Ndërlidhjet

Sot hapen letrat në Bruksel


Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq pritet t’i sqarojnë problemet të hënën mbrëma gjatë një darke me shefen e diplomacisë evropiane Catherine Ashton.

Dy palët janë "zënë" për zgjedhjet e 3 nëntorit, pasi zyrtarëve të lartë serbë nga Beogradi iu ndalua hyrja në Kosovë.

Se çështja është, sic thuhet, serioze flet edhe ftesa e menjëhershme e baroneshës Ashton, e cila për të hënën ftoi palët në Bruksel për një darkë pune dhe për të sqaruar ndalimin e qarkullimit të zyrtarëve serb, përfshirë edhe vet kryeministrin Daçiq.

Ky i fundit ka kërcënuar me tërheqjen nga tavolina negociatore në rast se ndalesa e qeverisë në Prishtinë, të cilën e konsideron si skandaloze, nuk tërhiqet shpejt.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë ditë më parë se vendimi është marr në kuadër të kornizës ligjore në vend.

Zëvendësi i tij Hajredin Kuçi ka sqaruar se ndalesa vlen vetëm për fushatën zgjedhore, dhe jo për vizitat e karakterit religjioz.

Homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq ka porositur të dielën se takimi i së hënës mes dy kryeministrave do të sjellë një zgjidhje, e cila do të zhbëjë ndalimin e hyrjes për zyrtarët e lartë serb.

Por një opozitar në Serbi, Çedomir Jovanoviq akuzoi ditë më parë dy kryeministrat për aktrim të dobët, dhe se porositë e tyre janë të panevojshme në këtë “teatër politik”.

Ajo që dëgjohet nga Beogradi dhe Prishtina, mendoj se është e panevojshme dhe e tejsforcuar. Kjo është pjesë e teatros politike në të cilin Daçiq e Thaçi shpesh aktrojnë keq, duke u munduar që të koketojnë me nacionalistët, dhe të përulin çmimin që Beogradi dhe Prishtina duhet të paguajnë për ndryshimin e kursit politik që është bërë, e që nuk ndryshohet më”, u tha të dielën Jovanoviq gazetarëve.

Përderisa Beogradi vlerëson se është në pozitë më të favorshme në raport me Prishtinën për darkën e Ashton-it, faktori politik në Kosovë nuk zuri këtë gjë në gojë gjatë fushatës të së dielës.

Faktori ndërkombëtar në Prishtinë nuk e ka komentuar "zëshëm" këtë problematikë.
XS
SM
MD
LG