Ndërlidhjet

Ngufatje nga kamatat


Kultivimi i patates në Pestovë
Kultivimi i patates në Pestovë
Normat e larta të interesit për kredi në sistemin bankar, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, vlerësohet të kenë ngadalësuar rritjen e Bruto Produktit Vendor në Kosovë.

Bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht janë kritikuar për norma të larta të interesit të kredive. Shumë herë nga ekspertët ishte cilësuar se bankat në Kosovë kanë normat më të larta të interesit në rajon.

Sipas disa organizatave joqeveritare që merren me këtë çështje, normat e kredive sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Instituti për Hulumtime të Avancuara në Kosovë (GAP) në vazhdimësi bën publikimin e raportit të quajtur “Bankometri”. Nëpërmjet këtij raporti, siç thotë përfaqësuesi i këtij instituti, Berat Thaçi, po plotësojnë vakuumin informativ, me të cilin përballen qytetarët dhe bizneset në Kosovë lidhur me sistemin bankar.

“Normat më të larta të interesit për kredi në rajon janë në Kosovë, ndërsa krahasuar me shtetet tjera të rajonit, ne e kemi GDP për kokë banori më të ulëtën në rajon. Ky kombinim i këtyre indikatorëve e ka ngadalësuar rritjen e bruto produktit vendor”, thotë Thaçi.

Sipas Thaçit, normat e larta të interesit për kredi në Kosovë, janë edhe si pasojë e sundimit të dobët të ligjit, mungesës së konkurrencës së mirëfilltë në sektorin bankar, mungesës së transparencës, si dhe mungesës së aftësisë së BQK-së për të ndikuar në uljen e kredive.

Sidoqoftë, Instituti GAP vlerëson se zbatimi i rregulloreve, të cilat rrisin transparencën në sistemin bankar, mund të ketë efekt në uljen e normave të interesit.

“Banka Qendrore e Kosovës mund të sigurojë politika indirekte që të ulen këto norma të larta të interesit në kredi. Për shembull, mund të jetë shumë aktive në sigurimin e transparencës në sektor. Disa rregullore që janë miratuar, nuk janë duke u zbatuar. Ne si qytetarë ende nuk kemi qasje ne norma efektive të interesit”, bën të ditur Thaçi.

Pamje e disa prej bankave në Prishtinë
Pamje e disa prej bankave në Prishtinë
Kamatat e larta të kredive, po pamundësojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, madje ka raste kur biznese të ndryshme obligohen të shuajnë veprimtarinë e tyre. Sipas një hulumtimi të bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, rezulton se 25 për qind e bizneseve të falimentuara, veprimtarinë e kanë shuar për shkak të kamatave që aplikojnë bankat komerciale.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, konsideron se mundësia e financimit të bizneseve nga bankat, është shumë e vogël, pikërisht për shkak të kostos së lartë të normave të interesit.

“Të kemi parasysh që bujqësia me 20 për qind apo 25 për qind e ka të pamundur të shfrytëzojë kredi, ose degët tjerë industriale ku cikli i qarkullimit të kapitalit është shumë më i ngadalshëm se në tregti, ta zëmë. Dhe, është esenciale mosdëshira e bizneseve që të huazojnë mjete nga bankat”, vlerëson Rexhepi.

Kredimarrja e shtrenjtë, thotë Rexhepi, rrezikon edhe sistemim bankar. Do të ishte shumë më e pranueshme, shton Rexhepi, që vetë bankat të përmirësojnë ofertën dhe kushtet e kredisë dhe kjo të përshpejtojë një cikël të zhvillimit.

“Këtë e them edhe nga fakti se Kosova është në pozicion më të mirë në krahasim me vendet e rajonit sa i përket pjesëmarrjes në kredi të këqija, sado që ato kanë një rritje në vitet e mëhershme, janë shumë më të ulëta se sa në Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi. Bankat nuk kanë ndonjë rrezik nëse fillojnë me një trend të uljes së kamatave në kredi”, thekson Rexhepi.
XS
SM
MD
LG