Ndërlidhjet

logo-print

Forcat speciale të SHBA-së ndërmarrin aksione në Afrikë


Forcat amerikane

Forcat amerikane

Raportohet se forcat speciale të Shteteve të Bashkuara i kanë lansuar dy sulme kundër liderëve militantë islamikë në Afrikë.

Zyrtarë amerikanë në Libi njoftuan se forcat amerikane e kanë zënë personin Nazih Abdul-Hamed al-Ruqai, i njohur me nofkën e tij, Anas al-Libi.

Ai ishte person i kërkuar në Shtetet e Bashkuara, për sulmet me bomba në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, në vitin 1998. Nga këto sulme ishin vrarë 224 vetë.

Të afërmit e liderit militant al-Libi thanë se ai ishte zënë të shtunën afër shtëpisë së tij në kryeqytetin Tripoli të Libisë.

Zyrtarët e Libisë nuk iu përgjigjën thirrjeve nga agjencia “Assotieted Press” (AP), e cila ka kërkuar komente për zënien e al-Libit.

Në të kaluarën, ka pasur raporte të shumta për arrestimin e al-Libit, të cilat më vonë janë hedhur poshtë nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2007, organizata “Human Rights Watch”, tha se besonte se ai ishte në mesin e dhjetëra personave të vrarë, që ndoshta ishin mbajtur në burgjet sekrete të agjencisë amerikane CIA.

Uashingtoni kishte ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për informacione, që mund të çonin në arrestimin e al-Libit.

Njëherësh, Pentagoni konfirmoi se në Somali, forcat amerikane e kanë ndërmarrë një kërkim për ta zënë liderin e grupit militant Al-Shabab.

Zyrtarët brenda Somalisë bënë të ditur se forcat ndërkombëtare ushtarake kishin kryer një sulm të shtunën herët në mëngjes, në qytetin Barawe.

Një zyrtar i paemëruar amerikan i tha agjencisë AP se forcat e Shteteve të Bashkuara ishin të angazhuara kundër militantëve të al-Shababit dhe kishin shkaktuar disa viktima, por asnjë pjesëtar i forcave amerikane nuk kishte pësuar ndonjë lëndim.

Mbetet disi e paqartë se a është zënë apo jo personi që ishte cak i sulmit.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili gjendet në Indonezi, tha se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të ndalen për t’i luftuar ata që kryejnë akte terrori.

“Ne shpresojmë se kjo e bën të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ndalen kurrë në përpjekjet për t’i mbajtur përgjegjës ata, që kryejnë akte të terrorit dhe ata anëtarë të al-Kaidës dhe organizatave të tjera terroriste, praktikisht mund të ikin, por nuk mund të fshihen”.

“Ne do të vazhdojmë në përpjekje për sjelljen e këtyre njerëzve para drejtësisë në mënyrë përkatëse, me shpresë se përfundimisht ky lloj i aktiviteteve kundër çdokujt në botë do të ndalet”,
tha John Kerry.

Më herët, militantët e grupit Al-Shabab thanë se forcat speciale britanike dhe turke kishin sulmuar gjatë natës në qytetin Barave, duke e vrarë një luftëtar kryengritës, por një oficer britanik, po ashtu, ishte vrarë dhe disa të tjerë ishin plagosur.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se nuk ishte e vetëdijshme për çfarëdo involvimi të tillë britanik.

Një zyrtar në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, gjithashtu, e hodhi poshtë pjesëmarrjen e Turqisë në një aksion të tillë.

Një oficer i Inteligjencës në Somali tha se në shënjestër të sulmit në Barave ishte një komandant çeçen, i cili ishte plagosur, ndërsa truproja e tij ishte vrarë. Policia tha se janë vrarë gjithsej shtatë vetë.

Ky aksion u bë disa javë pasi militantët e grupit Al-Shabab i vranë së paku 67 vetë në qendrën tregtare “Westgate” në kryeqytetin Najrobi të Kenias. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG