Ndërlidhjet

logo-print

Veriu ndërmjet fushatës dhe kundër fushatës zgjedhore


Veri...

Veri...

Përderisa përgjithësisht në Kosovë zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore me 3 tetor dhe ajo tashmë po zhvillohet me dinamikë të shtuar nga subjektet politike, në veri të vendit ajo ka nisur në mënyrë sporadike dhe me mjaft probleme, vlerësojnë liderët politik të serbëve të veriut.

Sipas tyre, zhvillimin e një fushate normale në veri po e pengon kundër fushata, të cilën po e udhëheqë i ashtuquajturi Kuvend i përkohshëm i krahinës autonome të Kosovës, në të cilin janë rreshtuar shumica e liderëve serbë që kundërshtojnë zgjedhjet si dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel nga Kosova dhe Serbia.

Oliver Ivanoviq, kandidat për kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, i ka thënë Radios Evropa e lirë se fushata zgjedhore në veri po zhvillohet ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës, për shkak të specifikave që ka kjo hapësirë.

“Fushata zgjedhore ka nisur edhe në veri, por ajo po zhvillohet me rregulla tjera. Këtu nuk ka tubime zgjedhore të mëdha. Pllakatet vendosen, por grisen shumë shpejt. Tash për tash nuk ka ndonjë dhunë të madhe, përveç grisjes së pllakateve dhe materialit propagandues gjë që edhe kjo është një formë e dhunës".

"Por unë shpresoj që kjo do të mbetet me kaq. Kështu që, fushata këtu do të koncentrohet në komunikimin e drejtë për drejtë me njerëzit. Në kushtet tona, kjo është mënyra më e mirë e mundshme”, theksoi Ivanoviq.

Nebojsha Vlajiq, kandidat për kryetar të komunës së Zveçanit, gjithashtu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fushata zgjedhore në veri ende është në fillimin e saj, por, sipas tij situata në veri mbetet e pa qartë lidhur me mundësitë për zhvillimin e një fushate të suksesshme.

“Mund të them se situata në një masë është e paqartë. Ekziston një numër njerëzish që dëshirojnë të dalin në zgjedhje dhe këtë do ta bëjnë. Por ekziston edhe një numër njerëzish, të cilët për shkak të arsyeve të ndryshme dhe nën ndikimin e medieve formale dhe joformale ende nuk kanë sjellë vendimin për dalje".

"Ne jemi në fillim të fushatës, por të gjithë pjesëmarrësit po përgatiten për fushatën. Do të ketë emisione televizive dhe të radios, po shtypen materialet propaganduese dhe pllakatet dhe ne sapo i kemi marrë ato. Por, në veri të Kosovës mund të shihni edhe pllakatet dhe bilbordet që thërrasin kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Vlajiq.

Në anën tjetër, lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiq, qëndrimi i të cilit është kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së serbëve në to, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se veprimet që bëhen në kuadër të kundër fushatës ndaj zgjedhjeve, përfshirë edhe grisja e pllakateve, është në suaza të së pranueshmes në demokraci.

“Pllakatet grisen nga të dyja palët dhe kjo ndodh në gjithë botën. Pllakatet u grisen atyre që janë kundër zgjedhjeve, por edhe atyre që janë për zgjedhjet. Kjo është pjesë normale e luftës politike dhe është mirë që kjo mbetet vetëm në këtë kuadër dhe nuk përdoren edhe forma tjera të dhunshme”, theksoi Jakshiq.

Kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhje, vlerësojnë se kundër fushata ndaj zgjedhjeve paraqet edhe një front më shumë për ta.

Ivanoviq vlerëson se kjo situatë në shumë raste është e pakuptimtë.

Natyrisht që në krahasim me të tjerët, të cilët merren vetëm me fushatën dhe promovimin e ideve të tyre, ne duhet të luftojmë edhe kudër-fushatën. Kjo është një përpjekje dyfish më e madhe dhe shpeshherë është e pakuptimtë”, është shprehur Ivanoviq.

Vlajiq vlerëson se kundër-fushata krijon huti te qytetarët, sepse ata më pas nuk e kanë të qartë se cili është qëndrimi i përgjithshëm.

“Njerëzit nuk do të dëshironin që të ndahen nga shumica. Sikur njerëzit të ishin të sigurt se shumica janë të orientuar për të votuar, atëherë ata do të votonin. Por, nëse mendojnë se është e kundërta, atëherë ata do të vetëpërmbahen. Kjo krijon vështirësi për ne, sepse shkakton konfuzion tek njerëzit”, vlerësoi Vlajiq.

Por, Jakshiq shpreh bindjen se fushata kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri është demokratike dhe përmban veprime demokratike.

“Në demokraci ekzistojnë dy mënyra. Ekziston një palë që është për zgjedhjet dhe një palë tjetër që është kundër zgjedhjeve. Unë mendoj se marrëdhënia ndërmjet këtyre dy grupimeve duhet të jetë e civilizuar. Për aq sa kanë të drejtë të parët që të dalin në zgjedhje aq kanë të drejtë këta të tjerët që ta bindin popullin të mos dalë në zgjedhje".

"Deri më tash edhe fushata por edhe kundër fushata janë zhvilluar në mënyrë të civilizuar. Është çështje krejtësisht tjetër nëse kjo kundër fushatë i pengon zgjedhjet, sepse secili lufton për idenë e vet politike, por natyrisht, me mjete paqësore”, theksoi Jakshiq.

Ndryshe, kandidatët serbë për kryetarë të komunave kanë theksuar se një nga problemet është edhe krijimi i ndjenjës së pabarazisë gjatë fushatës nga mjetet e informimit, kryesisht ato serbe, të cilat janë të ndara kundër zgjedhjeve dhe për zgjedhjet.

Këto të fundit, sipas tyre, janë kryesisht nën kontrollin e Beogradit dhe anojnë kah preferencat të cilat i ka vet pushteti në Beograd.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG