Ndërlidhjet

logo-print

Vazhdon trendi i braktisjes së shkollave nga femrat


Ilustrim ©Shutterstock

Ilustrim ©Shutterstock

Braktisja e shkollimit nga femrat mbetet fakt shqetësues jo vetëm për institucionet e Kosovës por për gjithë shoqërinë kosovare, vlerësojnë zyrtarët e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, por edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave joqeveritare të cilat trajtojnë këtë çështje.

Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka thënë se përqindja e femrave që braktisin shkollimin nuk është më e madhe se sa përqindja e nxënësve të të dy gjinive që braktisin shkollimin.

Kjo, mund të them se mund të sillet varësisht nga shollat. Do të thotë, shkollat, të cilat kanë një numër të madh të nxënësve,aty është më e theksuar, sepse edhe përqindja del e tillë. Por, nuk e kalon 1 për qindëshin çështja e braktisjes nëpër shkolla. Ndërkaq, sa i përket komuniteteve RAE (romë, shkali dhe egjiptas) ajo është më e theksuar. Për ne është shqetësues qoftë edhe një nxënës. Ne jemi të interesuar që asnjë individ i kësaj shoqërie të mos mbetet jashtë bankave shkollore”, thotë Gjoshi.

Por, Luljeta Vuniqi drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore shpreh dyshimin se përqindja e femrave që braktisin shkollimin është më e madhe.

Sipas saj, statistikat zyrtare nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës, japin një pamje tjetër.

“Dyshoj shumë që braktisja është vetëm 1 për qind, në qoftë se e kemi dhe i referohemi faktit se vetëm 27.3 për qind e femrave e kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me 60 për qind të djemve. Do të thotë, niveli i braktisjes, sidomos i shkollave të mesme, është shumë më i lartë dhe në qoftë se e kemi parasysh këtë shifër, unë mendoj se ajo ësht mjaft e saktë”, shprehet Vuniqi.

Halim Hyseni nga Qendra për avancimin e performancës së sistemit të arsimit, vlerëson se të dhënave mbi braktisjen e shkollimit nga femrat varirojnë, por sipas tij, megjithatë tendencat e këtij fenomeni janë të dukshme.

Është problem i madh. Këto të dhëna varirojnë dhe askush nuk është në gjendje të thotë statistikën e saktë. Por, statistikat tregojnë tendencën. Kjo tendencë, me vite të tëra, tregon se diku rreth 4 mijë deri në 4 mijë e 400 fëmijë e braktisin arsimin parauniversitar, prej viti në vit. Përqindja më e madhe e tyre është e gjinisë femërore. Nga ky numër, diku rreth 58 për qind, sipas disa të dhënave preliminare që i kemi ne, janë femra”, bën të ditur Hyseni.

Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kanë theksuar se sigurimi i librave falas për nxënësit e shkollave fillore dhe ndërtimi i një numri mjaft të madh të shkollave në Kosovë ka ndikuar në uljen e përqindjes së braktisjes së shkollimit nga nxënësit në përgjithësi, përfshirë këtu edhe femrat.

Por, Vuniqi vlerëson se janë një varg faktorësh që vazhdojnë të ndikojnë që femrat ta braktisin shkollimin dhe ndër faktorët më dominues janë ata socio-ekonomik.

“Mungesa e perspektivës për të rinjtë – e dimë që diku rreth 10 për qind është punësimi tek të rinjtë – gjithmonë sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës bazuar në regjistrimin e popullsisë".

"Gjithashtu, martesat e hershme janë një faktor, sidomos tek komunitetet: rom, shkali dhe egjiptas, goran, por edhe tek popullata shumicë shqiptare. Kur flasim për viset rurale, distancat ndërmjet shkollave dhe vendbanimeve të thella, sidomos ato malore, si dhe mungesa e transportit publik, bën që shumë lehtë të hiqet dorë nga shkollimi i mëtutjeshëm”, thotë Vuniqi.

Megjithatë, sipas Hysenit, faktori kyç që vazhdon të ndikoj në braktisjen e shkollimit nga femrat, por edhe nga meshkujt, është cilësia e dobët e arsimimit, e sila, siç thotë ai, është në shpërputhje me zhvillet e tanishme teknike, teknologjike dhe shkencore.

“Sikur fëmijët tanë, vajzat tona, ta kishin pasë të qartë se nga ajo që shkojnë në shkollë do të përfitojnë, do ta sigurojnë një vend të punës dhe se ato dije mund të aplikohen në jetë, atëherë kjo braktisje nuk do të ekzistonte fare. Ky është problemi më i madh. Natyrisht, janë edhe faktorët tjerë, ekonomik, social, si dhe një trashëgimi e jona, e cila është një lloj atavizmi nga e kaluara, reflektojnë që vajzat ta braktisin më herët shkollimin”, shprehet Vuniqi.

Ndryshe, Vuniqi ka theksuar se në martesat e hershme të cilat bëhen shkak për braktisjen e shkollimit nga femrat, ndikojnë shkaqet ekonomike dhe kulturore.

Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti kanë qenë rreth 80 raste të kërkesave për martesa për femra të mitura.

Këto kërkesa, siç ka thënë ajo janë bërë për të marrë dokumentet e kurorëzimin në mënyrë që të dalin jashtë vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG