegjësi se në rend të parë është zgjedhur blerësi, e pastaj është bërë privatizimi i ndërmarrjes. Blerësi i ri, me spin-off special, kishte dy kushte kryesore: të punësojë në fillim 375 punëtorë dhe brenda dy vjetësh të bëjë investime 6 milionë euro. Firma, e cila e bleu, ishte nga Turqia dhe në afat dyvjeçar nuk i përmbushi obligimet e veta”, tha Ramadani.

Në anën tjetër, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bënë të ditur se deri më tani janë privatizuar 392 ndërmarrje, prej të cilave janë krijuar 700 ndërmarrje të reja, ndërsa janë likuiduar 360 asete.

Fondi i mbledhur nga procesi i privatizimit është 570 milionë euro, nga ai i likuidimit 72 milionë. Kurse, deri më tani për punëtorët, të cilëve iu ka takuar 20 përqindëshi, nga shitja e ndërmarrjeve të privatizuara, janë ndarë 77 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG