Ndërlidhjet

"Harabeli i vogël" i Francës

  • RFE /RL

"Harabeli i vogël" është nofka që Franca përdor për të.

Ajo ishte ylli më i madh ndërkombëtar i Francës, që arriti t'ia merrte zemrën edhe Amerikës; me këngën dhe melodinë e saj melankolike u bë një pjesë e pandashme e muzikës së gjeneratës së pasluftës.

Këngët kabare të Edith Piafit reflektojnë jetën e saj fatkeqe, e cila ishte e mbushur me humbje tragjike dhe luftë me varësinë e saj në drogë.

Tekstet e këngëve të saj ishin të besueshme, performanca e saj ishte përtej autentikës, dhe historia e jetës së saj e shpërbleu atë me një karizëm tragjik, të cilin ajo kurrë nuk e kishte kërkuar.

Vitet e hershme të Piafit ishin shumë të vështira. Babai i saj, Louis Gassion, ishte një akrobat që udhëtonte gjatë gjithë kohës, ndërsa nëna me prejardhje marokene-italiane, Anita Maillard, ishte një alkooliste, një prostitutë e rastit, dhe një këngëtare që këndonte në kafenetë dhe në rrugët e shesheve, e njohur me emrin artistik Line Marsa, e cila e braktisi Edithin në moshë të re.

I ati i Edithit u kthye për ta marrë të bijën pas Luftës së Parë Botërore, por në vend që të kujdesej për të dhe ta shkollojë, ai e mori me vete në Paris për t'iu bashkuar përformancave të tij rrugore. Këtu ajo pati përvojën e parë të këndimit në publik.

Kur arriti moshën e adoleshencës, ajo e zhvilloi këndimin në atraksion kryesor për njerëzit, dhe u afrua shumë me motrën e saj, Simone Berteaut. Ato kënduan së bashku nëpër rrugë, sheshe, kafene dhe kampe ushtarake, duke fituar shumë pak para dhe duke jetuar ne hotele të lira.

Në vitin 1932, shtatëmbëdhjetë vjeçarja Piaf u dashurua në një djalë të quajtur Louis Dupont, dhe lindi një vajzë me të. Megjithatë, ajo vazhdoi të jetonte një jetë të shthurur, dhe i dha shumë shpejtë fund lidhjes së saj. Njëjtë si e ëma, Edithi nuk mundi të kujdesej për fëmijën e vetë, dhe e braktisi atë.

Duke jetuar jetën me rreziqe, Edithit do t'i vinte fundi shumë shpejtë po të mos e zbulonte pronari i një kabareje, Louis Leplée, derisa ajo po këndonte në rrugë në vitin 1935.

I habitur nga zëri i saj, Leplée i propozoi këngëtares që të punojë për të. Ai i vuri nofkën "Harabeli i vogël", i mësoi këngë të reja dhe si të sillet në skenë dhe e veshi në rroba të zeza.

Në këtë kohë ajo udhëtoi për Nju Jork, dhe qëndroi atje për 5 muaj duke kënduar para një publiku që gjithmonë shkonte duke u shtuar.

Pa marrë parasysh famën e saj në këndim, jeta personale e Piafit ishte e mbushur me tragjedi.

Vajza e saj të cilën e braktisi, vdiq në moshën 2 vjeçare nga meningjiti. Dashuria e jetës së saj, boksieri francez Marcel Cerdan, që ishte i martuar me një grua tjetër, vdiq në një përplasje të aeroplanit duke shkuar nga Parisi në Nju Jork për ta vizituar Piafin, gjë për të cilën kjo e fundit e fajësoi veten gjithmonë.

Ajo pati betejë shumicën e jetës së saj me alkoolizëm dhe me varësi në drogë.

Më vonë, kur gjendja iu përkeqësua shumë, ajo ishte shumë kokëfortë që të largohej nga skena dhe për shkak të kësaj, Piafit i ndodhte të rrëzohej nga skena dhe të përfundonte në spital.

Edhe pse e dobët fizikisht, zëri i saj vazhdonte të ishte i fuqishëm, dhe i linte me gojë të hapur të gjithë njerëzit që e dëgjonin.

Piaf vdiq pesëdhjetë vjet më parë, në tetor të vitit 1963, në moshën 48 vjeçare.

Pas vdekjes së saj, kryepeshkopi i Parisit refuzoi t'ia bënte varrimin, për shkak të jetës jobesimtare të saj.

Por, pa marrë parasysh këtë, lajmi për vdekjen e Piafit shkaktoi dhimbje shtetërore dhe dhjetëra mijëra adhurues të Piafit dolën në rrugët e Parisit për ta përshëndetur për herë të fundit këngëtaren.(g.kraja)
XS
SM
MD
LG