Ndërlidhjet

Vendim i pamenduar i Prishtinës zyrtare?


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

“Çka po duan po bëjnë. Kur të duan vijnë, kur të donë dalin. Si në shtëpi të babës e kanë bë!”, thotë Ariani 30 vjeç, në përshkrimin e tij për polemikat e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, për ndalimin e hyrjeve të zyrtarëve nga Serbia që të bëjnë fushatë në Kosovë.

“Tash po del nga takimi i fundit, që ajo fjali, ose ai fjalim i qeverisë, nuk paska qenë serioz. Në këtë rast, shihet që as Hashim Thaçi e as [Ivica] Daçiq, nuk po pyeten. Por, po pyetet krejt tjetër kush, dhe se lejimet ose ndalimet po i bënë krejt tjetër kush”, shprehet Mendimi 33 vjeç që po shfletonte një gazetë në qendër të qytetit.

Të hënën mbrëma pas një darke pune në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi bëri të ditur se qeveria në Prishtinë do të respektojë marrëveshjen për lëvizje të lirë, pa diskriminim, edhe pse deri në këtë orë vlente një ndalesë për kryeministrin serb Ivica Daçiq për të bërë fushatë në zgjedhjet lokale të Kosovës.

Përfshirja direkte e autoriteteve serbe në fushatën parazgjedhore të 3 nëntorit, për njohësit e rrethanave në vend, paraqet përzierje në punët e brendshme të Kosovës.

Labinot Greiçevci, që drejton Institutin Ridea, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e vizitës së kryeministrit serb ishte i gabuar.

Por këtu është bërë si duket, është marr një vendim i pamenduar, dhe i pastudiuar mirë, nga zyrtarë të caktuar të qeverisë, rrjedhimisht nga vet qeveria, dhe tashmë kemi këto pasoja që janë negative, por, nuk janë të pariparueshme”, thotë ai.

Por në opinion, qytetarët nuk është se ia shohin për të madhe ndryshimit të qëndrimit të qeverisë.

“Mendoj që nuk ka gjë të keqe...Prapë se prapë besoj që është e drejtë, që t’i mundësohet, meqenëse ka qytetarë serbë, dhe iu duhet mbështetja e tyre. Duhet me qenë një bashkëpunim, dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve. Sido që të jetë, e zyrtarëve dhe qytetarëve të thjeshtë”, thotë Blerimi një 28 vjeçar nga Prishtina.

Në Beograd ndërkaq, analistët e shohin shtendosjen e raporteve mes dy palëve, vetëm si një uverturë për tensionet që mendojnë ata se do të shtohen gjatë procesit zgjedhor, dhe jo vetëm kaq.

Mendoj se qëndrimi i Prishtinës, ishte një sfidë për Beogradin, dhe se ishte një sfidë edhe për BE-në. Nuk pres dhe nuk mendoj se ky është fundi, apo që kjo është situata e fundit e cila do të lind, gjatë zgjedhjeve. Kjo është vetëm hapja e një periudhe që do të pasojë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, dhe më pas”, vlerëson Predrag Simiq.

Se përvojat në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, lënë shumë për të dëshiruar, e thotë edhe Valon Murtezaj profesor në Institutin e Ekonomive Shkencore dhe Menaxhmentit (IESIG) të Parisit.

Sipas tij, ka pak shpresë që lëshimi që ka bërë Prishtina në takimin e së hënës, do të përdoret për të mirë nga Beogradi zyrtar.

“Kjo do të duhej të konsiderohet si një shenjë e vullnetit të mirë nga ana e Kosovës, por që do të duhej të ishte si shpagim, një sjellje konstruktive të Serbisë, çfarëdo lloj mesazhesh që do të përçoheshin brenda në Kosovë, nga ana e zyrtarëve të Serbisë, do të duhej të ishin në frymën e një demokracie, që nënkupton ndoshta ndonjë thirrje, që serbët të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që të sigurohet një pjesëmarrje brenda sistemit zgjedhor”, thotë ai.

Sido që të jetë, problemi rreth lejimit/pengimit të zyrtarëve nga Serbia për të ardhur në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, pritet të sqarohet gjatë kësaj jave.

Bashkimi Evropian pret në ndërkohë që palët të sqarojnë edhe një problem që Beogradi zyrtar ka ngritur rreth listës së votuesve, meqë pretendon se afro 12 mijë njerëz duhet regjistrohen për të votuar në komunat veriore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG