Ndërlidhjet

OBT: Dikur afër - tash më larg


Organizata Botërore e Tregtisë
Organizata Botërore e Tregtisë
Edhe pse përgatitjet për anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, kanë filluar vite më parë, Kosova ka ngecur në këtë drejtim.

Kështu thotë Bujar Dugolli, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se takimi për këtë çështje është realizuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, në fund të mandatit të tij si ministër, në vitin 2007.

Në atë periudhë, Dugolli thotë se Kosova ka aplikuar me politika dhe standarde evropiane dhe ka pasur premtime dhe gatishmëri që Kosova në një afat rekord të bëhet anëtare e OBT-së.

“Atëherë unë pata marrë premtime se Kosova do të anëtarësohet në një afat rekord në këtë institucion, duke marrë për bazë se ne kishim aplikuar një politikë tregtare me standarde të Bashkimit Evropiane dhe vetë shtylla IV e UNMIK-ut, në atë kohë udhëhiqej nga BE- ja. Dhe, Kodi doganor që ne patëm hartuar, Ligji për Tregti të Jashtme dhe të Brendshme, ishin në përputhje me standardet e OBT-së. Duke dhënë këto informacione, ata premtuan se do të jetë një afat rekord i anëtarësimit”, shprehet Dugolli.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në një përgjigje përmes postës elektronike, thonë se Kosova ende nuk ka aplikuar për anëtarësimin në OBT.

Blerim Ahmeti, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se është duke u diskutuar shumë dhe se ekziston mundësia që me këtë proces të fillohet së shpejti.
"Duhet theksuar se mesatarja e procesit të anëtarësimit në OBT për vendet, të cilat janë tashmë anëtare, përfshin një periudhë kohore prej 8 vjetësh...

"Duhet theksuar se mesatarja e procesit të anëtarësimit në OBT për vendet, të cilat janë tashmë anëtare, përfshin një periudhë kohore prej 8 vjetësh, gjë që tregon se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm për administratën shtetërore të një vendi”, thuhet në përgjigjen e Ahmetit dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ai thekson se nëse Kosova do ta bënte aplikimin për anëtarësim në OBT, gjasat me të mëdha do të ishin që të aplikohej si vëzhgues, pasi këtë e kanë bërë edhe disa nga vendet e rajonit.

Në, përgjithësi, Kosova me rastin e aplikimit për anëtarësim në OBT do të haste në pengesa për anëtarësim të drejtuara nga vendet, të cilat tashmë janë anëtare të OBT-së, si Rusia dhe Kina. Gjithashtu, nuk duhet harruar se edhe BE-ja në OBT përfaqësohet si tërësi dhe se gjatë procesit të anëtarësimit, Kosova do të mund të refuzohej edhe nga Bashkimi Evropian”, shpjegon Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Por, ish-ministri Dugolli në një mënyrë kritikon ministrat pasues, të cilët nuk kanë vazhduar procedurat për anëtarësim. Kosova do të përfitonte shumë, thotë ai, në aspektin ekonomik me anëtarësimin e vendit në OBT.
Kur bëhesh pjesë e një tregu botëror ndërkombëtar, kjo gjë tregon stabilitet për atë shtet, si dhe perspektivë ekonomike.

“Organizata Botërore e Tregtisë, kur një vend bëhet anëtar, respekton kriteret e tregtisë ndërkombëtare dhe krijohen benefite edhe për investimet e huaja që për rastin e Kosovës, janë kruciale për zhvillimin ekonomik. Kur bëhesh pjesë e një tregu botëror ndërkombëtar, kjo gjë tregon stabilitet për atë shtet, si dhe perspektivë ekonomike. Prandaj, përfitimet kanë qenë dhe mbesin shumë të mëdha në rast se Qeveria e merr me seriozitet angazhimin për anëtarësim në OBT”, thekson Dugolli.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Gjenevë të Zvicrës, e cila merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Edhe Lekë Musa, ish-drejtor në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thekson se të qenët anëtar i OBT-së, përveçse do të ndikonte në mënyrë pozitive te prodhuesit vendorë, do të përmirësohej edhe imazhi i vendit karshi investitorëve të jashtëm.

“Kur i ofrohen lehtësi një anëtari nga një shtet tjetër, ai është i detyruar që të njëjtat lehtësi t’ua ofrojë edhe anëtarëve tjerë. Prandaj, në këtë formë, Kosova do të përfitonte shumë, sepse do të kishte kushte të barabarta me të gjitha vendet anëtare të OBT-së, dhe do të hapte perspektivë për investitorët, të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë”, pohon Musa.

Edhe zyrtarë qeveritarë vazhdimisht kanë pohuar se janë duke punuar në këtë drejtim, edhe pse anëtarësimi në këtë mekanizëm, është një proces kompleks. Ata, madje, kanë thënë se janë shumë të kujdesshëm për kohën e aplikimit, pasi janë të vendosur që në OBT të anëtarësohen si shtet i pavarur, e jo si territor doganor.

Në OBT bëjnë pjesë 158 vende të botës, që paraqesin 97 për qind të tregtisë botërore. Vitin e kaluar Mali i Zi, është bërë anëtar i plotë Organizatës Botërore të Tregtisë.
XS
SM
MD
LG