Ndërlidhjet

logo-print

Shqiptarët në Maqedoni: Nisma për bashkëpunim, përfundon me përçarje


Shkup...

Shkup...

Bisedimet për bashkim apo koalicion ndërmjet dy partive politike opozitare shqiptare, jo vetëm që kanë rezultuar të dështuara, por ato kanë rikthyer fjalorin fyes ndërmjet tyre që ishte i pranishëm edhe pas dështimit të një iniciative të ngjashme para më shumë se një viti.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), mbetet në qëndrimin se në Maqedoni duhet të ketë një parti të fuqishme opozitare dhe se të tjerat më të voglat duhet t’i bashkohen asaj në synimin për marrjen e pushtetit.

Por, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) tha se me PDSH-në, mund të bëjë koalicion vetëm sipas modelit të LSI-së dhe PS-së në Shqipëri, e kurrsesi të pranojë shkrirjen dhe se për një gjë të tillë as që është biseduar.

“Ne jemi për bashkim, ky është rezultati edhe i zgjedhjeve dhe vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që hallet që kanë shqiptarët, edhe në nivel qendror, t’i nxjerrin nga ai kolaps ku ndodhen. Të gjithë ata, të cilët janë të interesuar, tani flas edhe për qytetarët, duhet t’i përgjigjen kësaj thirrjeje për bashkim”, deklaroi Zijadin Sela, i deleguari i PDSH-së për bisedimet me RDK-së.

Pas refuzimit të kësaj oferte, RDK-ja, akuzoi PDSH-në për veprime manipuluese e shpifje dhe, madje, i propozoi që ofertën e saj për bashkim ta dërgojë te VMRO-DPMNE-ja dhe në këtë mënyrë të realizojë, siç thuhet, “ëndrrën e saj për t’u kthyer në pushtet pa përkrahjen demokratike të popullit shqiptar”.

Duke komentuar situatën e këtillë të krijuar në bllokun opozitar shqiptar, Alajdin Demiri, tani analist politik, ndërsa në vitin e 1997 ish-kryetar i Komunës së Tetovës nga radhët e PDSH-së, thotë se partitë asnjëherë nuk do të arrijnë të bashkohen, e as të bashkëpunojnë.

“Iniciativat për bashkëpunim, koalicion apo bashkim të RDK-së dhe PDSH-së, janë iniciativa shterpe, që më tepër flasin për gjendjen shpirtërore, në të cilën gjenden këto dy parti ose më saktë dy liderët e tyre, janë iniciativa e të mbyturve si të RDK-së së Rufi Osmanit, ashtu edhe të PDSH-së së Thaçit. Nuk ka ide sublime apo ide politike që mund t’i bashkojë këta dy liderë meqë ata më tepër merren me çështjet individuale se ku do të gjenden, sesa çfarë ndodh në spektrin politik”, vlerëson Demiri.

Ai thekson se shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë, jo vetëm për një opozitë të fortë, por edhe për një pozitë të fuqishme në ekzekutiv. Kjo, sipas Demirit, vështirë se do të arrihet në një të ardhme të afërt.

“Shqiptarët kanë nevojë shumë të madhe, jo vetëm për opozitë, por kanë nevojë edhe për opozitë. Problemi substancial është se shqiptarët nuk kanë pozitë për të krijuar opozitë. Opozita e tashme lufton që të zërë vendin e pozitës së tashme, mirëpo, si njëra, ashtu edhe tjetra, nuk janë ofertë për shqiptarët. Ato paraqesin apo janë oferta për klanet e tyre që mundohen të aktrojnë rolin e pozitës apo opozitës”, sqaron Demiri.

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, gjithashtu ka qenë një ish-zyrtar i PDSH-së. Partia e tij është e përfaqësuar në Kuvend me dy deputetë, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale Osmani kishte humbur zgjedhjet për kreun e Komunës së Gostivarit me një diferencë shumë të ngushtë nga kandidati i BDI-së.

Ndërkohë, në Kuvend, PDSH-ja është e përfaqësuar me 8 deputetë, por me bashkimin eventual me RDK-në, ajo beson se do të dilte fituese kundrejt BDI-së së Ali Ahmetit, e cila ka fituar të gjitha ciklet zgjedhore që nga viti 2002.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG