Ndërlidhjet

logo-print
Në Kosovë është politizuar edhe emërimi i drejtorëve në sektorin parauniversitar, thonë udhëheqës të Sindikatës së arsimit dhe ekspertë për çështje të kësaj fushe, duke shtuar se kriter për zgjedhjen e drejtorëve, është afërsia me akëcilën parti që udhëheq komunën.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ali Shabani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se emërimi i drejtorëve të shkollave në baza partiake dhe pa kritere, është bërë i zakonshëm në këtë sektor.

“Kjo çështje shihet haptas, se nëpër komuna, kryesisht drejtorë të shkollave emërohen militantë të partive. Fatkeqësisht është kjo, edhe pse në komuna aty-këtu ka ndonjë drejtor të partive tjera, në mënyrë që të kamuflojë situatën, ose janë njerëz të afërt, të cilët për shkak të nepotizmit, edhe mbahen në krye të institucioneve arsimore”, thotë Shabani.

Edhe Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pohon se nuk merret për bazë aftësia profesionale e kandidatit potencial, por prioritet në konkurse mbetet dëgjueshmëria dhe përfaqësimi i interesave të partisë në pushtetin lokal.

Ai, madje, shprehet se shpeshherë drejtorët e shkollave emërohen me idenë se ata do të jenë menaxherë të qendrave të votimit dhe jo menaxherë të një institucioni edukativo- arsimor.

“Unë mendoj se arsyeja qëndron në faktin se komunat duan të kenë kontroll mbi shkollat, pasi ato janë në varësi të komunave. Shkollat, përveçse punësojnë një numër të caktuar të kuadrit, që janë punonjës publik dhe bartës të komunës, ato janë edhe qendra votimi”.
Shkollat, përveçse punësojnë një numër të caktuar të kuadrit, që janë punonjës publik dhe bartës të komunës, ato janë edhe qendra votimi.

“Nëpërmjet shkollave në shumë zona, konkretisht në ato rurale, bëhen ndikime te popullata, ato vlejnë edhe si qendra të komunitetit, ku njerëzit mblidhen, takohen, bisedojnë e kështu me radhë. Dhe, në këtë kulturën tonë është shumë e zakonshme që komunat të shprehin vullnetin për të ushtruar një farë kontrolli mbi shkollën”, pohon Pupovci.

Ndryshe, Ali Shabani thotë se SBASHK-u ka kërkuar nga autoritetet kompetente që kjo dukuri të parandalohet.

“Ne kemi kërkuar disa herë që politika të jetë larg shkollës, sepse shkolla do profesionalizëm dhe jo politikë, por fatkeqësisht një gjë e tillë ekziston sot. Aktualisht, ka shumë ushtrues detyre të drejtorëve dhe pritet 3 nëntori të dëshmojnë veten ata në zgjedhjet lokale, ose të ndodhë e kundërta”, konsideron Shabani.

Në anën tjetër, udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, theksojnë se nuk mund të përjashtohen raste të tilla, por që ankesa për këtë çështje, nuk arrijnë në Ministri të Arsimit.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit të Administratës së Arsimit Parauniversitar, thotë se emërimi i drejtorëve të shkollave nuk është kompetencë e Ministrisë, por e kryetarit të komunës.

Megjithatë, ai shprehet se në raste të parregullsive dhe ankesave eventuale të paraqitur, ministria kontrollon situatën se a janë respektuar procedurat, dhe jep rekomandime, por prapë vendimin e merr kryetari i komunës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës

“Nuk besoj se ndodh kjo, edhe pse nuk përjashtohet rasti, por ne si ministri, nuk marrim ankesa të tilla. E kemi Departamentin e Inspeksionit".

"Natyrisht, Inspeksioni shkon e incizon gjendjen dhe shikon se a janë respektuar procedurat dhe jep vlerësim, ai mund të japë rekomandime, ndryshe nuk ka të drejtë të marrë vendime, sepse vendimin e nxjerrin organet komunale në bazë të Ligjit për arsim”
, potencon Istogu.

Sidoqoftë, në bazë të Ligjit për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve arsimore, mësimdhënësit, asistentët dhe instruktorët, zgjidhen përmes një konkursi publik në bazë të meritës personale, pa asnjë lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për arsye reale apo të supozuara që ka lidhje me gjininë, racën, gjendjen martesore, orientimin seksual, përkatësinë etnike, nevojat e veçanta, pasurinë, vendin e lindjes, pikëpamjet politike ose filozofike apo rrethanat e tjera.

Autoritetet që bëjnë emërimet, siç përcaktohet në këtë ligj, krijojnë procedura të drejta, të hapura dhe transparente për angazhim bazuar në kualifikimet dhe nevojat e postit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG