Ndërlidhjet

Maqedoni: Reklamat qeveritare me kosto të lartë dhe pak efekt


Të dhënat për muajin e fundit nga Byroja për Furnizime Publike bëjnë të ditur se janë nënshkruar disa kontrata në vlerë prej 1.7 milion eurosh me disa agjenci të marketingut, për të promovuar fushata të ndryshme të politikave qeveritare.

Fushata më e kushtueshme e qeverisë edhe atë në vlerë prej gjysmë milion euro është ajo e cila ka të bëjë me informimin e qytetarëve dhe subjekteve të biznesit për mundësitë e krijuara nga politikat e qeverisë në sektorin e bujqësisë.

Por qytetarët thonë se reklamat e ndryshme të cilat emërohen në eterin mediatik nuk kanë kurrfarë vlere sepse nuk kanë kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Rufki Loku thot se edukimi i gjeneratave më të reja për mundësitë dhe perspektivën e tyre duhet të bëhet në institucione dhe jo përmes fushatave shumë të kushtueshme.

Reklamat janë vetëm për mashtrimin e popullit, edukata bëhet në institucione dhe jo në rrugë duke ndjekur billbordet, bëhet fjalë për harxhime të kota”, thotë Loku.

Ndërkaq Marina Spasovska, konsideron se në kushte krize një pjesë e strukturave udhëheqëse lan paratë.

“Bëhet fjalë vetëm për larje parash, ngase ata emetohen në një medium të caktuar”, thotë Marina Spasovska.

Edhe Hasan Kurti është i mendimit se realiteti që prezantohet në fushatë është krejt ndryshe nga ai me të cilin përballen qytetarët çdo ditë.

“Reklamat janë krejt gënjeshtra, shihi rinia është pa punë, çka ka punuar Qeveria në këtë drejtim? Asgjë, krejt gënjeshtra janë! Duhet të punohet më shumë sesa të angazhohet për reklama”, thotë Kurti.

Nga ana tjetër Petrit Saraqini nga Qendra Maqedonase informative thotë se fushat e ndryshme të qeverisë janë pandan i mungesës së debatit për shumë çështje thelbësore të cilat mbeten të patrajtuara nga opinioni publik.

Po nuk e di në arrijnë të realizojnë efektin e tyre, edukimin e qytetarëve ngase shumica e këtyre reklamave edhe pse në dukje të parë janë të lidhura me interesin publik, unë mendoj se këto fushata të qeverisë shumë më tepër kanë të bëjnë me blejnë e mungesës së kritikës dhe blerjen e favorit të politikës redaktuese”, nënvizon Saraqini.

Nga ana tjetër, analisti maqedonas Klime Babunski vlerëson se problem në vetë paraqet dhe fakti se askush nuk ka dalë me një analizë konkrete në është arritur çfarëdo qoftë efekti kundrejt kostos së lartë si për realizimin e tyre, ashtu dhe për emetimin në media.

"Mos janë zvogëluar radhët e gjata në ambulanca nga fushat e qeverisë, ose mos duket se është përmirësuar diçka në sistemin arsimorë? Gjegjësisht a mund të konstatojmë se është përmirësuar furnizimi me energji elektrike pas fushatave të EVN-së. Më duhet të theksoj se në të gjitha këto institucione pothuajse asgjë nuk është përmirësuar në të mirë të qytetarëve edhe pse janë derdhur aq shumë para për reklama”, shprehet Babunski.

Ai thekson se përkundrejt faktit se në praktikë asgjë nuk shkon nga e mbara përmes fushatave të ndryshme, qytetarëve u demonstrohet një angazhim i theksuar i qeverisë për të përmirësuar cilësinë e jetesës në Maqedoni.

Ndërsa Xhelal Neziri, publicist, konsideron se fushatat e Qeverisë janë shndërruar dhe një mjet shantazhues për mediat, ato të cilat marrin guximin të kritikojnë politikat qeveritare nuk kanë akses në reklamat shtetërore që janë një burim i sigurt i të ardhurave.

“Ajo që lë hapësirë për të dyshuar është mënyra se si ndahen këto reklama sepse nuk ndahen sipas parmit të shikueshmërisë apo lexueshmërisë por në përgjithësi reklamat qeveritare dërgohen në mediat të cilat llogariten si pro-qeveritare, gjegjësisht nuk kanë qasje kritike ndaj qeverisë. Pikërisht kjo është dhe ajo pistë dyshimi që bën të kritikohet qeveria për instalimin e një kontrolli të sofistikuar të mediave”, thotë Neziri.

Ndryshe, vetëm gjatë periudhës 2010-2012 për promovimin e reformave në lëmi të caktuara si dhe për të inkurajuar të menduarit kreativ, Qeveria e Maqedonisë ka shpenzuar rreth 4 milionë euro.
XS
SM
MD
LG