Ndërlidhjet

BE-ja kërkon që Tymoshenko të amnistohet


Mbështetësit e Tymoshenkos në Ukrainë.

Mbështetësit e Tymoshenkos në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë

Dy të dërguar të Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, që ta amnistojë ish-kryeministren, Yulia Tymoshenko.

Avokati i zonjës Tymoshenko, Serhiu Vlasenko, gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Kijev të Ukrainës, tha se ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Pat Cox, dhe ish-presidenti i Polonisë, Aleksander Kwasniewski, kishin kërkuar nga zoti Yanukovich, që ta amnistojë Tymoshenkon, gjatë një takimi ditën e premte.

Cox dhe Kwashniewski e vizituan zonjën Tymoshenko në burg në qytetin lindor Harkov.

Avokati Vlasenko tha se Tymoshenko e kishte pranuar një ofertë për trajtim mjekësor në Gjermani, për shkak të problemeve me shpinë. Këtë ofertë zonja Tymoshenko e kishte pranuar.

Avokati pastaj e lexoi mesazhin nga Yulia Tymoshenko.

“Për ta zgjidhur çështjen e të burgosurve politikë në Ukrainë, misioni special i Parlamentit Evropian, që punon në Ukrainë, i udhëhequr nga Pat Cox dhe Aleksander Kwasniewski, janë në negociata të vazhdueshme me Viktor Yanukovichin për lirimin tim. Unë u falënderohem pakufishëm atyre dhe të gjithë liderëve të botës, që i deleguan ata, u dhanë atyre mandat, dhe që e mbështesin punën e tyre”, e lexoi avokati Vlasenko, mesazhin e zonjës Tymoshenko.

Njëherësh, Tymoshenko tha se nuk do të kërkonte azil politik derisa gjendet jashtë Ukrainës.

Në vitin 2011, ish-kryeministrja 52-vjeçare e Ukrainës, është dënuar me shtatë vjet burg, lidhur me akuza për një marrëveshje për gaz me Rusinë. Tymoshenko i refuzon akuzat dhe thotë se ato janë politikisht të motivuara.

Akuzat u bënë pasi ajo i humbi zgjedhjet presidenciale kundër Yanukovichit në vitin 2010.

Qeveritë e disa vendeve perëndimore dhe shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë kërkuar nga autoritetet e Ukrainës, që ta lirojnë Tymoshenkon.

Bashkimi Evropian, për një kohë të gjatë, synon amnisti për ish-kryeministren, ose së paku lirimin e saj për trajtim mjekësor jashtë Ukrainës, derisa pritet nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociim i BE-së me këtë vend, në muajin nëntor.

Ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Yariy Lutsenko, i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja e kishte lidhur nënshkrimin e marrëveshjes me lirimin e Tymoshenkos.

“Duket se sikur nën presionin, para së gjithash, të opinionit evropian, Yanukovich, gjatë ditëve të fundit, e ka kuptuar se nuk mund t’i mashtroj evropianët. Bisedimet, që nuk mund ta ndryshojnë statusin e Tymoshenkos, nuk funksionojnë. Procesi i lirimit të Tymoshenkos ka filluar. Nuk e di se kur do të përfundojë, por dëshiroj shumë që kjo të ndodhë sa më parë”, tha Lutsenko.

Në një zhvillim të ndërlidhur, zëvendësi i parë i prokurorit të Ukrainës, Renat Kuzmin, është shkarkuar nga presidenti Yanukovich.

Kuzimin ishte shef i prokurorëve në rastin Tymoshenko dhe e kishte akuzuar atë për bashkëfajësi për vrasjen e anëtarit të Parlamentit të Ukrainës, Yehven Shcherban, në vitin 1996. Ai, poashtu, i ishte kërcënuar Tymoshenkos me akuza të tjera.

Pas shkarkimit, Kuzmin është nominuar për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Ukrainës. (f. bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG