Ndërlidhjet

Pasuria e "fshehur" e personaliteteve publike


Rreth 99 për qind e personave të lartë publikë, thuhet se kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Por, zyrtarët e agjencisë bëjnë të ditur se jo të gjithë zyrtarët e kanë deklaruar drejtë apo ashtu siç e kanë pasurinë e tyre.

Drejtori i agjencisë, Hasan Preteni në deklarimet e tij të fundit ka theksuar se për shkak se zyrtaret nuk e kanë paraqitur pasurinë e tyre drejtë, agjencia ka proceduar rastet në prokurori.

I kemi kontrolluar më shumë 30% të dokumenteve të deklarimeve të pasurisë dhe kemi përcjellë disa raste në prokurorit kompetente ku kemi gjetur prova se ka deklarime të rrejshme”, ka theksuar Preteni.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, miratuar vitin e kaluar, mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo ndonjë dobie tjetër materiale konsiderohet vepër penale.

Për këtë personat dënohen më gjobë dhe më burgim prej 6 muaj deri në pesë vjet.

Procesi për deklarimin kërkohet në bazë të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale.

Nga ana tjetër, Merita Mustafa menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se jo të gjithë zyrtarët publikë deklarojnë pasurinë e vërtetë të tyre.

“Edhe këto pak raste te cilat agjencia i ka identifikuar mundet me qenë pasuri edhe më e madhe e fshehur. Pra ka probleme për shkak se mekanizmat nuk i kemi të duhur për ta identifikuar nëse po fshihet diçka mbrapa kësaj. Mirëpo, çfarë na bën ne të dyshojmë se mund të fshihet, pra është pikërisht për shkak të sistemit të dobët të kontrollit që kemi ne si shtet”, deklaroi Mustafa.

Zonja Mustafa thotë po ashtu se agjencia kundër korrupsionit nuk ka kompetenca të mjaftueshme që të bëjë hetime më të mëdha lidhur me mos deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve.

“Dyshimet janë shumë të mëdha që pas zyrtareve të lartë ka pasuri të cilat fshihen, kjo ndodh për shkak se zyrtarët e lartë e dinë që ne si shtet nuk kemi për të arritur edhe për një kohë të gjatë që t'i identifikojmë pasuritë e fshehta të tyre. Ata janë shumë vetëdijshme për rrethanat për institucionet dhe kapacitete e tyre dhe për ketë arsyeje e shfrytëzojnë rastin dhe e fshehin pasuritë”, tha Mustafa.

Ligji obligon të gjithë zyrtarët që të deklarojnë pasurinë e tundshme, atë të patundshme, paratë e gatshme nëpër banka, aksionet në shoqëri komerciale, letra me vlerë, para të gatshme në institucionet kreditore, borxhet, të hyrat vjetore si dhe prejardhjen e tyre.

Edhe qytetarët nuk besojnë se zyrtarët publikë deklarojnë drejtë pasurinë e tyre.

Don Fran Sopi, prift nga Peja tha:

“Njeriu që është i ndershëm duhet të thotë të vërtetën se ai e shkel vetveten nëse nuk mund të thotë të vërtetën”, deklaroi Sopi.

Kurse, Skender Zogiani një qytetar nga Prishtina thotë të jetë i dëshpëruar nga politika në vend, dhe shprehet se jo të gjithë zyrtarët e deklarojnë ashtu siç e kanë pasurinë.

Po dihet pasuria e tyre si e kanë bërë. Ndoshta ka dikush që e deklaron drejt por nuk ma merr mendja që të gjithë e deklarojnë. Ne po e shohim vet ëse çfarë mundi duhet për të ekzistuar. E këta kanë bërë miliona e kapitale që nuk e dinë as vetë ku i kanë të ardhurat e tyre”, tha Zogiani i cili me profesion është taksist.
XS
SM
MD
LG