Ndërlidhjet

logo-print

Mbyllja e qeverisë dëmton besueshmërinë e Amerikës

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Barack Obama.

Presidenti amerikan, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane, e cila është shkaktuar nga dështimi i Kongresit për t’u pajtuar për buxhetin e ri, dëmton besueshmërinë e Amerikës në gjithë botën.

Obama ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë bisedime buxhetore me republikanët, por jo derisa ata nuk heqin "kërcënimet" kundër ekonomisë.

Presidenti është shfaqur i irrituar me ngërçin politik gjatë një konference me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë.

“Në këtë javë tashmë kam humbur takime të rëndësishme në Azi, për promovimin e bizneseve amerikane. Sa herë që bëjmë gjëra të tilla, ato dëmtojnë besueshmërinë tonë në botë”, ka thënë Obama.

Ai i ka bërë këto komente në ditën e tetë të mbylljes së qeverisë. Zyrtarët thonë se presidenti i ka telefonuar të martën edhe udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, për të diskutuar zgjidhjen e mundshme të krizës.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, e në veçanti konservatorët e fraksionit Tea Party, kanë kërkuar ndryshime në planin e Obamës për kujdesin shëndetësor, si kusht për të votuar buxhetin e përkohshëm për vitin e ri fiskal. Obama ka thënë se miratimi i buxhetit duhet të ndahet nga mosmarrëveshja për kujdesin shëndetësor.

Për shkak të mungesës së buxhetit, shërbimet qeveritare janë cunguar në gjithë Amerikën dhe qindra mijëra punëtorë federalë janë dërguar në pushim pa pagesë.

Presidenti Obama ka paralajmëruar republikanët që të mos bllokojnë votimin për mundësitë e qeverisë për të marrë hua.

Nëse Kongresi dështon të zgjasë kufirin e borxhit federal deri më 17 tetor, Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë në gjendje të paguajnë faturat e tyre.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se dështimi për të rritur kufirin e borxhit, mund të dëmtojë seriozisht ekonominë globale.

Duke adresuar këtë çështje, Obama ka thënë:

“Kjo nuk do të zgjidhet; ne nuk do të qetësojmë kreditorët derisa Boehner nuk sjell ligjin që rihap qeverinë dhe autorizon Sekretarin e Thesarit që të paguajë faturat tona me kohë. Derisa kreditorët nuk e shohin këtë, do të bie një re mbi besueshmërinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara”.

Në anën tjetër, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Boehner, ka thënë se grupi i ligjvënësve republikanë do të këmbëngulë për zhvillimin e bisedimeve për shkurtimin e buxhetit me presidentin, si kusht për të miratuar ngritjen e kufirit të borxhit. (v.tela)
XS
SM
MD
LG