Ndërlidhjet

logo-print

Shpresa e fëmijëve me dëmtime intelektuale


Kosovo - Marching for autism

Kosovo - Marching for autism

Shpresa, 7 vjeçare, është autiste. Ajo tash dy vjet ndjek mësimin në shkollën speciale “Përparimi” në Prishtinë. Gjyshja e saj thotë se prej kur ajo ka filluar të vijojë mësimin ka përparuar shumë.

"E sjelli çdo ditë në shkollë që dy vjet. Shkolla na pëlqen shumë. Pastër, mirë, ambienti i mirë. Jemi shumë të kënaqur me atë se çfarë mësojnë fëmijët. Kur ka ardhur në fillim, Shpresa ka quajtur shumë, por tash shumë mirë po mëson. Vajza nuk flet, por dëgjon shumë mirë. Vuan nga autizmi", shprehet Hanife Zeqiri.

Shpresa është njëra nga 165 fëmijët që ndjek mësimin në këtë shkollë, e që kanë dëmtime intelektuale.

Igballe Asllani Potera, drejtoreshë, thotë se në këtë shkollë fëmijët ndjekin mësimet në katër nivele.

"Shkolla për fëmijë me nevoja të veçanta përfshin fëmijët me dëmtime intelektuale, por tani këto vitet e fundit i kemi rastet shumë më të rënda krahasuar me periudhat paraprake. Këtu fëmijët ndjekin mësimet me katër nivele: parashkollor, shkollor, ajo e mesme e ulët dhe e mesme e lartë".

"Shkolla e mesme e lartë është drejtimi hortikulturë dhe përfshihen fëmijët edhe të komunave tjera, jo vetëm të Prishtinës. Tani ndjekin mësimin 165 nxënës të cilët janë të shpërndarë në gjitha nivelet, dhe numri në klasë është nga 5-6 deri në 12, sepse nuk lejohet më shumë për shkak të specifikave të tyre", bën të ditur Potera.

Zonja Potera thotë se edhe stafi që punon aty është profesional, dhe sipas saj vazhdimisht mbahen trajnime të ndryshme, varësisht nga nevoja që ka shkolla.

"Sa i përket mësimdhënësve, të gjithë janë të trajnuar dhe kanë kryer drejtimet përkatëse, por ka edhe mësimdhënës me master. Edhe trajnime të ndryshme që mbahen nga organizata të ndryshme e që i ndjekim. Por organizojmë edhe trajnime me bazë në shkollë, sipas nevojës që i parasheh qendra jonë", thotë ajo.

Ndërkaq, mësimdhënësit thonë se është kënaqësi e veçantë të punosh me këta fëmijë.

Kimete Bekaj, mësimdhënëse shpjegon:

"Vullneti i madh, dëshira, si dhe përkushtimi. Të japin një kënaqësi të veçantë. Këta fëmijë të japin shumë më shumë dashuri se atë që ti ua jep. Një storje që do ta veçoja prej karrierës sime është njëra nga fëmijët që punoj me të, është me sindromë down, e cila është zgjedhur kampione në olimpiadë në Poloni dhe ka marr vendin e parë, medaljen e artë. Ka qenë kënaqësi e madhe për një trajnere e olimpiadës speciale të Kosovës", shprehet Bekaj.

Ndërkaq zonja Potera pohon se përpos mësimit, fëmijët marrin në këtë shkollë edhe nga një shujtë ushqimi që është i përfshirë në program të edukimit.

"Për fëmijët e kësaj qendre transporti është falas dhe gjithashtu fëmijët marrin edhe një shujtë ditore, e cila ju ndihmon shumë për atë se mësohen se si duhet ushqehen, dhe cili është ushqimi që duhet konsumuar. Këtu mundohemi t'i pavarësojmë fëmijët sepse ka shumë nëna që u servojnë të gatshme fëmijëve të tyre, dhe ne mundohemi t'i pavarësojmë", thotë Potera.

Sidoqoftë, në shkollën “Përparimi” vijojnë mësimin fëmijët me sindromën Down, me Autizëm, me dëmtime fizike, me dëmtime në të pamur të lehtë, ata që kanë probleme me komunikim, dëmtime të shumëfishta me çrregullime emocionale e të tjera.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG